Sot është 120-vjetori i lindjes së intelektualit koçar, “Martir i Demokracisë”, Llazar Fundo, i cili u pushkatua 75 vite më parë nga regjimi komunist.
Llazar Fundo lindi më 20 mars 1899 në Korçë. Mësimet e para i mori në vendlindje. Kreu Liceun francez të Selanikut. U diplomua për drejtësi në Paris. Më 1923 u kthye në atdhe me profesionin jurist. Ndërkohë mori pjesë në Shoqërinë Bashkimi (1922-1925).
Pas vrasjes së Avni Rustemit më 1924, u zgjodh kryetar i saj. Drejtoi edhe gazetën “Bashkimi”. Në mbarim të dhjetorit, kur Qeveria demokratike e Nolit ra, u largua nga atdheu për në Itali, Austri, Gjermani, Francë e Rusi.
Gjatë kësaj kohe bashkëpunoi me gazetën e nacionalistëve shqiptarë “Liria Kombëtare”. U diplomua për filozofi në Moskë. Mandej dha leksione të kësaj lënde në Leningrad (sot Peterburg). Më 1934 i dënuar me vdekje nga Kominterni, u arratis nga Rusia.
Jetoi i fshehur në Francë, Belgjikë, Zvicër e Gjermani. Më 1939 u kthye sërish në atdhe për të marrë pjesë në rezistencën kundër pushtuesve italianë, por në vitin 1941, u arrestua dhe me shumë të tjerë u internua në Ventotene të Italisë. Më 23 shtator 1944, mbylli sytë i pushkatuar nga partizanët shqiptarë në Kolesjan të Kukësit. Në vitin 1995 u shpall “Martir i Demokracisë”.
Llazar Fundo apo siç njihej ndryshe Zai Fundo ishtë një idealist, i mprehtë në shkrime, kritizer skurpuloz, njeri i penës dhe i formuar në universitetet më të mirë të kohës që jetoi, aktivist shoqëror e veprimtar i shquar politik, njohës i përkryer i 9 gjuhëve të huaja.
Llazar Fundo është intelektuali që në vitin 1941 bashkë me intelektualë të tjerë ndërkombëtarë mori pjesë në hartimin e manifestit të Ventotenës për një Europë të lirë dhe të bashkuar që inkurajonte krijimin e një federate të shteteve europiane, që ishte menduar të mbante vendet e Europës larg luftës.
Pak kohë më parë, historiani Uran Butka në emisionin “Opinion” të gazetarit, Blendi Fevziu e solli në vëmendje këtë gjenezë të Bashkimit Europian, ndërsa shtoi se në muzeumin e historik të Ventotenës janë dokumente që flasin për figurën e Llazar Fundos.
Në 45 vitet e jetës, Zai Fundo udhëtoi pothuajse kudo, propagandoi atë që mendoi se ishte kauza e madhe e jetës së tij. Por, pa e kuptuar edhe vetë u bë i pari shqiptar i zhgënjyer nga ajo kauzë, nga komunizmi. Ai ishte një nga figurat kryesore politike me bindje të majta në Shqipërinë e kohës së mbretërisë dhe gjatë Luftës II Botërore. Njihej personalisht me figura të shquara në rang botëror, si me Heminguejin, Barbysin, Rolanin, Kashenin, Leopold Infeldin, Ajnshtajnin. Këta, si edhe shumë të tjerë i kanë dhuruar verat e tyre me shënime autografi.
Në ditët e Revolucionit Demokratiko-Borgjez, kryesuar nga peshkopi ortodoks Fan Noli, që erdhi posaçërisht nga SHBA më qershor 1924, Fundo ishte ndër bashkëpunëtorët më të ngushtë të këtij të fundit, bashkë me Luigj Gurakuqin, Gjergj Fishtën, Hasan Prishtinën, Tajar Zavalanin, etj. Ishte 25 vjeç, dhe qe një prej veprimtarëve më me zë dhe gëzonte reputacion të madh.