• Breaking News
  • Politikë
  • OP-ED
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Kulturë
  • Gossip
  • Sport
  • Jetë
AlpeNews
  • 23 June, 2026
AlpeNews

Tirana, Albania

23 June, 2026
  • Breaking News
  • Politikë
  • OP-ED
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Kulturë
  • Gossip
  • Sport
  • Jetë
  • Follow
    • Facebook
    • Twitter
    • Youtube
    • Instagram
  • No categories
DOKUMENTET E CIA/ Ja si regjimi komunist përndiqte agjentët amerikanë, 3 prej tyre u detyruan të vrisnin veten
Home
Dossier

DOKUMENTET E CIA/ Ja si regjimi komunist përndiqte agjentët amerikanë, 3 prej tyre u detyruan të vrisnin veten

29 June, 2018 F.autor Dossier

Shumë agjentë të CIA humbën jetën gjatë operacioneve të zhvilluara në Shqipërinë komuniste. Në një dokument të deklasifikuar së fundmi, tregohet e si më 1951 disa agjentë hyrën në territorin shqiptar përmes detit, por u identifikuan nga policia dhe Sigurimi i Shtetit. CIA tregon se si ata u përndoqën dhe 3 u detyruan të vrisnin veten në mënyrë që të mos binin në duart e komunistëve.

14 gusht 1951

Asgjësimi i grupit Olive Team

Asgjësimi i grupit Olive Team më 27 korrik u raportua nga grupi Tiger pak pas infiltrimit të tyre më 7 gusht. Grupi Tiger u infiltrua me rrugë detare dhe informacionet e tyre tregonin për një muaj të tërë ndjekjeje agresive, duke përfshirë katër gracka të ngritura nga brigadat e veçanta të ndjekjes, policia dhe civilë të armatosur. Një nga këto sulme zgjati 24 orë dhe thuajse konsumoi të gjitha furnizimet me municion të grupit. Shpëtimi i tyre ishte një mrekulli aq sa dhe anëtarët e tij ende nuk e dinë si ndodhi. Rrugëtimi i tyre vazhdoi në lugina të ngritura dhe gjatë largimit ata morën disa pengje civile. Dy burime i treguan grupit Tiger për fatin e grupit Olive Team. Njëri ishte një banor lokal, vëllai i identitetit 1 të grupit, i cili kishte marrë pjesë në grumbullimin e grupit. Në ndjekje kishte dhe civilë të paarmatosur përfshi edhe gra, të cilët u bënin thirrje që të dorëzoheshin, me mendimin se nuk do të qëllonin ndaj kërkuesve të paarmatosur dhe mund të dorëzoheshin më shpejt. Kur u rrethuan, grupi Olive pësuan këtë fat: Muhamet Hoxha (identiteti 3) u kap, Fidas Veli (id 4) vrau veten bashkë me (id 5) Riza Zyberi duke u shpërthyer me një granatë. Një prej tyre vdiq nga granata, por tjetri jetoi dhe vrau veten me pistoletë. Identiteti 6 (Kasem Shehu) raportohet se është arratisur. Informacionet për identitetet 4 e 5 u dhanë nga të infiltruari e grupit Tiger ndërsa të tjerët nga përshkrimet e llogaritjet.

 

19 prill 1956

Rishikim i aktiviteteve në Shqipëri

Në 1955 janë kryer një total prej gjashtë lëshime fletushkash dhe artikujsh ushqimorë, tre depërtime ajrore me dy avionë, në një total prej nëntë fluturimesh mbi Shqipëri. Rritja e kapacitetit të prodhimit të shtypshkronjës dhe ajo e forcës ajrore për të lëshuar më shumë fletushka ka shtuar operacionet. Sipas projektit OBTEST janë kryer katër transmetime në ditë në dy frekuenca të ndryshme. Numri i programeve radio të hartuar për çdo janë varion nga katër në verë, në dy në dimër. Programet përqendrohen në interpretimin lajmeve botërore dhe të brendshme, sipas domethënies së tyre për popullin shqiptar. Në 1956 dega do të intensifikojë programin e fletushkave dhe do të vazhdojë programet radio në nivel disi të reduktuar. Fushata e postës do të vazhdojë në nivel të njëjtë.

Objektivat e planifikuar për 1955

Objektivat e planit janë ato të paracaktuar në planin e 1954 për aktivitetet në Ballkan: Prishja e marrëdhënieve mes Moskës e Tiranës, minimizimi i kontributit të Tiranës në pozitën sovjetike, dëmtimi i regjimit dhe devijim i vëmendjes sovjetike nga planet agresive te vështirësitë brenda Shqipërisë. Gjithashtu, promovimi i kushteve të favorshme për çlirimin eventual të Shqipërisë, pasi nën kushtet aktuale kjo është interpretuar si ruajtja e shpresës së largët për çlirim me anë të provave të interesit të Perëndimit, dhe me anë të inkurajonit të rezistencës pasive të tipit “presion nga poshtë”; nxitja e nacionalizimit anti-komunist. Detyrat kryesore të planifikuara për 1955 janë avancimi i këtyre objektivave, me anë të prodhimit dhe shpërndarjes së fletushkave dhe dërgimit të postës ndërkombëtare dhe letrave të ngacmimit.

