Pas dëshmive të saj, udhëheqja e lartë e PPSh-së me në krye Enver Hoxhën, Ramiz Alinë dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Hekuran Isain, të cilët ishin ideatorët kryesorë të atij procesi dhe videos që iu server shqiptarëve me dëshmitë e Fiqrtet Shehut, mendonte se do të mbylleshin të gjitha dyshimet për vetëvrasjen e ish-kryeministrit Mehmet Shehu. Por shpejt, njerëzit do fillonin të flisnin nën zë dhe të vinin në diskutim deklaratat e saj, duke menduar se ajo po përsërite çfarë i diktonin hetuesit dhe njerëzit e Sigurimit. Ndërkohë, lindën hipotezat e para, sipas të cilave, Fiqiretja ishte e detyruar që të bënte gjithçka, me qëllim që të shpëtonte pjesën tjetër të familjes, fëmijët.

 Vijon nga numri i kaluar

 Vendimi i trupit gjykues

Trupi gjykues, gjatë gjykimit të çështjes, dëgjoi shpjegimet e secilit të pandehur, thëniet e shumë dëshmitarëve, administroi drejtpërdrejtë akt-ekspertizën, dokumente dhe prova të ndryshme materialo-shkencore, si dhe dëgjoi bisedimet e fundit, gjatë të cilave:

Prokurori kërkoi të deklarohen fajtorë të pandehurit për krimet që akuzohen dhe, në bazë të dispozitave ligjore që parashikojnë këto krime, përfundimisht të dënohen:

– E pandehura Fiqirete Shehu me 25 vjet heqje të lirisë,

– I pandehuri Llambi Ziçishti me vdekje,

– I pandehur Nesti Naste me 22 vjet heqje të lirisë,

– I pandehuri Skënder Shehu me 15 vjet heqje të lirisë.

Kurse në fjalën e mbrojtjes, të katërt pranuan fajësinë e tyre për krimet e akuzuara, deklaruan se janë penduar thellë dhe kërkuan dënim më të butë.

Trupi gjykues, duke u bazuar në faktet dhe rrethanat e çështjes:

VËREN:

Nga gjykimi rezultoi plotësisht e provuar akuza në ngarkim të pandehurve, anëtarë të organizatës kundërrevolucionare të kryesuara nga armiku-poliagjenti Mehmet Shehu. Ata në mënyrë të organizuar e të vazhdueshme, për një kohë të gjatë kanë zhvilluar veprimtari kundër RPSSH-së dhe PPSH-së, duke synuar të likuidonin me dhunë diktaturën e proletariatit dhe socializmin, të vendosnin diktaturën fashiste, borgjezo-revizioniste dhe të restauronin një rend kapitalist në Shqipëri.

Të pandehurit Fiqirete Shehu, Llambi Ziçishti dhe Nesti Naste, në bashkëpunim me armiqtë e tjerë dhe nën drejtimin e tradhtarit, terroristit dhe sabotatorit Mehmet Shehu, duke shfrytëzuar edhe postet shtetërore, kanë vepruar për të minuar sigurimin e jashtëm, kanë zhvilluar veprimtari terrori, kanë sabotuar në fusha të ndryshme të veprimtarisë shtetërore, kanë propaganduar kundër Partisë e shtetit shqiptar.

Veprimtaria armiqësore e të gjithë këtyre tradhtarëve të drejtuar nga poli-agjenti Mehmet Shehu, e lidhur ngushtë dhe përbën një të tërë me gjithë veprimtaritë armiqësore, duke filluar nga armiqtë Koci Xoxe, Nako Spiro, Sejfulla Malishova, Liri Belishova, etj., e deri tek grupet armiqësore të kryesuar nga Beqir Balluku, Abdyl Këllezi, Fadi Paçrami etj.

Duke u mbështetur në të gjitha provat e administruara gjatë shqyrtimit të çështjes, gjykata arrin në përfundim se; e gjithë veprimtaria e tyre, paraqet në vetvete veprimtari plotësisht të organizuar, me karakter të qëndrueshëm, e cila udhëhiqej nga pikësynime të caktuara, veprimtari e zhvilluar në bazë të një plani të përbashkët.

