Memorie.al / Plot 42 vjet më parë, më 15 tetor të vitit 1982, organet e ministrisë së Punëve të Brendshme, nxorën urdhrin e arrestit të Kadri Hazbiut, ish-ministër i Mbrojtjes Popullore dhe anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së, në atë kohë, i cili që nga viti 1953, e deri në dhjetorin e vitit 1979, kishte mbajtur edhe funksionin e ministrit të Punëve të Brendshme, duke qenë ministri më jetë gjatë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në të gjithë vendet e Europës Lindore, ku ishin në pushtet Partitë Komuniste. Arrestimi i Hazbiut, i cili u krye po atë ditë, (më 15.10.1982), erdhi pas shkarkimit të tij nga të gjitha funksionet partiake dhe shtetërore, nga ana e Plenumit të V-të të Komitetit Qendror të PPSH-së, i mbajtur dy ditë më parë, më 13.10.1982.
Gjatë asaj mbledhje maratonë, pas pyetjeve të shumta që iu bënë Hazbiut nga anëtarët e Plenumit dhe përgjigjeve të tij, më në fund ndërhyri dhe Enver Hoxha e, pas një debati me Hazbiun, iu drejtua atij duke i thënë: “Unë jap urdhër që të arrestojnë”, dhe Hazbiu iu përgjigj: “Po mirë, Partia ime më arreston”, debat i cili u mbyll me të bërtiturat e Enverit: “Partia jote të arreston, se ke bërë gabime dhe faje të rënda”!
Tashmë të gjitha këto janë shumë të njohura, pasi pas viteve ’90-të, janë bërë publike në shtypin e shkruar dhe mediat vizive, dëshmi dhe dokumente të shumta mbi; “veprimtarinë armiqësore të Kadri Hazbiut” dhe bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë, si; Feçor Shehu, Llambi Ziçishti, Llambi Peçini, etj.
Nisur nga kjo, Memorie.al, do të publikojë një numër të madh dokumentesh arkivore, të nxjerra nga dosja voluminoze në ngarkim të ish-ministrit Kadri Hazbiu, (me siglën “Tepër sekret” dhe tashmë të de-klasifikuar nga Autoriteti për Informimin e Dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit), të cilat nuk janë bërë kurrë publike. Në këtë numër (bashkë me faksimilet përkatëse) po publikojmë dokumentin për marrjen e Kadri Hazbiut në përpunim aktiv 2/A, si dhe planin e arrestimit të tij, më datën 15 tetor të vitit 1982.
DOKUMENTI ARKIVOR, MBI MARRJEN NË PËRPUNIM PARAPRAK 2/A TË KADRI HAZBIUT, HARTUAR NGA PUNËTORI OPERATIV, YLLI BIRÇE DHE MIRATUAR NGA MINISTRI I BRENDSHËM, HEKURAN ISAI
M I R A T O H E T S E K R E T
MINISTRI I PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar i vetëm
HEKURAN ISAI Tiranë, më 15.10.1982
VENDIM
PËR MARRJEN NË PËRPUNIM 2/A TË KADRI HAZBIUT
Unë Punëtori Operativ, Ylli Birçe, efektiv i Drejtorisë së I-rë të Sigurimit të Shtetit, mbasi studiova materialet në ngarkim të Kadri Hazbiut:
GJ E T A:
Se, Kadri Dautaj, i biri i Hazbiut, i datë-lindjes 1922, lindur në katundin Mavrovë të rrethit të Vlorës, dhe banues në Tiranë, me origjinë fshatar i mesëm, me arsim të lartë, me profesion nëpunës, ish-ministër i Mbrojtjes Popullore, me shtetësi dhe kombësi shqiptare.
Ka marrë pjesë në Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare qysh nga viti 1942 dhe me krijimin e Brigadës së V-të, inkuadrohet në radhët e kësaj brigade, ku ka pasur përgjegjësira deri në komandant batalioni.
Mbas çlirimit ka pasur funksione të rëndësishme pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, si Shef i Sigurimit të Ushtrisë, zv/ministër i Punëve të Brendshme dhe që nga viti 1953, emërohet ministër i Punëve të Brendshme, ku qëndron deri në dhjetor të vitit 1979, kur emërohet ministër i Mbrojtjes Popullore.
Ka qenë zgjedhur anëtar i Komitetit Qendror dhe që nga Kongresi i 4-të i PPSH-së, është zgjedhur dhe anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror.
Byroja Politike e Komitetit Qendror të PPSH-së, në mbledhjen e saj të datës 9.10.1982, e shkarkon Kadri Hazboiun nga të gjitha funksionet që kishte në Parti dhe në Shtet, kurse Plenumi i V-të i Komitetit Qendror, i datës 13.10.1982, e përjashton Kadri Hazbiun, edhe nga Partia, si element antiparti, që në bashkëpunim me tradhtarin Mehmet Shehu, jo vetëm nuk ka informuar për puçin që po përgatiste Mehmet Shehu, por është bashkëpunëtor i ngushtë i tij dhe ka dëmtuar rëndë zbatimin e vijës së Partisë, për kohën që ka qenë ministër i Punëve të Brendshme.
Me qëllim, për të zbuluar, dokumentuar dhe ndërprerë në kohë dhe në thellësi, veprimtarinë armiqësore dhe kompllotiste të Kadri Hazbiut, në bashkëpunim me armiqtë; Mehmet, Fiqret dhe Feçor Shehu;
V E N D O S A
Që, Kadri Hazbiun, ta marr në përpunim aktiv 2/A, si element antiparti dhe si një nga pjesëtarët më aktiv të puçit që përgatiste tradhtari Mehmet Shehu, e bashkëpunëtorët e tjerë të tij, duke bërë dhe veprimet përjatëse, në Kartotekën e Degës së IV-të.
PUNËTORI OPERATIV
YLLI BIRÇE
DOKUMENTI ARKIVOR ME PLANIN E ARRESTIMIT TË ISH-MINISTRIT TË BRENDSHËM, KADRI HAZBI DAUTAJ, I HARTUAR NGA ZV/DREJTORI I HETUESISË, PELIVAN LUÇI E PËLLUB KAPO DHE I MIRATUAR NGA MINISTRI I BRENDSHËM, HEKURAN ISAI
M I R A T O H E T S E K R E T
MINISTRI I PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar i vetëm
HEKURAN ISAI Tiranë, më 15.10.1982
PLAN – ARRESTIMI
Në Tiranë, më datën 15.10.1982, me miratim të Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, do të bëhet arrestimi i armikut, Kadri Hazbi Dautaj.
Në arrestimin e tij, do të marrin pjesë këta shokë:
- Hetues, Luan Bega
- Ylli Birçe
- Hasan ulqinaku
- Asllan Ulqinaku
Arrestimi do të kryhet në shtëpinë e tij dhe do të transportohet me makinën “Aro”, me shofer Fadil Zela.
Në kontrollin e banesës do të marrin pjesë këta shokë:
- Bashkim Caka, hetues
- Ferit Sula
- Kiço Petro
- Ylli Birçe
- Hasan Ulqinaku, si dhe dy dëshmitarë të pranishëm nga Këshilli Popullor i Lagjes Nr. 1. Memorie.al
ZV/DREJTORI I DREJTORISË SË HETUESISË
PELIVAN LUÇI PËLLUMB KAPO