Plot 55 vite më parë,…lindi “Shkëndija”! Kush ishin futbollistët që i dhanë tonin kampionatit kombëtar, për më shumë se një dekadë?-
Memorie.al / Ata e luanin futbollin si artistë dhe hynë si një fllad në Kampionatin Kombëtar të vitit 1971 – ‘72. Një ekip i panjohur për publikun, por që shumë shpejt fitoi simpatinë e futbolldashësve në të gjithë Shqipërinë. U quajt Klubi i Futbollit “Shkëndija”. Përbëhej nga studentë nga i gjithë vendi, që kishin kaluar nga Shkolla e Mesme e Mjeshtërisë Sportive, në Institutin e Lartë të Kulturës Fizike “Vojo Kushi” të kryeqytetit Tiranë.
Shkolla e Mjeshtërisë Sportive, u hap në janar të vitit 1968, në Tiranë. Talente nga e gjithë Shqipëria, merrnin pjesë në një proces seleksionimi. Ata që e kalonin me sukses, hynin në shkollën e mesme dhe bëheshin pjesëmarrës të ekipit të të rinjve “Shkëndija”. Pas mbarimit të shkollës së mesme, ata kalonin automatikisht në shkollën e lartë. Disa nga emrat më të shquar të futbollit shqiptar në fushën e trajnimit dhe teorisë së futbollit, dhanë kontributin e tyre për ngritjen e këtij ekipi.
“Në ndeshjen me ‘Dinamon’ në ‘Qemal Stafa’, arbitri s’më lejoi të luaja dhe më qethi Ali Kastrati në korridor, me gërshërët që priste…”/ Dëshmia e rrallë e ish-lojtarit të “Partizanit” dhe Kombëtares, në vitet ’80-të
Zyber Konçi, Shyqyri Reli, Osman Caslli, Skënder Dedja, Myslym Alla, Bahri Ishka, Miço Ndini, Saimir Dauti, Thanas Jançe, Theodhori Gjikuria, Aurrel Vërria, Ramadan Shehu, Leonidha Dashi, Adem Agovi, Petraq Ikonomi, Milto Gurma, Besnik Çela, Dashamir Gëzdari, Edmond Zalla, Bujar Kasmi, Mehmet Spahiu, Petrit Haxhia, Skënder Sinani, Astrit Maci, Luan Maliqi, Genc Misha, Kristaq Eksarko, etj.
Ajo mund të konsiderohet si një nga “fabrikat” më prestigjioze të përgatitjes së futbollistëve në historinë e futbollit tonë. Në atë periudhë të masivizimit dhe të mbështetjes së futbollit nga shteti, kjo ishte një përpjekje shumë pozitive e ndërmarrë nga teknikët e specialistët e futbollit, për rritjen e cilësisë së tij. Dhe nuk ishin gabuar. Frutet e punës së tyre u dukën shumë shpejt.
Në sezonin 1970-’71, ata arritën objektivin madhor, duke u shpallur Kampionë Kombëtar të Kategorisë II-të dhe si rezultat në sezonin 1971-‘72, ekipi “Shkëndija”, u bë pjesëmarrës i Kampionatit Kombëtar të Kategorisë I-rë. Ishte një brez shumë i talentuar futbollistësh, ku lojtari me moshë më të madhe, nuk i kalonte 23 vjeç.
Në pjesëmarrjen e tyre të parë, në nivelin më të lartë të futbollit kombëtar, ata dhuruan futboll cilësor e ndeshje shumë të bukura, duke u klasifikuar në vendin e 7-të. Një rezultat shumë i mirë për kohën. Në këtë sezon, arritën dhe një nga rezultatet më befasuese të kampionatit, duke mundur “Partizanin”, me rezultatin 2-1.
Ekipi futbollit “Shkëndija”, mori pjesë në mënyrë të pandërprerë në nëntë sezone të Kampionatit Kombëtar të Kategorisë I-rë, duke pasur në përgjithësi renditje të mira në tabelën e klasifikimit. Rezultati më i mirë, ishte ai i sezonit 1973-‘74, kur u renditën në vendin e 6-të dhe lanë pas ekipe me shumë traditë në futbollin shqiptar. “Aventura” e tyre e bukur, do të përfundonte në sezonin 1979-’80-të, kur u renditën në vendin e 13-të, duke lënë pas vetëm “Apolloninë” e Fierit.
Duke qenë se dy ekipet e fundit zbrisnin në Kategorinë e Dytë, “Shkëndija”, largohet kështu nga Kategoria e Parë, pas një periudhe të gjatë 9-vjeçare, për t’u rikthyer për here të fundit në sezonin 1985-‘86. “Shkëndija” e atyre viteve do mbahet mënd gjatë, pasi la në kujtesën e futbolldashësve, talentin e madh të futbollistëve të saj, lojërat e tyre të bukura, si dhe freskinë që i sollën kampionatit tonë kombëtar, nga më të rëndësishmit e gjithë sportit shqiptar.
