Një 36 vjeçar është vënë në pranga nga policia e kryeqytetit, pasi qarkullonte me armë zjarri me vete.
I riu u ndalua për kontroll nga policia, por ai u largua me vrap, bashkë me armën, të cilën e mbante në një çantë.
Brenda pak minutave ndjekjeje nga Forca e Posaçme “Shqiponja”, u bë i mundur arrestimi i tij.
“Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e trafiqeve të paligjshme, kapjen dhe prangosjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri apo që janë të shpallur në kërkim, Forca e Posaçme “Shqiponja” kanë ndaluar për verifikim një mjet në vendin e quajtur “Kodra e Diellit”.
Drejtuesi i mjetit ka dalë nga mjeti dhe ka ikur me vrap duke mbajtur një çantë në dorë. Menjëherë punonjësit e Policisë së Forcës së Posaçme “Shqiponja” janë vënë në ndjekje të personit, dhe brenda pak minutave ndjekjeje, kanë kapur dhe prangosur shtetasin Sh. M, 36 vjeç, banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit të çantit të dorës, sherbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar edhe armën e zjarrit tip pistoletë dhe dy krehër me fishekë luftarak.
Në përfundim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatit të Policisë Nr.2 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasi Sh. M, 36 vjeç, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje””, njofton policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të metejshme.


