Taulant Balla ka bërë një kallëzim penal të dytë për Lulzim Bashën, me akuzen për shpifje.
Në një postim në Facebook ai shkruan: “Një padi për veprën penale te shpifjes tek Krimet e Renda dhe nje kallzim penal tek Prokuroria e Tiranës për Lulzim Bashën!”.
Gazeta Shqiptare ka siguruar kallëzimin penal që kreu i grupit të PS-së, Taulant Balla ka bërë ndaj kryedemokratit Lulzim Basha.
Kallëzimin deputeti socialist e ka bërë në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda.
Taulant Balla akuzon kështu zotin Basha për nxjerrjen e sekretit hetimor, në lidhje me dy automjetet tip “Toyota Yaris” që u bllokuan në portin e Durrësit, brenda të cilave u gjetën rreth 3.4 milionë euro.
“Njëri prej atyre që zgërdhihen më shumë ( duke treguar me gisht nga Balla, qe po qeshte bashke me Ramen) ka qenë në Gjermani para tre ditësh. Mbajeni mend këtë që po ju them! Dhe ka porositur një Toyota Yaris! Por ta kanë zbuluar Toyotën, o zgërdhimtar, bashkë me 1.5 milion euro të drogës brenda! Vazhdo qesh, do ta shikosh se çfarë do të tundet para hundës shumë shpejt”, ka thënë Basha ditën e enjte në Kuvend, e që sipas kreut të grupit të PS-së ka përhapur qëllimisht sekretin hetimor.




