Çdo i burgosur përjetë në Shqipëri dënimin maksimal nuk do të ketë në të vërtetë të përjetshëm por do të ketë mundësi ta kërkojë lirinë me kusht. Ndryshimi thelbësor parashikohet në draftin e prezantuar këtë të premte të Kodit të ri Penal.
Propozimi është arritur pas një debati të gjerë, pasi çështja është një komleksitet faktorësh, ndërsa vjen edhe pasi vetë Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut e ka theksuar më herët se burgimi i përjetshëm është në përputhje me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, vetëm për sa kohë të burgosurit kanë njëfarë shansi për t’u liruar dhe është e mundur që dënimet e tyre të rishikohen.
Gjithashtu rehabilitimi dhe riintegrimi i të miturve mbetet prioritet. Për çdo të mitur të përfshirë në një krim masa më e rëndë mbetet gjithmonë alternativa më e fundit, duke u paraprirë nga këshillimi, mbikëqyrja e veçantë, përkujdesja, kërkimi i faljes, dëmshpërblimi, ndjekja e rregullt e procesit arsimor, të mos frekuentojë vende të caktuara, të mos kontaktojë persona të caktuar etj. Parashikohet një mbrojtje e posaçme, dënim më i rëndë i çdo krimi që bëhej ndaj tyre si dhe saktësim i përgjegjësive të personave që duhet të kujdesen për të miturit.
Një numër i madh veprash penale në Kodin e ri, të konsideruara të vjetruara nuk do të jenë më të tilla, ndërsa për herë të parë parashikohet futja e institutit të lajthimit (gabimit) në faktin që përbën vepër penale. Përsëritja e veprës penale do të marrë më shumë rëndësi në përcaktimin e masës së dënimit për çdo krim.
Rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian sigurisht që parashikohet edhe në atë që pritet të jetë Kodi i ri Penal në vend. Politika e re penale synon implementimin e direktivave të BE-së për krimin kibernetik, ekstremizmin, mbrojtjen e parave evropiane dhe Krimet mjedisore. Me përafrimin e akteve të Bashkimit Evropian të cilat përcaktojnë kriminalizimin e sjelljeve, veprimeve ose mosveprimeve të caktuara, Kodi i ri Penal synon të jetë pjesë integrale e procesit të aderimit të Shqipërisë në BE.
Një risi që u prezantua nga kreu i grupit të punës, Arben Rakipi, ishte edhe koncepti në lidhje me krimet që lidhen me tatimet dhe doganat. Fillimisht shkeljet e para do të trajtohen me masa administrative pasi nëse ato përsëriten do t’i takojnë politikës penale. Gjithashtu trajtimi i shkeljeve të lidhura me evazicionin do të varen edhe nga sasia e dëmit që i shkaktojnë shtetit.
Një element tjetër është sqarimi i përgjegjësi penale për personat juridikë, domethënë bizneset, shoqatat, organizatat, institucionet etj. Synohet përcaktimi i saktë i zbatimit të ligjit penal mbi këto entitete dhe kriteret konkrete të përcaktuara krijojnë mundësi reale që organet proceduese ta godasin në mënyrë efektive krimin e organizuar.
Kodi Penal aktual i Shqipërisë u miratua më 27 janar 1995 dhe hyri në fuqi më 1 qershor të po atij viti. Gjatë këtyre 30 vite ai është arnuar shumë herë më përpjekjet për ta përshtatur me kohën, duke e nxjerr shpeshherë jashtë kontekstit koncepte të ndryshme, duke krijuar konflikt mes neneve, pa koherencë dhe proporcionalitet. Kodi i ri Penal është kërkesë prej vitesh edhe e Bashkimit Evropian.