Pas mbarimit të shkollës, djemtë më të talentuar që u aktivizuan me ekipin “Shkëndija”, u kthyen në qytetet prej nga kishin ardhur dhe ata luajtën me shumë sukses me ekipet e Kategorisë së Parë, me Kombëtaren apo dhe me ekipin përfaqësues “Shpresa”, nën 21 vjeç. Pra, në më pak se 15 vite, trajnerët e talentuar të sipërpërmendur, përgatitën breza shumë të talentuar futbollistësh, disa prej të cilëve u bënë emra të mëdhenj të futbollit shqiptar.
Si p.sh.; Vasillaq Zëri, Astrit Hafizi, Leonidha Çurri, Milto Gurma, Sulejman Mema, Ferid Rragami, Petrit Gjoni, Vladimir Ajazi, Agim Arkaxhiu, Bajram Hushi, Xhorxh Puka, Ilir Luarasi, Gjergji Ballço, Fatmir Paçrami, Fisnik Kosova, Agron Sulaj, Arjan Hoxha, Agim Bulku, Dashnor Bajaziti, Edmond Miha, Edmond Gëzdari, Agustin Kola, Mustafa Fagu, Sulejman Starova, Edmond Zalla, Dashamir Gëzdari, Besnik Çela, Halit Gega, Luan Deliu, Petrit Hyseni, Ardian Arra, Pandi Sare, Kristaq Eksarko, Adriatik Faqekuqi, Luan Metani, Bashkim Koka, Polikron Sevo, Skënder Hodja, Kristaq Mile, Theodhori Arbëri, Shkëlqim Kurti, Josif Gjergji, Ismail Zinxhiria, Eduard Zhupa, Artan Sako etj., etj.
Nuk e di nëse kjo mënyrë organizimi do të ishte e pranueshme e do t’i rezistonte kohës së sotme, por ishte një model suksesi që mund të na kishte shërbyer. Institucionet drejtuese dhe specialistët e futbollit, duhet të kishin gjetur një formë për të projektuar të ardhmen e futbollit të të rinjve, si dhe për stërvitjen e futbollistëve të rinj të talentuar.
Modelet nuk mungojnë. Një prej tyre është ai francez, i njohur si (INF) ‘Instituti Kombëtar i Futbollit Clairefontaine’. Një nga qendrat më të njohura të këtij lloji në botë, që është marre si model nga shume federata në të gjithë botën.
‘INF’, është Akademia e Federatës Franceze të futbollit e ngritur në vitin 1988 dhe e specializuar në stërvitjen e futbollistëve të talentuar francezë. Akademia është një nga qendrat elitare, të shpërndara në gjithë territorin francez.
Aty janë stërvitur disa nga futbollistët më të talentuar, duke përfshirë Nicolas Anelka, Louis Saha, Ëilliam Gallas, golashënuesi më i mirë i kombëtares franceze, Thierry Henry, si dhe Mbappe.
“Akademia – thotë Arsène Wenger – nuk është një vend vetëm për stërvitjen por, shërben dhe si një qendër për analizimin e tendencave të zhvillimit të futbollit të së ardhmes, pra dhe një qendër kërkimore”.
Ku jemi sot? Përse ekipi i të rinjve është i mbushur me shume futbolliste, të cilët nuk janë stërvitur dhe formuar ne Shqipëri por, në akademitë e Europës? Për të qenë sa më i qartë, që në fillim dua të them; se nuk jam kundër që të thërriten futbollistët më të talentuar, që kanë lindur jashtë vendit, por gjithnjë, mbasi ne të kemi bërë mirë detyrat e shtëpisë.
Për këtë arsye, mendoj se në ekipet kombëtare të të rinjve, duhet të luajnë kryesisht fëmijët që stërviten në Shqipëri dhe që prindërit paguajnë për formimin e tyre.
Të marrim fëmijë dhe të rinj nga jashtë, është rruga më e shkurtër, për të përgatitur futbollistët e ardhshëm për Kombëtaren, por duke dëmtuar futbollin e vendit dhe ndërtimin e të ardhmes afatgjatë, të futbollit shqiptar.
Ajo çmotivon trajnerët dhe futbollistët e rinj që stërviten në Shqipëri dhe i detyron prindërit, t’i largojnë fëmijët e tyre, në moshë shumë të re, për t’u stërvitur jashtë vendit, duke dëmtuar gjithashtu edhe edukimin e tyre të përgjithshëm.
Aktivizimi në ekipet kombëtare të të rinjve, i fëmijëve të lindur jashtë vendit, me prindër shqiptarë, jo gjithmonë mund të justifikohet me faktin që janë të talentuar dhe mund t’i marrin federatat e vendeve të tyre.
Kur të rriten, ata që kanë cilësinë dhe dëshirën për të luajtur për Kombëtaren, e kanë derën të hapur, por një Kombëtare e mbushur me futbollistë që nuk kanë lindur dhe nuk janë formuar në Shqipëri, nuk tregon nivelin real të futbollit tonë.
Është një Kombëtare virtuale. Dua të theksoj se detyra kryesore e një federate kombëtare, nuk është kualifikimi i Kombëtares në finalet e një Kampionati Europian, apo Botëror por, në radhë të parë, zhvillimi i futbollit kombëtar dhe Kombëtarja, duhet të jetë rezultati i kësaj pune. Memorie.al