Dosja sekretete e përndjekjes së Maks Velos nga Sigurimi I Shtetit ka ardhur në një libër nga Alda Bardhyli dhe botimet UET PRESS.
“Për herë të parë në historinë e vëndeve që jetuan komunizmin botohet dosja e plotë e përndjekjes së një artisti”, tha Bardhyli. Në libër janë 106 dokumente një pjesë e së cilave shoqërohen me një histori tjetër të treguar nga Velo. Në ceremoninë e promovimit Velo u shpreh ashpër duke thënë se “Lidhja e Shkrimtarëve ishte një tmerr”.
“Unë mendoj që libri është I rëndësishëm për disa arsye. Unë kam insistuar vazhdimisht këto vite, kam thënë që Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve ka qenë një tmerr dhe kur e thoja këtë gjë mua të gjithë më dilnin kundër. Dhe tani kur të lexoni librin do kuptoni që kjo është e vërtetë, po ashtu edhe dokumenti që doli pardje ke Panorama për Fadil Paçramin, ekspertizën që kishte bërë Dalan Shabllo dhe Llazari për dramat e Fadil Paçramit. Po si mund të futësh në burg një dramaturg mqs personazhet thonë këto gjëra. Nuk futet piktori në burg sepse vizatimi nuk të pëlqen. Kjo ishte lidhja. Ky ishte Dritëro Agolli. Duhet ta kemi të qartë unë I kam thënë sepse më thonin ti Maksi sillesh keq.
Jo Dritëroi po të ishte kishte dhënë dorëheqjen. Ishte larguar, ai I dinte të gjitha, ekspertizat janë bërë nga lidhja. Ekspertizat e gjyqit. Lidhja ishte qendër arti e nuk duhet të ishte qendër e Sigurimit të Shtetit kur ajo merrte në analizë dhe kontrrollonte gjithë artisttët një për një, kur ishte qendër e rekrutimit të agjentëve”, tha Velo. 27 denoncime në libër janë vetëm nga Llambi Blido. “Si është e mundur? Llambi Blido, 27 denoncime, edhe duke gënjyer. Sepse vetë sigurimi I shtetit thotë që “Këto informacione që na jep Llambi nuk na vërtetohen me anët e tjera” ose I jep Llambit çantën që të vijë ke studioja ime dhe Llambi do jepte informacione, njëkohësisht do jepej informacioni dhe nga çanta, të vërtetohej kush gënjente”. Nga emrat e përmëndur në libër si denoncues Maksi shprehet “Sigurisht që janë implikuar shumë njerëz dhe Edison Gjergo, për Edisonin më ka ardhur keq. Nuk e besoja. Unë Edisonin e njihja, që ishte në atë kohë I dobët por e doja. DHe më erdhi keq kur lëshoi ato deklaratat edhe u ndamë keq në Spaç…
Pjesë nga libri: Dokumenti 18 Tiranë, më 17.02.1976 Relacion përmbledhës mbi materialet e objektit në 2/A Maks Velo Maks Sotir Velo me punë në Ndroq si inxhinier arkitekt dhe me banim në lagjen Nr. 2, rruga “Hoxha Tahsim” Nr. 57/2 është marrë për herë të parë në P. P. në vitin 1973, por është hequr se në drejtim të tij nuk u vërtetua ndonjë gjë me rëndësi. Më datë 03.II.1975 i përmenduri merret përsëri në P. Paraprak, pasi implikohej dhe i arrestuari Edison Gjergo me aktivitet të përbashkët armiqësor në fushën e artit e letërsisë. Maksi i ka thënë Edison Gjergos se piktura nuk duhet të shpjegohet me fjalë, ajo duhet të jetë e pavarur, se kuptohet vetëm nga një numër i caktuar njerëzish etj. Më datë 04.08.1975 Maksi u ngrit nga P. P. në 2/A për propagandë armiqësore në fushën e krijimtarisë artistike. Gjatë përpunimit që i është bërë është vërtetuar se Maksi ka qenë në lidhje miqësore shumë të ngushtë me Fadil Paçramin. Ky i fundit e ka përkrahur mjaft Maksin në krijimtarinë e tij artistike. Maksi në kohën e Fadil Paçramit ka qenë një nga elementët më liberalistë, i cili luftonte me të gjitha mënyrat dhe mjetet piktorët e shëndoshë dhe realistë si Flamur Haxhiun etj. Krijimtaria artistike e Maks Velos në atë kohë është përshkuar nga modernizmi dhe më vonë ai u kritikua ashpër për këtë krijimtari, madje u hoq edhe nga Komiteti Ekzekutiv i Tiranës ku punonte si arkitekt dhe nga Instituti i Lartë i Arteve ku punonte pedagog i jashtëm. Duhet thënë se agjentura e kualifikuar për të përpunuar Maksin ka munguar për njëfarë kohe. Tani kohët e fundit është tërhequr në bashkëpunim të organeve tona me material shtrëngues agjenti “Semani”, i cili ka dhënë dy të dhëna me vlerë në drejtim të Maksit dhe ka mundësi ta përpunojë thellë atë. Deri tani për Maks Velon janë siguruar tri procese kallëzime, në të cilat bëhet fjalë për pikëpamjet armiqësore të Maks Velos në fushën e artit dhe krijimtarisë artistike. Maksi ka qenë martuar me Luçiana Naraçin, e cila e ka të ëmën austriake.
