Ish-anëtarja e Gjykatës së Lartë Arjana Fullani, bashkëshortja e ish-guvernatorit të Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani, kërkon heqjen e fatit 15-vjeçar për të qëndruar larg drejtësisë, pasi u largua nga sistemi me vullnetin e saj, për t’i shpëtuar skanimit të trefishtë të Vetingut për ligjshmërinë e pasurisë, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, në 23 korrik të 2019, vendosi të ndërpriste procesin e Vetingut për Arjana Fullani, pas largimit të saj fillimisht nga Gjykata e Lartë dhe më pas refuzimit për të shërbyer në gjykatën e apelit.
Por, në vendimin e Komisionit të Vetingut, ndër të tjera theksohet humbja e së drejtës së Fullanit për t’u emëruar gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare. Këtë pikë të vendimit, Arjana Fullani kërkon që ta rrëzojë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, duke sinjalizuar kështu një plan të saj për t’u rikthyer në gjyqësor, pas dorëheqjes taktike për të shmangur Vetingun. Në datën 4 shtator, zonja Fullani i ka kërkuar KPA që të heqë pjesën e ndalimit për një afat prej 15 vitesh për t’u rikthyet në gjyqësor.
Ligji për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, i cili rregullon mënyrën e emërimit të ish-gjyqtarëve dhe ish-prokurorëve në drejtësinë e re, nuk parashikon kontrollin e pasurive dhe figurës për ish-gjyqtarët që duan të rikthehen në sistem. Kjo duket se është edhe arsyeja se pse Arjana Fullani i kërkon Kolegjit të Apelimit heqjen e kriterit ndalues për t’u rikthyer prej 15 vitesh. Nëse Kolegji i Posaçëm i Apelimit e rrëzon periudhën e ndalimit prej 15 vitesh, Arjana Fullani mund të rikthehet në sistemin e drejtësisë pa iu nënshtruar kontrollit të pasurive dhe figurës.
Më konkretisht, neni 36 i ligjit për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve parashikon mënyrën e emërimit të ish-gjyqtarëve dhe ish-prokurorëve në drejtësinë e re. Sipas pikës 1 të këtij neni, brenda afatit dyjavor, nga data e publikimit të listës së të diplomuarve, ish-gjyqtarët dhe ish-prokurorët mund të kandidojnë për t’u riemëruar, pas marrjes së ftesës, në përputhje me përcaktimet në pikën 1, të nenit 39, të këtij ligji.
Po çfarë parashikon neni 39?
Pika 1 i nenit 39 i ligjit për statusin e magjistratëve, parashikon që brenda muajit qershor të çdo viti, pas përfundimit të procedurave të transferimit paralel dhe ngritjes në detyrë, secili Këshill shpall vendet e lira për të emëruarit. Pra, nuk ka asnjë parashikim për kontrollin e pasurive dhe figurës. Ndërkaq, ndryshe janë kushtet për të diplomuarit në Shkollën e Magjistraturës. Ata, sipas pikës ‘c’ të nenit 35 të këtij ligji, duhet t’i nënshtrohen kontrollit të pasurisë dhe figurës. Pra, vendimi i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit do të jetë vendimtar për fatin e Arjana Fullanit në raport me drejtësisë. Të njëjtën kërkesë kanë bërë edhe ish-anëtarët e Gjykatës së Lartë Evelina Qirjako dhe Aleksandër Muksaj.
Beteja për t’u larguar
Arjana Fullani, u emërua në Gjykatën e Lartë në korrik të vitit 2008 nga Partia Demokratike, ndërsa u dekretua nga Bamir Topi, në atë kohë President. Në korrik të vitit 2017, Fullani u largua nga Gjykata e Lartë, ndonëse sipas ligjit mund të qëndronte në detyrë pa limit kohor, deri kur të zëvendësohej. Pavarësisht largimit nga Gjykata e Lartë, Fullani, sipas KPK, nuk e humbi statusin e magjistrates, pasi kishte të drejtë të shërbente si gjyqtare në Gjykatën e Apelit.