Nga dokumentet dhe deponimet vërtetohet se që në vitet ’30-të, Zbulimi Amerikan rekrutoi si agjent, ndër të tjerë dhe Mehmet Shehun. Për të rritur kredon politike dhe për të krijuar kushtet që të depërtonte në lëvizjen revolucionare, agjentura amerikane, dërgoi atë për studime ushtarake në Itali, më pas në luftën e Spanjës, si gjoja luftëtar antifashist. Kjo agjenturë, së bashku me inteligjencën angleze, e kthyen Mehmet Shehun në Shqipëri në kohën kur shpërthente e fuqishme, flaka e luftës antifashiste Nacionalçlirimtare.

Por, ndërsa populli ynë derdhte gjak për lirinë e vendit, ata përpiqeshin ta sabotonin. Në krye të përpjekjeve, ishin anglo-amerikanët. Me këto u bashkua dhe revizionizmi jugosllav, sepse ata kishin kaptuar në krye të partisë jugosllave, Titon.

Emisarët titistë në Shqipëri, nisën të rekrutojnë në shërbim të zbulimit jugosllav (OZNA e atëhershme, UDB e sotme) disa nga kuadrot kryesorë si; Mehmet Shehun dhe Fiqirete Shehun, e të tjerë, të cilët u përpoqën të krijojnë kushte që Shqipëria të shndërrohej në një vend i varur nga Jugosllavia.

Agjentët jugosllavë, sidomos Mehmet Shehu dhe Fiqirete Shehu, Liri Gega, luajtën një rol të poshtër prapa shpinës së partisë, duke përdorur terrorin dhe duke mbajtur qëndrime sektare, me qëllim që të godisnin, diskreditonin e të shkëpusnin popullin nga Partia Komuniste.

Sipas detyrës së caktuar të Anglo-Amerikanëve, Mehmet Shehu vuri në rrezik Shtabin e Përgjithshëm, gjatë operacionit gjerman të dimrit në vitin 1943-1944, u përpoq të pengonte kalimin e Divizionit të Parë në veri dhe asgjësimin e plotë të ushtrisë gjermane në Tiranë e, të bandave të Abaz Kupit me shokë.

Poli-agjenti Mehmet Shehu, ka vepruar me synim që, pas luftës në Shqipëri të vendosej rendi borgjez, ku në krye të ishin kapitalistët e shfrytëzuesit. Qartë pasqyrohej ky qëllim në të ashtuquajturin “program politik”, të përgatitur 40 vjet më parë dhe u gjet në kasafortë pas vetëvrasjes. Ky program është i përqafuar edhe nga Fiqirete Shehu, e të tjerë.

Vetë kjo e fundit, shpjegoi: “… Mehmet Shehu më ka thënë se; Kadri Hazbiu në vitin 1943, ka vajtur në Çorrush, tek shtëpia e Mehmet Shehut. Aty Mehmeti i ka lexuar programin Kadriut, dhe këtij i pëlqeu shumë dhe tha që; është dokument me rëndësi të madhe”!

Sikurse rezultoi nga zhvillimi i gjyqit, titistët dhe ambasada sovjetike në Tiranë në vitin 1956 organizuan komplotin antiparti në Konferencën e Tiranës. Në krye të komplotistëve dhe nxitës ishte Mehmet Shehu. Për këtë aktivitet, Fiqirete Shehu deponoi: “… me porosi të UDB-së, unë u vura në lidhje me Feçor Shehun … dhe me agjentë të tjerë që UDB-së, kish vendosur t’i hidhte në veprim të hapur…”, këtë moment, ajo e konkretizoi edhe gjatë gjykimit të çështjes. Ndërsa agjentë më me peshë, si: Mehmet Shehu dhe Beqir Balluku, ishin lënë në rezerve, për të sulmuar në çastin vendimtar”.

Është shumë e qartë se; pohimet e Fiqrete Shehut, janë marrë në kushte të dhunës dhe presionit ekstrem, se ajo mund të ketë pranuar të pohojë e firmosë, me qëllimin e vetëm për të shpëtuar fëmijët dhe se dukshëm gjithçka, është hartuar nga Sigurimi i Shtetit. Po përse lipsej një shfaqje e tillë?

