• Breaking News
  • Politikë
  • OP-ED
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Kulturë
  • Gossip
  • Sport
  • Jetë
AlpeNews
  • 17 June, 2026
AlpeNews

Tirana, Albania

17 June, 2026
  • Breaking News
  • Politikë
  • OP-ED
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Kulturë
  • Gossip
  • Sport
  • Jetë
  • Follow
    • Facebook
    • Twitter
    • Youtube
    • Instagram
  • No categories
DOSSIER/ Si u arrestuan dhe dënuan me burg e pushkatim, 14 pjestarë të të ashtuquajturit “grupit fashist” i Zerqanit në ’46-ën
Home
Uncategorized

DOSSIER/ Si u arrestuan dhe dënuan me burg e pushkatim, 14 pjestarë të të ashtuquajturit “grupit fashist” i Zerqanit në ’46-ën

27 January, 2020 k.autor Dossier, Uncategorized

Memorie.al publikon historinë e panjohur të arrestimit dhe dënimit të 14 personave, të akuzuar si të përfshirë në “grupin fashist” të Zerqanit, në verën e largët të vitit 1946, e cila askohe bëri bujë të madhe por ka mbetur mister  deri në ditët e sotme.  Edhe pse u tha si akuzë për ta “sabotatorë të pushtetit”, ku 3 prej tyre u dënuan me vdekje dhe 11 të tjerët 142 vite burg, asnjë akt i tillë sabotazhi, nuk u bë i ditur publikisht, por në opinionin publik, arrestimi dhe dënimi i tyre, përcillej me etiketën “armiq të pushtetit popullor”.  Kaq mjaftonte në atë kohë, për të justifikuar, çdo lloj arrestimi e dënimi, për ata që ishin apo konsideroheshin, kundërshtarë të regjimit komunist, gjë e cila ishte praktikë e njohur që komunistët përdorën në fillimet e pushtetit të tyre, për eleminimin e kundërshtarëve të tyre politikë.

Nga Hysen Likdisha

Që në ditët e para të ardhjes në pushtet në nëntorin e vitit 1944, regjimi komunist i Enver Hoxhës e vazhdoi revanshin ndaj kundërshtarëve të tij politik, gjë të cilën e kishte nisur që nga periudha e pushtimit, e cila nga një Luftë Antifashiste, degradoi në një luftë për pushtet, me nuanca të Luftës Civile. Si rezultat i kësaj, në vitet 1945-1949, në kuadrin e “aksionit të çarmatimit”, u kryen reprezalje të mëdha me arrestime, internime, tortura, vrasje dhe ekezkutime, me dhe pa gjyq, kryesisht në rrethet e veriut të vëndit, atje ku rezistenca ndaj forcave komuniste partizanë kishte qenë më e fortë. Si p.sh. ekzekutimet që u bënë asokohe në Gurëz të Kurbinit, (viti 1946, ngjarja e vrasjes së Rexhë Deliut), në Shën-Kollë të Lezhës, në Mirditë (viti 1949, ngjarja e Bardhok Bibës), etj., në Qarkun e Shkodrës.

Ndërsa këto ngjarje tashmë janë të njohura, Memorie.al ka mundur të sigurojë dokumentin arkivor për një ngjarje tjetër të ndodhur në rrethin e Peshkopisë në vitin 1946, ku u arrestuan 14 persona dhe tre prej tyre u dënuan me pushkatim dhe u ekzektuan, kurse të tjerët u dënuan me vite të gjata burgu. Lidhur me këtë, në Akt-Gjykimin e të ashtuquajturit “Grupi fashist” i Zerqanit, me Nr.572 dhe Nr.192 vendimit, mbajtur më 5 gusht 1946, nga Gjykata Ushtarake e Elbasanit, gjyq i cili u zhvillua në sallën e hotel “Defrimi”-t në qytetin e Peshkopisë. Një histori kjo e shumpërfolur në atë kohë në Zerqan të Dibrës, ku më 22.06.1946, u arrestuan 14 persona, të akuzuar si “sabotatorë” të pushtetit. Në zbardhjen e këtij vendimi nga ana e gjykatës, thuhet qartë, se: anëtarët e këtij të ashtuquajturi “grup fashist” i Zerqanit, propogandonin ndër katunde, kundër pushtetit popullor, duke provuar kështu, jashtë çdo dyshimi, se arrestimi dhe dënimi i 14 personave, ishte thjesht politik, si kundërshtarë të regjimit komunist.

