Tre muaj pas çlirimit, Shqipëria nuk kishte themeluar ende një Gjykatë, por Këshilli Nacional Çlirimtar kishte firmosur që më 15 dhjetor 1944 ngritjen e të parit Gjyq Special, i cili nxori në bankën e të akuzuarve 60 nacionalistë, kundërshtarë potencial të komunizmit, të akuzuar si kriminelë lufte, edhe pse Shqipëria ende nuk kishte ligj për krimet e luftës.
Procesi gjyqësor do zhvillohej në 31 seanca, nga 1 marsi deri në 13 prill 1945. Në vendet e trupit gjykues ishin ulur 9 drejtues komunistë.
Kryetar i i gjyqit ishte emërua Koçi Xoxe (teneqexhi, me 5 klasë shkollë), ndërsa anëtarët e trupit gjykues ishin: Hysni Kapo, Beqir Balluku, Hajdar Aranitasi, Gaqo Boboshtica, Medar Shtylla; Faik Shehu; Halim Budo dhe Gaqo Floqi. Prokuror i Gjyqit ishte Bedri Spahiu. Më 10 mars 1945, u emëruan si ndihmësgjyqtarë të Gjyqit Special edhe Bilbil Klosi, Gjon Banushi dhe Haki Toska.
Pas 31 seancave me 13 prill 1945 u shpall vendimi i këtij gjyqi. Në këtë foto të Agjencisë telegrafike shqiptare shafqet Koçi Xoxe në momentin teksa lexon vendimin e gjyqit për 60 të akuzuarit. Në fillim lexon 17 dënime me vdekje:
Aqif Përmeti (politikan, ish-ministër)
Bahri Omari (politikan, ish-ministër)
Beqir Valteri (deputet, antizogist)
Daut Çarçani (prefekt)
Dik Cami (zogist, ushtarak)
Fejzi Alizoti (nënshkrues i Shpalljes së Pavarësisë, disa herë ministër)
Gustav Mirdashi (ish-ushtarak austriak, oficer i lartë i ushtrisë shqiptare)
Hilmi Leka (politikan, ish-ministër)
Ismail Golemi (ushtarak, ballist)
Javer Hurshiti (nëpunës, ish-ministër)
Kolë Tromara (politikan, ish-ministër)
Kostandin Kota (ushtarak, ish-ministër)
Reshit Merlika (deputet, I afërm i Mustafa Merlika Krujës)
Shyqyri Borshni (ushtarak)
Tahsim Bishqemi (ushtarak)
Terenc Toçi (patriot romantik arbëresh, jurist, politikan)
Zef Kadarja (nëpunës karriere, drejtor i Zyrës Sekrete, drejtor i përgjithshëm i Policisë)
Të 17 të dënuarit me vdekje do të shihnin për herë të fundit këtë sallë kinemaje ku regjimi komunist po luante të parën tragjedi të stilit sovjetik për publikun e gjerë.
Dy ditë pas këtij vendimi 17 të dënuarit me vdekje do të pushkatoheshin pranë Kodrës së Priftit në Tiranë.
Të dënuarit e tjerë, pjesa dërrmuese me burgime të gjata do të linin jetën qelive të errëta e në vuajtje të shumta…
Ky gjyq shënoi veç të tjerash, stacionin e parë të një serie të gjatë e të pandalur të gjyqeve ndaj kundërshtarëve të regjimit komunist, që zgjati gati gjysmë shekulli.(Kujto.al)


