Nga 140 deputetë të Parlamentit të Shqipërisë, vetëm 5 ligjvënës kanë “guxuar” të kërkojnë hapjen vullnetare të dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, nëse kanë qenë bashkëpunëtorë apo ata janë spiunuar nga sistemi diktatorial, shkruan “Panorama”.
Nga ligjvënësit aktualë të Kuvendit të Shqipërisë, vetëm 4 deputetë janë certifikuar si të pastër nga Autoriteti Për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, institucion që drejtohet nga Gentiana Sula.
Bëhet fjalë për deputetët e Partisë Demokratike, Valentina Duka, Romeo Gurakuqi dhe Myslym Murrizi. Valentina Duka është verifikuar nga Autoriteti i Dosjeve në kohën që ishte dekane e Fakultetit të Histori-Filologjisë. Proces që është finalizuar në kohën që ka marrë mandatin e deputetes së PDsë në Qarkun e Korçës.
Ndërkohë që Romeo Gurakuqi është verifikuar pasi ka fituar mandatin e deputetit në Qarkun Shkodër. Gurakuqi dhe deputetët e tjerë kanë bërë kërkesë personale që të bëhet certifikimi i figurës, nëse në emrin e tij ekziston dosje nga ish-Sigurimi i Shtetit, si bashkëpunëtor, apo si i përndjekur nga strukturat e shërbimeve inteligjente të kohës.
Një tjetër deputet i Partisë Demokratike që ka kërkuar që të hapen dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, është Myslym Murrizi i zgjedhur si ligjvënës me siglën e Partisë Demokratike në qytetin e Lushnjës. Ndërsa nga Partia Socialiste rezulton se vetëm një deputet ka shprehur në mënyrë vullnetare kërkesën për t’iu nënshtruar verifikimit nga Autoriteti i Hapjes së Dosjeve.
Ai është Sadi Vorpsi, deputeti i Partisë Socialiste, i zgjedhur në Qarkun e Tiranës për herë të parë në legjislaturën 2017-2021. Ndërkohë që po nga Partia Demokratike, rezulton se deputeti i Qarkut të Fierit, Enkelejd Alibeaj, është në proces verifikimi nga Autoriteti i Dosjeve. Këtë fakt e konfirmon për “Panorama”, Skënder Vrioni, përgjegjës i Inspektoratit të Verifikimit të Figurave.