Ka të ngjarë që, gjithçka të ketë pasur lidhje me vetëvrasjen apo vrasjen e Mehmet Shehut dhe leximin e vështirë të këtij momenti nga një pjesë e konsiderueshme e popullit, që mendoi se bëhej fjalë për një tradhti të madhe. Kjo sepse Shehu ishte një nga figurat me besimin, apo kultin e individit tepër të betonuar në një pjesë të popullit.

Kështu që për të shpërbërë këtë mendim të rrezikshëm, Hoxha dhe të tijët duhet të kenë organizuar nxirjen e figurës së Shehut në maksimum. Një maksimum që në çdo rast ishte më i besueshëm nëse do të artikulohej nga goja e njerëzve më të afërt të tij. Për këtë bën fjalë edhe përmbajtja e shkrimit të mëposhtëm.

“Të eliminohet me çdo kusht Enver Hoxha. Mehmeti të marrë në dorë frenat e pushtetit!”. Këtë rekomandim së të huajve, Fiqirete Shehu, e veja e kryeministrit të vetëvrarë, duke dëshmuar në gjyqin e gushtit ‘83, e vlerëson edhe si një apel të miqve së të shoqit, por edhe si urdhër i prerë të tyre për të bërë tjetërsimin e pushtetit në Shqipëri.

Sipas saj, Mehmet Shehu këtë plan e ka pasur shumë herët, qysh në vitet e luftës. Sakaq e veja e ish-kryeministrit, sjell para trupit gjykues, një retrospektivë të përpjekjeve të fshehta, që ka bërë i shoqi i saj për shmangien e Enverit nga kreu i Lëvizjes Nacionalçlirimtare dhe drejtimi i Partisë Komuniste.

Për herë të pare, Fiqirete Shehu zbulon faktin e panjohur lidhur me dështimin e inkursionit të Brigadës së Parë Sulmuese, e cila u thirr me urgjencë për t’i ardhur në ndihmë Shtabit të Përgjithshëm, që kishte mbetur i rrethuar nga gjermanët gjatë operacionit të dimrit të vitit ‘44. Ndërkaq, gruaja e kryeministrit komunist, bën të ditur misterin e veprimeve në prapaskenën e Beratit, ku shmangia e Enver Hoxhës, gati u realizua, por nuk gjeti mbështetjen e duhur për ta zëvendësuar.

“Mehmet Shehu, u shpreh në gjyq Fiqretja, ka bërë disa herë përpjekje për ta eliminuar sekretarin e parë, por në asnjë rast nuk ka mundur”. Në kujtesën e saj, kanë mbetur përpjekjet e bëra në fillimin e viteve ’70-të, për të ndërlikuar shëndetin e tij, me anën e mjekëve personal dhe operacioni sekret me agjentët jugosllavë për, të siguruar helmin me veprim të vonuar, i cili nuk u realizua asnjëherë….!

 “E dënuara numër tre”

(Fiqrete Shehu, në Burgun e Zeimenit, Lezhë)

Ishte 11 shtator i vitit 1988, kur sapo kishte filluar të ndihej era e liberalizimit, gardiani i burgut të Zejmenit në Lezhë, do të thërriste për herë të fundit gjatë apelit, gruan që prej shtatë vitesh e gjysmë, endej nga njëri burg në tjetrin: “E dënuara numër tre”.

Pas kësaj, në rrethana krejt të dyshimta, ajo ndërroi jetë, pasi pak orë më pare, ishte në formë, ndërsa u transportua natën prej ushtarëve të burgut, në varrezën e fshatit ku u varros në prani të mjekut të burgut, firma e të cilit konfirmoi vdekjen.

Mënyra e vdekjes së Fiqrete Shehut, ka mbetur enigmatike ashtu si vetëvrasja e bashkëshortit të saj. Ndërsa ajo e ish-kryeministrit, vërtitet midis vrasjes dhe vetëvrasjes, bashkëshortja e tij, nuk dihet nëse e helmuan apo pati një vdekje natyrale, e stimuluar nga torturat e vazhdueshme dhe jeta e vështirë e qelisë.

