Është një nga të dënuarit me më shumë vite burg të regjimeve komuniste në mbarë botën. Me gjithë torturat dhe mundimet, ai nuk u mposht kurrë.
Shfaqi në çdo formë rezistencën e tij që kulmoi në revoltën e Spaçit, më 21-23 maj 1973, ku ishte një nga organizatorët. Historia e një jete jashtë së imagjinueshmes
Pasi u arrestua në moshën 24 vjeç, Sami Dangëllia, nuk jetoi më asnjë ditë si i lirë. Diktatura e arrestoi. Pastaj e riarrestoi. Pastaj e riarrestoi edhe një herë. Ai nuk mundi të dalë i gjallë nga qelia. Nuk mundi të veshë mbi trupin e drobitur një rrobë tjetër veç asaj të burgut që e kishte mbajtur për 38 vjet. Pasi ndërroi jetë, policët e tërhoqën zvarrë, siç kishin bërë edhe kur ishte gjallë, vetëm se atëherë, bashkë me kockat, lëkurën dhe rrobat e burgut, tërhiqnin dhe një shpirt që nuk u nënshtrua kurrë dhe tani nuk mund të nënshtrohej më.
Sami Dangëllia u arrestua në fund të vitit 1944 sepse kishte luftuar për gati një vit me forcat e Ballit Kombëtar. Në tetor të vitit 1945, Gjykata Ushtarake e Korçës dha për të riun e lindur në fshatin e Menkulasit, dënimin me burgim të përjetshëm. E çuan nga burgu i Korçës ku e mbajtën pas arrestimit, në Burrel. Në vitin 1954, pas ndonjë amnistie, u lirua duke dalë nga Burgu i Burrelit, ndryshe nga ç’thuhej për këtë burg dhe u dërgua në Shtyllas të Fierit si i internuar.
Shtëpinë e pasurinë e familjes ia kishin sekuestruar. Atij nuk i mbetej asnjë mundësi tjetër veçse ta shtynte jetën me punën e rëndë të bujqësisë, jo në burg, por përsëri i izoluar, ndaj pas pesë vitesh, të vetmet gjatë gjithë kësaj periudhe që nuk i kaloi në burg, vendos të arratiset. Nuk shkon dot më larg sesa fshati Nikolicë i Korçës, ku arrestohet për herë të dytë.
Donte të shkonte te daja në Amerikë. Kishte me vete adresat e të afërmëve në kontinentin e largët, katër kilogramë biskota dhe me siguri shumë ëndrra. Gjykata Ushtarake e Tiranës e dënoi me 25 vjet burg. Edhe me konfiskim pasurie, por u verifikua që ai nuk kishte asnjë lloj pasurie. Ngaqë nëpër dokumentet e përmbarimit nuk shënohen ëndrrat që Sami Dangëllisë iu konfiskuan ditën kur u arrestua.
E megjithatë, sado e pashpresë të ishte bërë jeta për të, ai nuk u dorëzua. Iu rikthye uniformës së burgut, qelive, punës së rëndë, trajtimit çnjerëzor të gardianëve, kushteve mizerabël. Është një përvojë që të ndryshon jetën nëse kalon edhe pak stinë të vitit në burg, por Sami Dangëllia, ishte i dënuar të kalonte stinë të jetës. Në Burrel, ku e çuan sërish, i vunë nofkën “gjyshi”. Pas ca kohe, e transferojnë në Spaç.
Ishte mbi 50 vjeç kur në burgun e Spaçit shpërtheu revolta e majit të vitit 1973. Sami Dangëllia ishte një nga protagonistët e saj. Pjesë e zemrës së asaj revolte që nxiti zemrat dhe zërat e rreth një mijë të burgosurve, të thërrisnin kundër pushtetit dhe komunizmit dhe të kërkonin të drejtat e tyre të shkelura me këmbë. Ditët e revoltës janë quajtur si ditë lirie në burgun e Spaçit, një lirie të rrëmbyer me një guxim të paimagjinueshëm nga duart e tyre që e shtypnin pa mëshirë. Për Samiun ato do të ishin të fundit ditë lire të jetës.
Pas revoltës, ai u gjykua bashkë me organizatorët e tjerë dhe u dënua me 25 vjet të tjerë burg. Nëse do të kishte ndonjë pasuri, dënimi shabllon edhe i kësaj here, do ia konfiskonte, por Sami Dangëllisë nuk i kishte mbetur pasuri jashtë burgut. Ia kishin konfiskuar një herë dhe pastaj nuk e kishin lënë ta ndërtonte. Gjithçka që ai zotëronte, ligjërisht të paktën, ishin paratë e fituara nga puna e rëndë në minierë, ku rropatej sepse nuk kishte asnjë të afërm që ta ndihmonte: një vëlla, Enverin, e kishin pushkatuar, pasi e kishin kapur në kufi, vëllanë tjetër Demirin e kishin dënuar me 15 vjet burg; një motër që kishte jashtë, kishte humbur bashkëshortin në burg dhe megjithëse shkonte ta takonte rregullisht, ç’mundësi kishte për ta ndihmuar! Megjithatë, edhe ato pak para të fituara me shpirt në dhëmbë, do të sekuestroheshin sipas vendimin nr.1 të Gjykatës së Lartë në gjyqin e jashtëzakonshëm të mbajtur në Spaç, ku katër veta u dënuan me pushkatim dhe rreth 60 me dënime të ndryshme, ku Sami Dangëllia ishte ndër ata me dënim më të gjatë.
Djaloshi i burgosur 24 vjeç, mbushi 60 vjeç në burg. Në fund të jetës, por jo ende të dënimit, e çojnë në kampin e Shën Vasilit, ku ai sëmuret dhe ndërron jetë në moshën 67-vjeçare. Sipas disa dëshmive, Samiu u la të vuante i sëmurë për tri ditë pa u dërguar në spitalin e Sarandës, vetëm pak kilometra larg. Jeta e tij nuk i ishte dhimbsur kurrë përfaqësuesve të regjimit. Ai do të shuhej në burg, ku jetoi për 38 vjet që bashkë me 5 vitet e internimit, formojnë një dënim prej 43 vitesh.
Emri i tij mund të kthehej në një fjalë që shpreh dënimin e gjatë, një jetë të burgosur nga pushteti. Një gjysmëlegjendë. Një personazh folklori. Ngaqë është e vështirë të perceptohet si e vërtetë.