Drejtoresha e Zërit të Amerikës, Amanda Bennett, e cila po viziton 5 vende të Ballkanit, ishte sot në Shkodër. Ajo shkoi në Shqipëri pas vizitave në Serbi, Bosnje dhe Mal të Zi. Zonja Bennett theksoi gjatë takimeve rëndësinë e informacioneve të bazuara në fakte dhe të dhëna të sakta. Në këtë vizitë ajo shoqërohet nga drejtori i sektorit të Euroazisë në Zërin e Amerikës, Elez Biberaj dhe shefi i shërbimit shqip, Arben Xhixho.
Gjatë qëndrimit në qytetin e Shkodrës, Drejtoresha Bennett u njoh me traditat e qytetit dhe u ndal në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”.
Në një komunikim me mediat vendore, Drejtoresha Bennett foli mbi rolin e Zërit të Amerikës.
Zëri i Amerikës, tha Drejtoresha Bennett, trasmeton në Shqipëri prej 75 vitesh dhe se ajo është drejtoresha e parë që viziton Shqipërinë gjatë gjithë këtyre viteve. Ne, tha ajo, e njohim rolin dhe ndikimin që ka Zëri i Amerikës për një shtyp të lirë dhe në mbështetje të zhvillimeve demokratike
Drejtoresha Bennett theksoi transparencën në lidhje me trasmetimet e Zërit të Amerikës.
Ne, tha ajo, financohemi 100 përqind nga qeveria amerikane, por gjithashtu jemi edhe plotësisht të pavarur nga ndikimet, kjo me qëllim që të trasmetojmë në mënyrë sa më transparente për publikun.
Trasmetimi i informacioneve që janë të bazuara në fakte dhe të dhëna të sakta, tha Drejtoresha Bennett, është ajo që ne duam të zhvillojnë në mënyrë që të ndikojmë në zhvillimet demokratike. Ne duam me të vertetë të jemi të pranishëm në Shqipëri duke mbështetur dhe zgjeruar partneritetin me mediat vendore.
Gjatë vizitës dy ditore në Shqipëri, Drejtoresha e Zërit të Amerikës do të takohet me gazetarë vendas dhe zyrtarë të qeverisë.
Ndërkohë, gjatë vizitës në rajon, Drejtoresha e Zërit të Amerikës, Amanda Bennett, u prit mbrëmë në Podgoricë nga Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviç, i cili nderoi me një mirënjohje shtetërore Zërin e Amerikës me rastin e 75-vjetorit.
Presidenti Vujanoviç vuri në dukje rolin e veçantë të Zërit të Amerikës për dëgjuesit dhe shikuesit e rajonit me informimin objektiv e të paanshëm.
Ndalesën e fundit në 5 vendet e rajonit të Ballkanit, drejtoresha e Zërit të Amerikës, Amanda Bennett, do ta bëjë në Kosovë.