Me këtë grua Maksi ka lindur një djalë. Ka më se një vit që ata nuk shkojnë mirë me njëri-tjetrin dhe puna ka shkuar në gjyq për t’u ndarë. Maksi është tip shumë negativ. Ai është takuar disa herë me turiste të huaja franceze e gjermane në plazhin e Durrësit për të kryer me to marrëdhënie seksuale. Maksi njihet si një njeri feminist. Ai është dhe tip psikopati, por kjo nuk do të thotë se veprimet armiqësore që ai kryen i bën në mënyrë të pandërgjegjshme. Përkundrazi, ai është një njeri me mendime reaksionare, borgjeze e revizioniste, prandaj në qoftë se mund t’i arrihet arrestimit të tij është shumë e nevojshme që të bëhet demaskimi i tij para masës së artistëve dhe shkrimtarëve, pasi edhe nga vetë artistët ai njihet si njeri ultramodernist në art etj. Për të çuar më përpara këtë përpunim mendoj se duhen kryer edhe këto gjëra:
1) Të aktivizohet në drejtim të tij agjenti “Semani”, që mbahet në lidhje nga shoku Filat Malaj, për t’u futur më thellë në përpunimin e Maks Velos etj.
2) Të merret proces kallëzimi i agjentit “Energjiku” që mban në lidhje shoku Kadri Gojashi (lidhje formale, pasi “Energjiku” është vetë në pozita armiqësore), pasi të merret dhe aprovimi për një gjë të tillë. Në rast se do të merret proces nga agjenti “Energjiku”, atëherë ky objekt mund të propozohet për goditje, arrestim ose demaskim, pasi ka prova të mjaftueshme dhe çdo veprim yni në drejtim të tij do të miratohet nga një masë e gjerë njerëzish. Sepse Maks Velo, siç u theksua dhe më sipër, njihet si njeri negativ e imoral etj. Punëtori operativ / Ropi Postoli / Dokumenti 19 Marrë nga p. op. F. Malaj Dhënë nga agjenti “Semani” Tiranë, më 14.02.1976 Ekstrakt Nxjerrë nga e thëna e agjentit “Semani” datë 14.02.1976 …
Ai njofton se më datë 5 shkurt 1976 shkoi në Ndroq ku u takua me Maks Velon dhe pasi u përshëndetën, Maksi e pyeti atë: “A e ke lexuar ‘Nëntorin’?” “Jo”, ‒ i përgjigjet ai. Maksi ia kthen: “Lexoje, lexoje unë mendoj se për atë që është kritikuar Ismaili nuk janë gjë, ato të tjerat, ajo është”. “Për çfarë e kishe fjalën a mund ta di?” Maksi nuk ia tregoi atij. Por me sa kuptoi burimi e kishte fjalën për një poemë. Ai, në bisedë e sipër i thotë Maksit: “A e more vesh se Fadili është në burg dhe nuk na pëlqen të na dalë emri”. “Ashtu është pra dhe pikërisht tani që bie dhe rrufeja.” E kishte fjalën për rrëzimin e një stalle të projektuar nga vetë Maksi dhe që ditët e fundit u shkatërrua duke vrarë dhe dy viça të kooperativës, për të cilën Maksi është shumë i trembur se mos e arrestojnë. Më andej ra biseda, për të cilin Maksi i thotë atij “që ai ka të drejtë të ketë frikë i ka bërë të gjitha të këqijat, pasi kanë ambicie personale, edhe shkrimtarëve të tjerë ai ua bën”. Më vonë ai e pyet se sa është norma e këtij procesi të punës që bëjnë kooperativistët. Maksi tha: “1200 në ditë, e për çfarë për 130 lekë. Është lodhje e madhe dhe të ardhurat janë të pakta”. Fshatarët e kësaj zone janë të ligj për ne qytetarët, është e vështirë që të ikësh me karakteristika të mira që këtej.
Me datën 07.II.1976 Maks Velo shkoi në shkollën e natës të Liceut Artistik dhe gjatë bisedave me atë i thotë se: “Jam duke lexuar një libër me historinë e arkitekturës, ku del qartë se nuk mund të bësh arkitekturë pa njohur kubizmin, pa njohur pikturën moderne të fillimit të shekullit. Arkitektët tanë nuk e njohin pikturën deri në fund të shekullit XIX. Ishin ligjet e gjeometrisë së Euklinit, tani duhet një gjeometri e re, përndryshe nuk mund të bësh arkitekturë të kohës dhe sot në botë bëhet një arkitekturë që të detyron të jetosh në një mënyrë të re. Kam parë një revistë italiane, aty shikon vila shumë të bukura që i kanë bërë gjeometrat. Në Itali janë gjeometrat në një nivel më të lartë se arkitektët tanë”. “Semani” Vlerësimi i së dhënës: E dhëna ka vlerë operative për arsye se: Maks Velo, megjithëse është kritikuar dhe hapur për pikëpamje moderniste në art e kulturë, përsëri vazhdon t’i shprehë këto, pra është një person që vazhdon të jetë i pakënaqur.