Për rrjedhojë, në datën 15 mars të 2019, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka përzgjedhur zonjën Fullani më anë të shortit për t’iu nënshtruan procesit të Vetingut. Por, Arjana Fullani, në 30 prill të 2018, i ka dërguar një shkresë KPK, ku njoftonte se nuk ka paraqitur kërkesë për t’u emëruar gjyqtare në Gjykatën e Apelit dhe se ka filluar ushtrimin e veprimtarisë ekonomike private në profesionin e avokatit. Në këto kushte, ajo ka vlerësuar se statusi i saj si gjyqtare ka mbaruar.
Ndërkaq, Komisioni i Vetingut, me një shkresë drejtuar Arjana Fullanit, ka vlerësuar se, megjithëse znj. Fullani i ka mbaruar mandati si anëtare të Gjykatës së Lartë, ajo për shkak të ligjit vijon të gëzojë statusin e magjistrates. Fullani i është drejtuar sërish Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, duke kërkuar pushimin/ndërprerjen e procesit të rivlerësimit, për shkak se pretendonte se nuk është subjekt i Vetingut. Gjatë kësaj beteje me shkresa, Komisioni i Vetingut ka vënë në lëvizje Këshillin e Lartë Gjyqësor.
Nga ana e tij, KLGJ i është drejtuar znj. Arjana Fullani duke i kërkuar konfirmim për të drejtën e saj për t’u caktuar në një pozicion nivel apeli. Me shkresën e datës 08.04.2019, znj. Arjana Fullani ka konfirmuar faktin se “nuk dëshiron të emërohet si gjyqtare në nivel Apeli as tani dhe as në të ardhmen”. Më tej, Këshilli i Lartë Gjyqësor, me shkresën e datës 25.04.2019 informoi Komisionin e Vetingut se ka vendosur të deklarojë mbarimin e statusit të magjistratit, për ish-gjyqtaren e Gjykatës së Lartë, znj. Arjana Fullani. Pas këtij vendimi, KPK ka vendosur që të ndërpresë Vetingun për Arjana Fullanin.
Emërimi magjistrat i ish-gjyqtarëve dhe ish-prokurorëve
1. Brenda afatit dyjavor, nga data e publikimit të listës së të diplomuarve, ish-gjyqtarët dhe ish-prokurorët mund të kandidojnë për t’u riemëruar, pas marrjes së ftesës, në përputhje me përcaktimet në pikën 1, të nenit 39, të këtij ligji. Kërkesa për t’u riemëruar si magjistrat duhet të përcaktojë renditjen preferenciale të tre gjykatave ose prokurorive.
2. Brenda afatit njëmujor që nga data e publikimit të listës së të diplomuarve, Këshillat shqyrtojnë kërkesat e paraqitura për emërim dhe emërojnë magjistrat kandidatët që:
a) përmbushin kriteret e shkronjave “a”, “b”, “d”, “dh”, “ë” dhe “f”, të nenit 28, të këtij
ligji;
b) janë diplomuar në Shkollën e Magjistraturës dhe kanë ushtruar funksionin e magjistratit për të paktën 5 vjet në 15 vitet e fundit;
c) nuk duhet të kenë mbajtur funksione politike në administratën publike, ose pozicione drejtuese në parti politike, gjatë 10 viteve të fundit përpara kërkesës për riemërim si magjistrat.
3. Brenda afatit njëmujor nga data e publikimit të listës së të diplomuarve, Këshillat refuzojnë të riemërojnë çdo person që nuk plotëson kriteret e përcaktuara në pikën 2, shkronja “a”, të këtij neni.
Njoftimi i Kolegjit të Apelimit
-Çështja (JR) nr. 40/2019, datë 04.09.2019 (Subjekti i rivlerësimit Arjana Fullani)
-Emërtimi: Ankim kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 186, datë 23.07.2019
-Data e regjistrimit: 04.09.2019. Vënë në lëvizje nga: Subjekti i rivlerësimit
-Objekti: Ankim pjesërisht i vendimit nr. 186, datë 23.07.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, vetëm për pikën 2 të tij që thotë: “Të deklarojë humbjen e së drejtës së këtij subjekti për t’u emëruar gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë Gjyqësor ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare.”
-Përbërja e trupit gjykues: Kryesuese: Albana Shtylla. Relatore: Natasha Mulaj. Anëtarë: Ina Rama, Rezarta Schuetz dhe Sokol Çomo./Shqiptarja.com