Nga 14 persona të arrestuar, shumica ishin banorë dhe të ardhur me punë në Zerqan, por edhe nga zona përreth si Okshtuni, Gryka e Vogël dhe Maqellara.

Akt-Gjykimi i të ashtuquajturit “Grupi Fashist” i Zerqanit 

Gjykata Ushtarake e Elbasanit, e formueme prej kapiten Qirjako Deçka kryetar, toger Elmas Ruçi, antar dhe n/toger Ali Rexha antar, tue qenë gati Prokurori Kapiten i II-të Naim Kuçi, dhe në asistencën e sekretarit Kabuli Sulo, sot me datën 5 Gusht 1946, u mblodh në sallën e Hotel “Defrimi”-t, në Peshkopi, për të gjykuar të pandehunit e arrestuem në datën 22/6/1946

Abedin Cani vjeç 34, lindur e banues në katundin Tërnovë.

Zejnel Cani vjeç 40, punëtor, lindur e banues në Zerqan

Mehmet Aliu vjeç 31, lindur e banues në katundin Sopot

Shuaip Bektashivjeç 21, lindur e banues në Zerqan, tregtar

Shefqet Ballavjeç 29, mësues feje, lindur e banues në katundin Okshtun

Ram Xhetani vjeç 55, bujk, lindur e banues në Bocevë

Bilal Halili vjeç 41, lindur e banues në katundin Homesh

Iljaz Markaj vjeç 40, lindur e banues në katundin Zogaj

Xhevat Xhidri vjeç 27, lindur e banues në katundin Kërçisht

10. Mexhit Asllani vjeç 34, lindur e banues në katundin Allaj-Begi, kapiten i zyrës së rekrutimit Zerqan.

Bukurie Muça vjeç 21, lindur në Elbasan dhe mami në Zerqan.

Islam Alliu vjeç 53, lindur e banues në katundin Strikçan

Shaqir Haxhiu vjeç 49, bujk lindur e banues në katundin Sopot.

Tufik Balla vjeç 32, mësues në Zerqan, lindur e banues në katundin Okshtun.

T’ A K U Z U E M:  Sabotatorë të Pushtetit  

G J Y K A T A: Pasi ndëgjoj; a) komunikatën e Prokurorit, b) apologjinë e të pandehunvet, c) dëshmitarët e akuzës, d) pretencën e Prokurorit, mbrojtjen e avokatvet dhe fjalët e fundit të të pandehunvet: Pasi shqyrtoj të gjitha aktet që ndodhen në dosjen relatuar, pasi bisedoj çeshtjen në fakt dhe me drejtësi:

O B S E R V O N: Se që të 14 të pandehunit të organizuar në nji grup Fashist në bashkëpunim të mgushtë janë bërë vegël qorre e kriminelave të luftës, t’arratisun Mahmut Previzit e Shemsi Hatipit dhe të tjerë.

Ky grup i udhëhequn nga nji Komitet inisjator i përbërë nga Kryetar Shefqet Balla , Sekretar Tefik Balla, Arkëtare Bukurije Muça, dhe antar efektiv Mexhit Xhemal Asllani dhe Shuaip Bektashi, kanë organizue nji punë sistematike për të rrezuar Pushtetin Popullor dhe për të shtypun popullin me regjimet satrape dhe antipopullore të Zogut.

Gjithmonë në lidhje me kriminelat e arratisun të pandehunit janë munduar të fusin në masat katundare dhe të paditun, demagogjinë e tyre trathtare dhe kanë tërhequn mbas vehtes nji seri viktimash të pafajshme. Me dhjetra janë katundarët e asaj krahine që të gynjyer nga ky komitet inisiator janë hedhun kundra pushtetit popullor.

Ky grup fashist nëpërmjet të kryetarit të tij Shefqet Balla, ka organizuar nji seri këshillash Fashiste që të propogandojshin dhe të hidhshin parrulla kundra Pushtetit Popullor ndër katunde dhe të shtojshin influencën e kriminelavet të arratisun.