Nga ana jonë ndiqet në 2/A. Detyrë: Maks Velos thuaji se e lexova “Nëntorin” dhe nuk pashë ndonjë gjë interesante, megjithëse ju më flisni për fraza të shkëputura dhe nuk i vini kokë muhabetit. Nganjëherë më vjen mirë që ruani sekretet se kështu duhet, por nga ana tjetër më vjen keq, pasi ne jemi shokë e unë shokut ia hap zemrën. Ismail Kadareja megjithëse është kritikuar disa herë, ai përsëri vetë meritë në lidhje dhe nuk ma merr mendja që të ketë kontradikta me Dritëroin. E di ai se në profesionin tonë ekziston egoja personale. Për sa i përket arkitekturës sonë ato që më the ti janë të drejta, tani kanë ardhur kohë të tjera dhe vetë populli i pëlqen këto të tanishmet. Pastaj bisedo rreth jetës në fshat, pikturës e artit në përgjithësi shiko çfarë mendimesh ka.
Masa operative: E dhëna të shtypet në një kopje dhe të futet në dosjen e Maks Velos. Të realizohet përpunimi i tij. Punëtori operativ / Filat Malaj / Dokumenti 20 Marrë p. op. Piro Katro Asiston shefi i Seksionit V, Filat Malaj Dhënë agj. “Semani” Datë 08.I.1976 RAPORT Ai njofton se njeh prej kohësh Maksim Velon arkitekt dhe piktor. Lidhur me këtë person ai thotë: “Është snob, i përkëdhelur nga Fadil Paçrami, madje e mbante dhe e përkrahte vazhdimisht si arkitekturën dhe pikturën e tij edhe pse ato ishin formaliste, impresioniste e ekstraksioniste. Një ditë ai shkoi në shtëpinë e Maks Velos dhe konstatoi se kishte shumë piktura të tilla (data se kur ka qenë nuk i kujtohet, por vetë Maksi e ftoi atë). Gjatë bisedave me Maksin, ky i fundit i është shprehur atij se: “Në pikturë nuk të lejojnë të bësh ato që bëhen në letërsi”, e kishte fjalën për rrymën natyraliste.
P.sh. thoshte Maksi “në disa romane të njërit prej shkrimtarëve është vërejtur shpesh kjo rrymë, por këtij ia lejojnë, pasi e përkrah i madhi i Partisë. Unë kam mendimin që kjo rrymë është më konkretisht në pikturë, prandaj është e vështirë ta fusësh”. Kur ai i thotë se Fadil Paçrami e përkrah shumë Ismailin, po ty pse nuk të përkrah, Maksi i përgjigjet: “Fadil Paçrami ka frikë për veten e tij (ishte koha kur Fadili nuk ishte kritikuar). Maksi shpesh ka injoruar piktorët tanë realistë, si F. Haxhiun, N. Zajmin etj., duke thënë se këta nuk janë gjë dhe nuk është pikturë ajo që bëjnë këta. Kohët e fundit ai u takua me Maksin dhe e këshilloi që të punonte mirë atje ku shkoi. Maksi iu përgjigj: “Sado mirë që të punosh nuk ta njeh kush punën”.
Në një rast kur te hoteli i “Drinit”, Maksit që prej bakri, ky ishte i pakënaqur dhe shprehej se janë të mira, moderne, të kohës, pikërisht për këtë edhe i heqin. Në fakt këto ishin ekspresioniste. “SEMANI” Vlerësimi i së dhënës: Bëhet fjalë për Maks Velon, ku del një karakter i tij dhe disa mendime e pikëpamje për artin, si dhe lidhjet e tij me Fadil Paçramin. Kjo është e dhëna e parë e tij. Detyrë bp.: Të takohet me Maks Velon dhe të hyjë me të në bisedë në lidhje me problemet e artit. Ç’mendime e pikëpamje armiqësore ka për artin tonë, në lidhje me dënimin (fq. 35………) për arrestimin e Fadil Paçramit, për jetën ekonomike në vendin tonë, për rrethin shoqëror të Maksit, si e shikon jetën në fshat etj. Me qëllim për t’i fituar besimin duhet ta këshilloni që të ketë kujdes tani se ne të dy edhe jemi kritikuar dhe mos marrim ndonjë masë, prandaj edhe unë me kujdes takohem me ty. Masa operative: Këtij agjenti t’i përçojmë një vijë a një alibi.
Të shtypet e dhëna dhe t’i kalohet p. op. Ropi Postoli. PUNËTORI OPERATIV / PIRO KATRO /