Dy konteinerë të ngarkuar me kokainë janë kapur në portin e Durrësit, ndërsa në pranga ka rënë një person.
Operacioni anti-drogë është zhvilluar nga policia shqiptare në bashkëpunim me atë helene. Kanë qenë autoritetet greke ata që kanë sinjalizuar palën shqiptare për kokainën e fshehur në dy konteinerët e nisur nga Ekuadori.
Sasia e kokainës brenda konteinerëve nuk dihet ende, ndërsa policia shqiptare pritet t’i hapë ditën e nesërme për të kryer verifikimet. Për disa ditë konteinerët janë mbajtur nën vëzhgim, kur edhe është arrestuar një person i cili ka shkuar për t’i tërhequr.
Tre persona të tjerë që janë identifikuar tashmë, që dyshohet të kenë lidhje me ngarkesën, dhe janë shpallur në kërkim.
Autoritetet greke bëjnë me dije se kokaina ka mbërritur në disa konteinerë në portin e Pireut, ku në 14 shtator u kap një ngarkesë prej rreth 500 kg kokainë. Prej 17 shtatorit konteinerët janë mbajtur nën vëzhgim teksa kanë lundruar me të njëjtën anije nga porti i Pireut në portin e Durrësit.


