Arrestimi i Dritan Gjikës, i njohur edhe si “Tony”, më 26 maj në Abu Dabi ka tronditur opinionin publik dhe botën e hetimeve ndërkombëtare. I konsideruar si një nga figurat më të errëta të trafikut ndërkombëtar të drogës, Gjika është përmendur me emër nga vetë presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, si pjesë e një “bordi drejtues të narkotrafikut global”, që përfshin shtetas nga Kroacia, Serbia, Franca, Hollanda, SHBA, Kolumbia dhe Shqipëria.
Nga Tirana në Guayaquil, nga Stambolli në Bogota, një rrjet gjigant kriminal
Hetimet e “El Tiempo” dhe burime konfidenciale zbulojnë se Gjika lëvizte lirshëm përmes pasaportave të rreme dhe identiteteve të ndryshme, duke ndërtuar një rrjet të sofistikuar të kontrabandës së kokainës me baza në Ekuador dhe Kolumbi, e që përfundonte në portet kryesore të Evropës, përfshirë Spanjën, Francën, Holandën dhe Shqipërinë.
Ai kishte ngritur katër kompani në Guayaquil që shërbenin si mbulesë për trafikun: Agricontrade S.A., Cresmark S.A., Cannmaná S.A. dhe Negoglobal S.A., duke pretenduar se merren me eksport mineralesh dhe kultivim kanabisi. Në të vërtetë, ishin “kanalet e bardha” për të larë milionat e drogës.
Jetë luksoze e ndërtuar mbi trafik droge
Në Ekuador, Gjika dhe bashkëshortja e tij, Ashley Ruiz, zotëronin një vilë luksoze, makina të blinduara, një jaht, dhe llogari bankare të maskuara përmes kompanive fasadë dhe familjarëve. Vetëm Porsche-i Cayenne i blinduar kapte vlerën e 150 mijë dollarëve.
I lidhur me vrasësin e Peccit dhe trafikantët më të rrezikshëm të Amerikës Latine
Sipas autoriteteve federale dhe burimeve nga DEA, Gjika kishte si bashkëpunëtor kryesor kolumbianin e njohur si ‘JR’, tashmë në kërkim. Ai konsiderohet si hallka kyçe që siguronte kokainën për Gjikën.
Emri i “Tony”-t përmendet edhe në hetimin për vrasjen tronditëse të prokurorit paraguajan Marcelo Pecci. Presidenti Petro ka përmendur gjithashtu edhe trafikantin uruguajan Sebastián Marset si të përfshirë në këtë atentat. Hetimet e fundit flasin për një manipulim të mundshëm të dosjes Pecci, duke shtuar dyshimet për lidhje më të thella midis bandave dhe autoriteteve të korruptuara.
Strehë në parajsa luksi dhe pasaportash false
Rasti i Dritan Gjikës rihap alarmin për rrjetet e mafias ndërkombëtare që fshihen në Dubai dhe Abu Dabi, ku qindra kriminelë të rrezikshëm kanë ndërtuar jetën e tyre luksoze mbi paratë e krimit, duke përdorur pasaporta false dhe kompani fiktive.
Hetimet po thellohen. Arrestime të tjera priten. Historia e Dritan Gjikës mund të jetë vetëm maja e ajsbergut./El Tiempo



