Bota e krimit, hakmarrjes dhe gjakmarrjes e ka “pushtuar” vendin tonë, ku dita-ditës po merren jetë.
Dy ditët e fundit krismat e armëve kanë tronditur Shqipërinë, ku fatkeqësisht tre persona kanë mbetur të vrarë në tre atentate, në tre zona të ndryshme të vendit tonë.
Shënjestër e një atentati së fundmi ishin babë e bir, ku fatkeqësisht babi humbi jetë dhe djali u plagos.
Ngjarja e rëndë u shënua mbrëmë në zonën e Dukagjinit në malin e Shoshit, ku mbeti i vdekur Zef Guri 73 vjeç, ndërsa është plagosur rëndë djali i tij, Gjin Guri 43 vjeç. Shënjestër e atentatit dyshohet se ka qenë Gjin Guri, i cili mbeti i plagosur dhe është sjellë në spitalin e Traumës për mjekim më të specializuar. Shkak për këtë ngjarje është dyshohet se janë bërë konfliktet për kultivimin e kanabisit.
I dyshuar për këtë ngjarje mbetet Gjobalin Guri, nipi i viktimës.
Gjin Guri nuk është një emër i panjohur për policinë. Ai ka qenë i dënuar me 7 vite burg për kanosje dhe armëmbajtje pa leje. Në vitin 2015, Gjin Guri ka shkëmbyer zjarr me policinë në një aksion anti-kanabis në parcelat me kanabis në Njësinë Shosh në Dukagjin. Asokohe ai dyshohej si kultivues i kanabisit, dhe për të shmangur kontrollet në parcelat e tij, qëlloi drejt helikopterit me efektivë. Fatmirësisht, nuk pati të lënduar nga të shtënat ndërsa Gjin Guri figuronte në listën e 10 personave të shpallur në kërkim si autorë të plumbave drejt helikopterit. Ndërsa në 15 nëntor të vitit 2021, në lokalin e tij në Malin e Shoshit u vendos tritol.
Martin Bardhi, 59-vjeç u ekzekutua paraditen e 26 shtatorit 2023 në Rrëshen, ku nga të shtënat mbeten të plagosur dhe 3 persona të tjerë vijon të mbetet pa autor. Policia ka shoqëruar dhe marrë në pyetje mbi 10 persona për atentatin, mes të cilëve dhe pjesëtarë të fisit Reçi me të cilët kishte konflikte viktima. Ai ndodhej në ambientet e jashtme të lokalit bashkë me tre të afërm të tij, Oltion Gjini, Ilir Bardhoku, Indrit Bardhi të cilët mbeten të plagosur nga breshëria e kallashnikovit. Në atentat kanë marrë pjesë dy autorë të maskuar. Me fuoristradë të zezë kanë ndaluar në rrugën kryesore, kanë qëlluar në drejtim të lokalit ku ndodhej Bardhi dhe janë larguar me shpejtësi në Rrugën e Kombit, në aksin Rrëshen-Reps. Pak minuta pas krimit, makina është gjetur e djegur në fshatin Gëziq,të Mirditës. ndërsa atentatorët të ndihmuar nga bashkëpunëtorët kanë arritur të largohen pa gjurmë.
Martin Bardhi ishte një person me precedent kriminal. Më 26 Mars të këtij viti u konfliktua me nipin e Kastriot Reçit, Saimirin. Vetëm një muaj më parë ai kishte lënë qelinë e paraburgimit, pasi gjykata me kërkesë të prokurorisë zbuti masën e sigurisë. Një muaj u ka mjaftuar autorëve për të realizuar planin e ekzekutimit.
Mëngjesin e 27 shtatorit u ekzekutua Fatjon Dervishi, 38 vjeç në Sukth. Ai u qëllua me dy plumba, kur po udhëtonte në një makinë tip “Audi” bashkë me një person tjetër.
Dy janë pistat e hetimit, ajo e hakmarrjes dhe prishja e pazareve të drogës.
7 persona janë shoqëruar, mes tyre edhe pasagjeri që ishte në mjet me viktimën, ndërkohë që po këqyren kamerat e sigurisë me pamje nga aksi ‘Maminas-Shijak-Sukth-Sallmone’ si dhe janë kontrolluar disa banesa. Viktima rezulton nën hetim në shtetin e Holandës për trafik të lëndëve narkotike.
Dëshmitari okular është marrë në pyetje në polici ku tha se ka qenë në automjet me Fatjon Dervishin kur ndaj tyre është qëlluar me breshëri sapo kanë dalë nga një lokal i zonës dhe po ktheheshin në banesë. I mbijetuari sqaroi para hetuesve se nuk ka arritur të shohë autorët të cilët duket se kanë zgjedhur të veprojnë pranë shinave të trenit ku rruga e dëmtuar ka detyruar 38-vjeçarin që të ulte shpejtësinë e mjetit.
Alpenews.al