Skeda

Dokumente arkivore për vdekjen e saj, janë të paktë dhe për më tepër të paplotë. Vdiq e dënuara numër tre”, “u varros e dënuara numër tre” apo, “konfirmojmë vdekjen e të dënuarës numër tre’’.

Vetëm këto fraza, përmbajnë proces-verbalet e mbajtura nga komanda apo administrata e burgut të Zejmenit në Lezhë. Ndërkohë, në zyrat e Gjendjes Civile, as që bëhet fjalë që ajo të jetë çregjistruar. Po kështu, në dosjen e saj, nuk ka asnjë skedë të vdekjes, apo autopsi të saj. Vetëm pasi janë bindur se ka ndërruar jetë, tre ushtarë, që bënin rojë në burg, e kanë transportuar trupin e saj, në periferi të fshatit, aty ku ndodhej një varrezë e vjetër.

Në prani të mjekut të burgut kanë hapur gropën dhe pasi kanë nënshkruar procesverbalin e rastit, natyrisht duke e quajtur “e burgosura numër tre”, e kanë mbuluar në varr. Varri mbeti pa asnjë shenjë dalluese, por pak nën sipërfaqe ishte vendosur një shishe qelqi, siç duket për të mbetur shenjë për më vonë.

Varri

Më vonë, pas vitit 1990, kur nisën ndryshimet demokratike, në këtë varrezë, u gjetën edhe mjaft kufoma të tjera, ish-të burgosurish që, kishin vdekur gjatë kohës që vuanin dënimin. Siç duket, diktatura komuniste, i druhej faktit, që një ditë të vërtetat do të bëheshin publike, ndaj kujdesej të zhdukte sa më shumë prova.

Thuajse të gjithë varret që janë gjetur në varrezën e vjetër, në periferi të fshatit Zejmen, kanë të njëjtën formë dhe të njëjtën mënyrë varrimi, natyrisht, duke i’u vendosur një shishe qelqi për shenjë.

Por ndryshe nga të tjerët, Duro Shehu, vëllai i ish-kryeministrit Mehmet Shehu, pohon se kunatën e tij, e kanë helmuar në burg. Duke iu referuar një prej bashkëvuajtëseve të Fiqretes, e cila kishte ndarë momentet e fundit me gruan e ish-kryeministrit Shehu, pohoi pak kohë më parë se, pak çaste para se të merrte fund, Fiqretja ishte thirrur në komandën e burgut.

Helmimi

Ndryshe nga momenti i largimit nga qelia, ajo ishte kthyer e dërmuar dhe me tjetër ngjyrë në fytyrë. Kjo sipas vëllait të ish-kryeministrit, tregon se kunatën e tij, para se ta helmonin e kishin droguar.

Siç duket, gjithçka është bërë për t’i vjelë asaj edhe një “dorë të fundit” informacionesh. E dërmuar, siç ishte në momentin e kthimit në qeli, ajo i ka kërkuar shoqes së qelisë, t’i jepte kostumin që kishte në gardërobën e sajuar të qelisë.

“Pse, ku do të shkosh”, e kishte pyetur ajo kurioze, ndërsa ia kishte afruar kostumin te shtrati. “Për rrugë të gjatë, për botën tjetër”, i ishte përgjigjur Fiqiretja dhe kishte mbyllur sytë, e cila siç duket ishte informuar për helmimin, ose të paktën e ka kuptuar efektin e tij pasi e ka konsumuar.

Duro Shehu, rezervohet të përmendë emrin e personit nga e ka marrë informacionin. Të vetmet detaje që pohon për të, thotë se, ishte me origjinë nga Vlora dhe vuajtjet nëpër burgjet e komunizmit, e bashkuan me kunatën e tij. Duke vazhduar për momentet e fundit të kunatës, Duro Shehu, thotë se dëshmitarja e vetme e çasteve fatale, i ka thënë në konfidencë se; Fiqireten para se ta helmonin atë ditë e kanë droguar.

