Dosja italiane për Rezart Taçin, për pastrim parash, do të hetohet edhe në Malin e Zi, për shkak se emri i presidentit të vendit Milo Gjukanoviç doli në përgjime me biznesmenin shqiptar.
Mësohet se prokuroria atje ka nisur hetimet dhe do të marrë në pyetje presidentin Gjukanoviç, ndërkohë që vet ky i fundit i ka mohuar akuzat, por ka shprehur gadishmërinë për t’iu përgjigjur ftesës së drejtësisë.
Përgjimet e publikuara në mediat nxirrnin se Rezart Taçi kishte përfshirë Gjukanoviçin në transferimin e parave në Prva Bank. Banka është në pronësi të Aco Gjukanoviç, vëllai i presidentit.
Gjukanoviç i mohoi pretendimet gjatë një konference shtypi në Cetinje.
“Është një aferë tërësisht e fabrikuar. Unë nuk e di kush janë njerëzit, as kam pasur kontakt me ta në asnjë mënyrë… ky është një falsifikim i plotë, por këto falsifikime janë bërë një lloj praktike në jetën politike në Mal të Zi”.- tha Gjukanoviç.
Banka Prva gjithashtu mohoi pretendimet dhe tha se mediat thjesht po përpiqen të dëmtojnë bankën dhe aksionerët e saj.
Prokuroria malazeze konfirmoi se kishte hapur një hetim për rastin. Ndërkohë, Gjukanoviç, i cili është gjithashtu lider i opozitës, ka thënë se ai mbështet “çdo iniciativë” për të hequr qeverinë aktuale.
“Unë nuk kam asnjë problem me këtë sepse e di se si kam punuar dhe duhen vetëm disa ditë që ato skandale të shemben si një kullë letrash,” tha Gjukanoviç. Ai theksoi se sot askush nuk i përmend më letrat e Pandorës dhe as nuk do të përmendet kjo aferë.
Taçi përmendi presidentin malazez Milo Gjukanoviç në përgjimet e prokurorisë italiane, për pastrim të parave ndërkombëtare dhe pagesave të dyshimta në lidhje me shtetasit italianë Francesco Zuma dhe Fabbri Petrucelli.
Një gjykatë në Palermo po heton nëse Taçi dhe disa shtetas italianë pasi kanë pastruar më shumë se 22 milionë euro.