Nëpërmjet të Sekretarit të grupit të pandehunit Tefik Balles, këta kanë pasun takime të shpeshta me kriminelin Mahmut Previzin, ku ndëpërmjet tij merrshin direktiva dhe veprojshin. Kjo vërtetohet fare mirë dhe në mënyrë të pa kundërshtueshme nga vetë thanjet e të pandehunit Tefik Ballës: Ku thotë se nji ditë ndër sa ishte tue ardhun prej Tirane, takon në rrugë kriminelin Mahmut Previzi, ku ky i fundit i jep nji letër të ardhun nga Tirana, e cila caktonte planin e punës që këto do të bajshin. Grupi në fjalë ka filluar punën e tij qysh tetë muaj ma parë dhe gjatë kësaj kohe kanë bërë nji aktivitet të gjanë propagasndistik. Kanë ndihmuar në ndihma të konsiderueshme, në të holla, veshë-mbathje, kafe dhe sheqer kriminelat e arratisun Mahmut Previzi dhe bandën e tij, dhe e kanë strehuar mbrenda në Zerqan me koshiencën ma të madhe duke i mbrojtun më së miri.

Vetë të pandehunit deklarojnë para gjyqit se kanë strehuar kriminelat i kanë furnizuar dhe kanë patun lidhje të ngushta me ata. Komiteti inisjator ka pasun nji plan veprimi të caktuar dhe bante mbledhjet e tij të rregullta në krye të çdo 10 ditëvet ku shtrohesh nga të pandehunit Shefqet Balla dhe Tefik Balla situata politike e mbrendëshme dhe e jashtëme, e cila si pas mendjes së tyne ishte në favor të grupit në fjalë. Të pandehunit me demagogjinë e tyne, inspirojshin antarët e këtij grupi, të hidheshin në aktivitet të gjanë të grumbullojshin forca të reja rreth bandës të kriminelit Mahmut Previzit, dhe kështu të hidheshin n’aktivitet dhe aksjone të mëdhaja kundra pushtetit popullor, duke rrëzuar këtë me forcë.

Nëpërmjet të korjerëvet të tyne, Islam Alliut, vegël qorre e kriminelit Mahmut Previzit, Zejnel Canit, Ram Gjetës dhe të tjerë. Ky komitet ka qenë i lidhun ngushtë me kriminelët e arratisun Fiqiri Dinen e Hysni Demën, ku mirrte, dhe çonte direktiva dhe vepronte në këtë drejtim. Në këtë komitet inisjator gjejmë nji grup elementash armik të tërbuar të pushtetit popullor të cilët gjithë jetën e tyne e kanë të pëlqyer në trathti. I pandehuni Mexhit Xhemal Asllani, antar efektiv i komitetit inisjator, i cili ka hyrë kontraband në radhët e Ushtris tonë. Ky bastard i rracës t’one kreshnike, ky element dallaverexhi, kjo dhelpër dinake mundi të hyje në rradhët t’ona dhe të sulmoje nga mbrenda pushtetin t’one.

I pandehuni duke përfituar nga zemërgjërësia e Frontit Demokratik, i njifet e drejta e gradës qi ka patun në kohën e okupacjonit, i jepet besim nga pushteti popullor dhe vihet në shërbim me gradën Kapiten në zyrën e Rekrutimit të Zerqanit. Kjo vegël qorre e kriminelit Fiqiri Dine, në kundërshtim flagrant me betimin solemn të Oficerit të Ushtris Komtare, betim i cili simbolizon vullnetin e patundun të Ushtarit të Republikës Popullore për ta mbrojtun me gjak ç’ka fitoj me gjak. I pandehuni i kushtohet me energji aktivitetit të tij trathtarë në gji të organizatës duke marrë pjesë si nji antar ma kryesor dhe ma aktiv në komitetin inisjator.

E pandehuna Bukurije Muça, antare e grupit trathtare ka derguar vazhdimisht nëpërmjet të korjerit të grupit, ndihmat e mbledhuna nga komiteti inisjator, si dhe antarvet të tjerë të kësaj organizaate trathtare gjithe ashtu ka marrë kontakte edhe vetë personalisht me kriminelin Mahmut Previzi, nga i cili ka marrë udhëzime dhe e ka vënë në korent të situatës jashtëme dhe të mbrëndëshme. Nga deponimet e saj të qarta dhe pa asnjë reserve, rezulton se të gjithë të pandehunit dhe me në krye komitetin drejtonjës, ku bënte pjesë edhe vetë e pandehuna, kanë zhvilluar nji veprimtari axhitative në popull, duke hedhun parrulla gjithë farë llojëshme, njikohësisht duke e paraqitun situatën ndërkombëtare në favor të reaksjonit. Po ashtu simbas deponimeve të të pandehunës, ky grup nëpërmjet të të pandehunit Shuaip Bektashit, antar aktiv i organizatës, mbante kontakte të rregullta me nji grup anti-demokratik të Dibrës së Madhe.

