Ngrënia e “kokave” brenda llojit, filloi që nga Lufta Antifashiste Nacional-Çlirimtare e, deri ditët e sotme, në pushtetin dhe qeverisjen e Partisë Komuniste Shqiptare. Rruga drejt pushtetit mesa duket, për këtë forcë politike që qeverisi 50 vjet këtu në Shqipëri , 70 vjet në gjysmën e botës dhe vijon edhe sot në disa shtete, udhëton përmes krimit. U vranë e u shpallën tradhtar bashkëluftëtarët e tyre, u burgos dhe u internua një pjesë e madhe e njerëzimit pa asnjë faj, u shpronësuan të pasur dhe të varfër. U zhdukën edhe pa varre dhe ende të afërmit rropaten për të gjetur eshtrat e tyre.
Një rast i tillë është edhe ai i Hulësi Dizdarit, babait të artistit e kompozitorit të njohur, Limoz Dizdari. Emri i Hulësiut, më 5 maj 2020, pas shumë vitesh heshtjeje nëpër labirinte enigmash, u rreshtua në listën e “Dëshmorëve të Atdheut”, ndonëse propozimi ishte bërë vite më parë nga vet Sulo Gradeci, si ish-partizan i Brigadës së Shtatë Sulmuese, përsëri u vonua shpallja e tij “Dëshmor i Atdheut”.
Po çfarë ndodhi me Hulësiun dhe djalin e tij, të dy partizanë?
Atij me të vërtetë i takojnë vargjet e këngës: “Ç’është kështu dëshmorë me ju/ Vitet tutje e ju tëhu”. Sepse, sado vite që kaluan nuk e zbehën dhe as e fshehën dot të vërtetën ndaj Hulësi Dizdarit. Në moshën 43 vjeçare doli partizan së bashku me djalin e tij, Basharin, duke u rreshtuar në Brigadën e VII-të partizane, duke lënë nga pas gruan, Myzejenin 35 vjeçare, me pesë fëmijë. Për ta mbrojtur familjen e tij nga persekucionet e pushtuesve dhe bashkëpunëtorëve të tyre, e strehoi tek miku i tij në Fushë-Bardhë, në familjen Çarçani.
Myzejen Dizdari ishte rrobaqepëse dhe u aktivizua duke qepur rroba për partizanët e Zonës së Parë Operative, kështu që rreshtohet si aktiviste e LANÇ-it. Data fatkeqe e Hulësiut do vinte më 15 korrik 1944, në luftimet e Therpelit të Skraparit. Dokumentet dhe dëshmitarët e kohës si dhe vet i biri, Limozi, thonë dhe flasin me ashpërsi, se; “e vranë shokët prapa krahëve në pabesi”. Ndaj vite më vonë deri në 5 maj 2020, ai u mbulua me heshtje. Limozi dhe miqtë bashkëkohës kanë sjellë një shembull si fakt për të argumentuar vrasjen e pabesë të Hulësiut.
Ata thonë se para se të vritej Hulësiu, shtabi i brigadës e transferon djalin e tij Basharin, për në Brigadën e 19 Sulmuese. Ndoshta ka qenë pjesë e skenarit për të mos parë vrasjen e të atit. Bashari nuk deshi të ikte dhe qëndroi i fshehur nga partizanët, në kundërshtim të urdhrit të firmosur nga zv/ komandant i Shtabit të Brigadës. Qëndroi dhe pa babain të vrarë në rrethana të dyshimta, ashtu si koha në vitet më pas do të vërtetonte këto dyshime të vrasjes së pabesë dhe pas krahëve.
Por një fat akoma më i keq e ndoqi Basharin, të birin e Hulësiut dhe vëllain e artistit, Limoz Dizdari, ndonëse ai kish dalë partizan që 15 vjeç. Çlirimi i Shqipërisë e gjeti 16 vjeçar. Në 1945 u hap shkolla “ Pionierët e Luftës”, e kadetëve dhe më pas u quajt shkolla “Skënderbej”. Kërkoi të shkonte të studionte në këtë shkollë, por nuk e çuan. Këtu fillon dhe kalavari i madh dhe fati që do t’i nënshtrohej pabesisë si i ati. Në vitin 1964 arrin të realizojë ëndrrën e tij, për t’u arsimuar si ushtarak.
Futet në shkollën ushtarake ku diplomohet me nota të shkëlqyera. E emërojnë në Shkodër. Por çuditërisht aty e lanë për pak kohë dhe në mënyrë qesharake, e emërojnë n/drejtor të shkollës Pyjore. E mori si tallje, por nuk e dha veten. Çfarë i duhej shkollës Pyjore një oficer i lartë? Diskriminim. Dhe më 19 janar 1970, pas kthimit nga Tirana ku qe dërguar të merrte mjete mësimore për shkollën, si makete armësh me kallama bambu, shoferi gaboi dhe ndërroi rrugë, makina del nga rruga dhe përmbyset në Bunë. Shoferi ja doli mbanë, ndërsa Bashari humbi pa gjurmë e, nuk u gjet kurrë më!
Artisti Limoz Dizdari na thotë se: “për neve dhe vet logjikën, vëllain na i vranë”. As për ngushëllim nuk na erdhi njeri. “Vajta vet, – vijon Limozi, – në Ministri të Mbrojtjes. Takova Dilaver Poçin. I thashë pse kjo heshtje nga Ministria dhe komanda. Pse nuk bien as pagën e tij tek familja, as edhe një gjë a send të tija, që ka lënë këtu”. Përgjigja e Dilaver Poçit qe e thatë dhe plot enigma. – ‘Ka një rregull, – më tha, – që për ushtarakët që nuk u gjendet trupi, nuk lejohen ceremoni’. Me kaq u ndamë. Por dua të shtoj edhe një fakt tjetër.
Dikur në vitin 1963-1964, ka qenë një n/kolonel i Ministrisë së Brendshme, Haxhi Hajdari. Ky qe edhe deputet i Malësisë së Madhe. U ngujua në një shpellë dhe nuk e kapnin dot. U detyruan ta qëllojnë me top. U caktua Bashari si artiljer i zoti dhe i besuar i partisë, si anëtar i saj, që 15 vjeç”.
Kjo është e gjitha historia e Hulusi dhe Bashar Dizdarit mes enigmave dhe pluhurit të heshtjes. Kohë më parë ai i është drejtuar kryeministrit Rama të mbrojë vlerat kombëtar se edhe Qendra Kulturore “DEA” e Ksamilit është e tillë dhe nga mbi 140 të tilla që u trashëguan nga sistemi socialist, sot vetëm kjo ekziston me një funksion të tillë.