Shoqja e qelisë: Ç’më tha Fiqiretja, pas përfundimit të gjyqit

Ajo kishte vite që vuante nga një sëmundje e rëndë dhe rrinte tërë kohës në krevat. Asokohe kishte kapërcyer të 80-at dhe thoshte se do të rrojë gjatë. I kishte tjetërsuar jetën dënimi disavjeçar, ndërkohë që, çdo gjë e kishte nisur nga e para, në fillimin e viteve ’90-të.

Kishte qenë bashkëvuajtëse me gruan e ish-kryeministrit dhe kishte ndarë me të, të njëjtën qeli. Kanë folur për orë të tëra bashkë, si dy gra të përvuajtura e pa shpresa. Ruante kujtime të shumta nga brengat e Fiqrete Shehut dhe mendonte që shumë prej tyre, nuk ka për t’i zbardhur asnjëherë.

Ajo pranoi të rrëfejë “Anonimja”, me kushtin për mos t’u identifikuar, për arsye të forta, siç kumtoi me një aksent verior, vetëm për disa përjetime njerëzore.

Gjatë bisedës, i duhej të ndalonte disa herë ,si për të verifikuar çfarë tregonte. Ndjehej e tunduar se mos, spontaniteti e shtynte për të rrëfyer ato që mendonte se janë të panevojshme e delikate, për t’u bërë publike. Gjithsesi, ishte e përmbajtur dhe e saktë për, aq sa risillte nga shoqëria me gruan e kryeministrit, gjatë ditë-netëve të qelisë së errët…!

Ëndërr e çmendur…!

“Mirë puna ime, deficiti, sabotimi, po me ty çfarë ka ndodhur”? Me këtë pyetje, siç thoshte, është përshëndetur për herë të parë me Fiqrete Shehun, teksa i është shfaqur në qeli bashkëvuajtësja nga veriu.

“Ku ta di unë e gjora”, kujtonte përgjigjen e saj, ish e dënuara që kishte ndarë qelinë, me të venë e Mehmet Shehut.

Ajo thoshte se Fiqreti, rrinte e tronditur dhe hera-herës bënte veprime të pakontrolluara. Fillimisht, shprehej bashkëvuajtësja e saj, nuk kishte dëshirë të fliste e të rrëfehej dhe dyshonte për çdo gjë që e pyesja.

Vonë-vonë, kur u miqësuam pranoi të më hapej, po përsëri shumë e rezervuar, atë e dërmonte dilema e kryqëzimit të papritur të të gjithë familjarëve të Mehmetit. “Kjo paskej qenë një ëndërr e çmendur”, kujtonte shoqja e saj, psherëtimat e Fiqiretes, ndërkohë që i kishte mbetur në kujtesë, habia për akuzën e tmerrshme, sipas së cilës, ata do të vrisnin Enver Hoxhën…!

Enveri u vuri emrat, djemve të Mehmetit

Drama e familjes së Mehmet Shehut, për Fiqireten ishte pasojë e një tërbimi të papritur të Enverit. Gruaja që ka bashkëjetuar me të në qelinë e ftohtë, kujtonte se, e veja e ish-kryeministrit, e quante alibi të pakuptimtë, qëndrimin për fejesën e të birit me Silva Turdiun. Madje, ajo i ka treguar se Enveri, bashkë me Nexhmien, kanë qenë nga miqtë e parë që, i kanë uruar për këtë fejesë.

Sidoqoftë, pak kohë pas kësaj, Enver Hoxha, miku më i afër i Mehmetit, do të derdhte tërë bateritë mbi të, madje do ta kryqëzonte si, një armik të betuar të Partisë. Siç kujtonte ish- e burgosura, që kishte ndarë qelinë me Fiqreten, asnjëherë ajo dhe familjarët e tjerë, nuk e morën vesh shkakun e vërtetë të armiqësimit të papritur, të Enverit.

“Ata ishin më shumë se dy vëllezër, por”, kujtonte bashkëvuajtësja e Fiqiretes, rrëfimin e saj. Ajo ka mësuar në bisedat e atyre ditëve se, Enver Hoxha, në emër të miqësisë me Mehmetin, ka bërë edhe pagëzimin e djemve të tij. Emrat Vladimir, Skënder e Bashkim, djemve të tyre, i ka thënë Fiqiretja, ua ka vënë Enveri…! Memorie.al

                                         Vijon numrin e ardhshëm