I pandehuni Islam Alliu, të cilin e lidhin relacjone familjare me kriminelin Mahmut Previzin, ka lozun rolin e informatorit ma besnik të grupit, jo vetëm kaqe, por ka strehuar dhe rregulluar baza të sigurta kushurinit të tij Mahmut Previzit dhe Shemsi Hatipit, duke i njoftuar ata vazhdimisht mbi ç’do lëvizje të repartevet ndjekëse. Gjithashtu të pandehunit Zejnel Cani dhe Mehmet Ali Topi, me koshiencë trathtare të vendosun kanë zbatuar me përpikni të gjitha urdhnat e organizatës Zerqanit, duke transportuar ushqime, dhe veshe-mbathje dhe të tjera kriminelavet të arratisun.

I pandehuni Xhevat Xhidra, antar efektiv i organizatës trathtare të Zerqanit, gjatë zhvillimit të gjyqit u mundua të lozi rolin e nji naive, duke paraqitun vehten të pa përlyer në këtë organizatë. Kjo gjykatë ka bindjen e plotë duke u mbështetun edhe në deponimet e të pandehunës Bukurie Muçës e të tjerëve, se i pandehuni jo vetëm qi asht antar i kësaj organizate, por asht nji nga antarët ma aktiv dhe nxitës për organizimin sa ma të plotë të këtij grupi terrorist.

I pandehuni Ram Xhetani dhelper plakë dhe i rafinuar e reaksjonit, ka patun detyrën e antarit të këshillit ilegal të katundit të tij dhe si i tillë ju ka sjellun shërbime të dukshme kriminelavet Hysni Dema dhe Fiqiri Dines, duke pasun pseudonimin “Flutureci”.

I pandehuni Shaqir Haxhiu gjatë okupacjonit në bashkëpunim me trupat okuponjëse Italo-Gjermane, ka marrë pjesë në luftime kundra partizanëve, ka penguar në çdo mënyrë zgjerimin e rezistencës, ka marrë pjesë në grabitjet e Llokmës Maqedoni, së bashku me Uk Camin, të gjitha këto i pandehuni si mas deponimevet të të vetë të pandehunit. Mbas çlirimit të Shqipnise i pandehuni asht takuar me kriminelin e luftës, Shemsi Hatipin dhe Mahmut Previzin në malin Kider të Tërbaçit, të cilëvet u premtoj strehim dhe furnizim.

I pandehuni Bilal Halili gjatë okupacjonit ka udhëhequn Italjanët në operacjonet, ka bashkëpunuar me gjermanët në sulmime kundra Divizjonit I-re S. Edhe mbas çlirimit i pandehuni mban lidhje të ngushta me Hysni Demën e Fiqiri Dinen dhe din gjithë bazat e tyne.                                                        – I

I pandehuni Iljas Markaj, Toger gjatë okupacjonit gjerman, ka marrë pjesë në luftime kundra Ushtris N.ÇL. në Dibër të Madhe dhe ka qendruar në prehën të okupatorit deri në çlirimin e plotë të Shqipnise. Mbas çlirimit ka mbajtun qendrim  anti-popullor duke përkrahun kriminelet e luftës të arratisun ku ka axhituar në popull kundra pushtetit.

I pandehuni Abedin Cani, si mbas deponimevet të tij të bëra para gjyqit ka strehuar dhe furnizuar me koshjencën ma të madhe kriminelat e arratisun Mahmut Previzin, Bajazit Previzin dhe Shemsi Hatipin.

Përfundimisht konkludohet;-se të gjithe të pandehunit në mënyra të ndryshme kanë sabotuar punën ndërtimtare dhe krijonjëse të pushtetit tonë popullor, duke derdhun helm dhe vrerë si edhe duke zhvilluar nji veprimtari të gjallë kundërshtare për ta përmbysun me armë Pushtetin tonë popullor. Veprimtarija e të pandehunvet provohet në mënyrë bindëse dhe të pakundërshtueshme nga proçess-verbali i mbajtun nga Seksjoni i Sigurimit Shtetit, nga deponimet e tërthorta të vetë të pandehunvet, të bëra para gjyqit, si dhe nga deponimet e drejta dhe pa asnji rezervë të të pandehunës Bukurije Muça.

