Sipas dosjes së operacionit të zhvilluar këtë të enjte, anëtarët e grupit të drejtuar nga Alfredo Hamzai dyshohet se kanë tentuar të shtrijnë aktivitetin e tyre edhe në fushën e medias.
Prokuroria e Posaçme evidenton në dosje se mes veprimeve të dyshuara për pastrim parash përfshihen edhe përpjekjet për sigurimin e licencave mediatike.“Veprimet e kryera nga personat nën hetim Alfredo Hamzai, Ardian Zykaj, Ardian Rama, Elton Memeti e Besnik Myftari me marrjen e licensës së televizionit dhe radio”, thuhet në materialin hetimor.
SPAK nuk specifikon emrin e televizionit apo radios që lidhen me këtë episod. Megjithatë, nga të dhënat e Qendrës Kombëtare të Biznesit rezulton se një prej personave të përfshirë në hetim, Besnik Myftari, figuron pronar i shoqërisë “ABEG”, një kompani e regjistruar në fushën e medias në vitin 2020.
Sipas dokumenteve zyrtare, kjo kompani arriti të pajisej me licenca për transmetimin e televizionit “ABEG TV” dhe radios “ST Radio”.
Madje në një prej përgjimeve në SKY ECC, njëri prej trafikantëve të drogës, Ardian Zykaj, i shkruan bashkëpuntorit të tij Alfred Hamzai “dhe televuzioni me beson është top fare.beheeni të pa prekshem fare derman”.
Por aktiviteti i tyre rezultoi jetëshkurtër. Në shtator të vitit 2022, Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) vendosi t’u heqë të dyja licencat, duke i nxjerrë jashtë tregut mediatik.


