Një ditë pas protestës së opozitës, “zhvillime” të reja kanë ndodhur, por kësaj here në qytetin e Durrësit, ku një sërë drejtuesish të partive politike janë takuar së bashku.
Takimin mesa duket e ka thërritur kreu i Partisë Agrare Ambientaliste Agron Duka dhe në të kanë qenë figura të së djathtës si Dashamir Shehi, Nard Ndoka, Vangjel Dule si dhe Bamir Topi.
Një tjetër personazh që nuk shihej prej kohësh është Ben Blushi, kryetari i LIBRA-s, parti në të cilën ka patur mjaft “luhatje” pas shpërthimit të skandalit se mes Blushit dhe ish socialistes Mimoza Hafizi, dikur të pandarë, ka patur një përçarje të madhe.
Por duket se pavarësisht ndryshimeve, tavolina është ndarë në mënyrë të barabartë. Tre politikanë që mbajnë mandatin e deputetit (Nard Ndoka, Dashamir Shehi dhe Vangjel Dule, të tre dalë nga listat e PD-së) dhe 3 që kanë mbetur jashtë parlamentit (Agron Duka, Bamir Topi dhe Ben Blushi).
“Sot në Durrës pata kënaqësinë të kisha Dashin, Bamirin, Benin, Nardin dhe Vangjelin për një bilanc të vitit që po mbyllet, por folëm edhe për çfarë na pret në 2018”- shkruan Agron Duka në rrjetin social.
Duka flet për një bilanc të këtij viti por edhe për planet në të ardhmen mos vallë në plan do të jetë dhe një front i ri opozitar?!
Gjasat mund të jenë që edhe nëse nuk krijohet një front i ri opozitar, një plan në avancë mund edhe të jetë duke o ngritur nga këto forca politike. Kujtojmë këtu se në zgjedhjet e fundit parlamentare të Agron Duka, Nard Ndoka, Dashamir Shehi dhe Vangjel Dule garuan nën siglën e PD-së.
Vetë Agron Duka pas humbjes në Durrës u shpreh i zhgënjyer duke thënë se nëse do të kishte garuar i vetëm me partinë e tij me siguri do të kishte fituar mandatin e deputetit. Krerët e këtyre partive të vogla garuan nën mantelin e PD-së në një kohë kur opozita deklaronte se nuk do të merrte pjesë në zgjedhje dhe u detyrua nga rrethanat dhe mungesa e kohës që të bashkohej nën selinë blu, fill mas marrëveshjes së majit mes Bashës e Ramës.
Nga ana tjetër Bamir Topi që nga largimi nga PD nuk ka mundur të dalë në parlament me një mandat ndërsa e njëjta mund të thuhet edhe për Ben Blushin.
Kujtojmë gjithashtu se pas këtyre zgjedhjeve partitë e mëdha politike kanë nisur punën për reformimin e sistemit zgjedhor.
Prej dekadash tashmë partitë e vogla kanë akuzuar e drejtuar gishtin ndaj partive më të mëdha në vend, se përmes sistemit zgjedhor ata godasin partitë e vogla dhe favorizojnë veten. Kësisoj, kjo drekë mund të paralajmërojë një pakt, i cili mund të hyjë në “fuqi” në zgjedhjet e ardhshme parlamentare apo akoma më afër në ato lokale./ express
Sot në Durrës pata kënaqësinë të kisha Dashin, Bamirin, Benin, Nardin dhe Vangjelin për një bilanc të vitit që po mbyllet, por folëm edhe për çfarë na pret në 2018.
Posted by Agron Duka on Dienstag, 19. Dezember 2017