Fajsija e të gjithë të pandehunvet e provon fare qartë aktivitetin dhe puna që kanë kallzuar këta trathtarë të regjun të pushtetit popullor. E dëshmojnë këshillat trathtare që kanë krijuar nëpërmjet të Kryetarit të tyne Shefqet Ballës nga katundi Okshtun, në katundet Zabzun, Borovë, Selishtë dhe Okshtun, e kallzojnë ndihmat e nji pas njishme, si financjare ashtu dhe materjale që ju kanë dërguar kriminelavet të luftës, gjithashtu dhe deponimet e bëra para gjyqit të të pandehunit  Tefik Ballës, Islam Alliut, etj.

Me qenë se fajsija e të pandehunvet parashikohet dhe ndëshkohet prej nenit 1 të ligjës Nr. 21, datë 15/XII/1944 mbi sabotatorët e pushtetit botue në fletoren zyrtare Nr.2 datë 23/XII/1944

Prandaj trupi gjykues bashkërisht dhe pjesërisht në kundërshtim me kërkesën e Prokurorit

 V E N D O S I: Dënimin e të pandehunvet Shefqet Ballës, Tefik Ballës nga katundi Okshtun dhe Mexhit Xhemal Asllanit, nga katundi Allaj-Begi me Vdekje, humbjen e përhershme të të drejtavet qytetare dhe politike dhe konfiskimin e pasunis të tyne të tundëshme dhe të patundëshme, për të pandehunin Mexhit Xhemali degradim i tij nga grada kapiten me ceremoni Ushtarake.

Shuaip Bektashi e Islam Alliu me nga 30 vjet Burg. Xhevat Xhidra, Zejnel Cani dhe Ram Xhetani me nga 15 vjet burg.  Mehmet Ali Topi dhe Shaqir Haxhiu me nga 10 vjet burg, humbjet e të drejtavet qytetare dhe politike të tyne baras me kohen e ndëshkimit të tyne si dhe konfiiskimin e pasunis së tyne të tundëshme dhe të pa tundëshme. Abedin Cani, Bilal Halili dhe Bukurie Muթa me nga 5 vjet burg, humbjet e të drejtavet qytetare dhe politike baras me kohen e ndëshkimit të tyne. Iljas Markaj me 2 vjet burg humbjen e të drejtavet qytetare dhe politike baras me kohen e ndëshkimit të tij.

Ky vendim për të pandehunit Shefqet Balla, Tefik Balla dhe Mexhit Xhemali Asllanit, aaktet i paraqiten për shqyrtim dhe aprovim Gjykatës Nalt Ushtarake konform nenit 31 të ligjës Nr. 41 datë 14/I/1945, mbi organizimin dhe funksjonimin e gjykatave Ushtarake.

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article ALFRED PEZA/ Garancia e Merkel dhe daullet e tellallëve të Tiranës!
Previous article A SHTOJMË PESHË NGA BUKA E BARDHË? Ja cilat janë gënjeshtrat që i besojmë të gjithë

k.autor

Postime të ngjashme

DOSSIER/ “Lidhja e Prizrenit lindi nga lufta ruso-turke e motit 1877-’78, pasi Rusia fitimtare po përgatiste copëtimin…” Shkrimi i panjohur i Mid’hat Frashërit në 1928-ën Dossier

DOSSIER/ “Lidhja e Prizrenit lindi nga lufta ruso-turke e motit 1877-’78, pasi Rusia fitimtare po përgatiste copëtimin…” Shkrimi i panjohur i Mid’hat Frashërit në 1928-ën

DOSSIER/ “Përballë këtyre vështirësive, Konferenca e Londrës e shtyu vendimin përfundimtar për statusin e Shqipërisë..." Ana e panjohur e Konferencës së Londrës e 1913-ës Dossier

DOSSIER/ “Përballë këtyre vështirësive, Konferenca e Londrës e shtyu vendimin përfundimtar për statusin e Shqipërisë..." Ana e panjohur e Konferencës së Londrës e 1913-ës

DOSSIER/ “’Arkitektura e kishave në shekujt VII–XV’!" Një ditë në studion e ish-kryeministrit të Shqipërisë, Aleksandër Meksi Dossier

DOSSIER/ “’Arkitektura e kishave në shekujt VII–XV’!" Një ditë në studion e ish-kryeministrit të Shqipërisë, Aleksandër Meksi

Facebook Comments

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

  • Breaking News
  • Politikë
  • OP-ED
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Kulturë
  • Gossip
  • Sport
  • Jetë
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të Drejtat e Rezervuara
KONTAKT