Përgatitja e programeve të transmetimit

Gjatë vitit kemi transmetuar 2 vlerësime për programin e Shqipërisë, së bashku me instruksionet specifike drejt arritjes së objektivave. Në ndjekje të objektivave, projekti OBTUSE ka bërë nëntë lëshime fletushkash dhe artikujsh gjatë natës në Shqipëri në vitin 1955. Gjatë vitit anulimet e fluturimeve prej problemeve teknike dhe kushteve të këqija të motit, kanë ndërhyrë me programin e lëshimeve duke reduktuar numrin e fluturimeve. Për më tepër zhvillimet botërore dhe ato të brendshme në Shqipëri kanë ndryshuar planet e përmbajtjes dhe prodhimit të fletushkave. Në përputhje me objektivin tonë, arritëm të rrisim peshën bruto të fletushkave të lëshuara edhe pse numri i fluturimeve u reduktua. Operacionet më shumë kanë prekur zonat jugore dhe bregdetare pasi në zonat malore veriore shumë fluturime janë anuluar prej motit. Planet tona ndryshuan në 1955 kur u kuptua se tekstet për qelizat klandestine, rezistencën e bashkuar pasive dhe sabotimet, nuk ishin më realiste në këtë fazë të operacionit. Këto tema u zëvendësuan me propagandën e “rënies së Malenkov” dhe përuljen e udhëheqësve sovjetikë ndaj komunizmit nacionalist të Titos, e gjithashtu me spastrimet e Jakovës e Spahiut. Oferta e ushqimit ka zënë vend të tematikën e broshurave të vitit 1955. Grupet e refugjatëve në 1955 e kanë quajtur lëshimin e fletushkave faktorin kryesor të ruajtjes së moralit të popullit dhe në shumë raste për rrezikimin e jetës së tyre duke u arratisur drejt botës së lirë. Një nga rastet është ai i 11 anëtarëve të familjes Musaj që ka thënë se ishte inkurajuar nga historia e arratisjes së grupit të Kamenicës në 1954, i ilustruar në fletushkat e propagandës. Informacione të ndryshme tregojnë se fletushkat shpërndahen dorë më dorë, duke siguruar një përhapje të gjerë në zonat e lëshuara. Disa refugjatë kanë raportuar se artikujt ushqimore e industrialë ishin pritur mirë nga njerëzit, si provë e përpjekjeve të Perëndimit për të ndihmuar popullatën. Megjithëse Sigurimi shpeshherë i konfiskon mallrat e lëshuara, edhe reagimi popullor ndaj Sigurimit është një arritje pozitive në krijimin e pakënaqësisë me regjimin komunist.

Problemet

Kemi ende probleme me shpërndarjen e fletushkave pas lëshimit nga avioni pasi testimet tregojnë se ato kanë tendencë të mbeten në një zonë të kufizuar gjatë rënies së tyre në tokë. Ky fenomen është përgjegjës për raportimet se Sigurimi shpeshherë ka bllokuar zonat e lëshimit të fletushkave duke i mbledhur ato pas lëshimit. Për këtë arsye në fund të 1955 kemi reduktuar gati me një të tretën masën e fletushkave për çdo lëshim, për të vështirësuar mbledhjen e tyre nga kundërshtarët. Në përpjekjet tona për vendosjen e komunikimit me letra jemi koordinuar me degë të tjera zgjerimin e fushatës së ngacmimeve ndaj disa komunistëve të veçantë në Shqipëri. Në këtë pikë kemi vështirësi për të dhënat biografike të elementëve komunistë, të cilat nuk ajnë të gatshme në mënyrë të rregullt. Kemi sugjeruar gjithashtu përdorimin e personaliteteve shqiptaro-amerikane dhe rrugët e pakta të komunikimit postar mes Shqipërisë dhe SHBA. Qendra e Berlinit ka kontaktuar me një zyrtar të lartë komunist me në të radios me valë të shkurtra, por deri tani nuk janë parë rezultate. Progresi në fushatën me letra kufizohet nga mungesa e inteligjencës dhe i personelit për menaxhimin e gjerë dhe specifik të ngacmimeve. Programet e transmetimeve radio gjatë 1955 janë bërë në dy frekuenca dhe katër herë në ditë, me më shumë përqendrim gjatë sezonit verior. Kjo sepse teoria dhe eksperienca ka treguar se koha e verës është shumë më e favorshme për transmetimet në Shqipëri. Programet nuk janë përqendruar në përsëritjen e lajmeve të Zërit të Amerikës, BBC dhe stacioneve të tjera në gjuhën shqipe, por jemi përpjekur të interpretojmë lajmet botërore nga ana e rëndësisë dhe domethënies së tyre për popullin shqiptar. Transmetimet janë përpjekur të përqendrohen në aktivitetet e brendshme në Shqipëri, siç mësohen nga Radio-Tirana apo publikime të tjera si “Zëri i Popullit”, dhe gjithashtu nga marrjet në pyetje të refugjatëve nga stafi i OBTEST.

Reagimet

Për të evituar efektet trazuese të zhurmuesve të opozicionit, transmetimet nga formati i 2-3 bisedave nga katër minuta për popullin, në 10 mesazhe e slogane më të shpeshta. Besohet se mesazhet më të shkurtra kanë më shumë gjasa të dëgjohen të plota. Në hartimin e teksteve stafi i OBTEST është përpjekur të ketë parasysh se shumica e dyshuesve janë anëtarë të Partisë Komuniste, pasi vetëm ata mund të pajisen me aparate radio dhe thjesht nga kurioziteti motivohen për të na dëgjuar. Vetë Enver Hoxha dhe radio Tirana kanë dënuar transmetimet tona në disa raste dhe kjo na jep kredibilitet. Sipas monitorimit tonë transmetimet janë të dëgjueshme në Shqipëri nga marsi deri në tetor. Për fat të keq nuk kemi raport monitorimi për dëgjimin gjatë sezonit të dimrit. Megjithëse numri i radiove në Shqipëri është i vogël, informacionet tregojnë se numri i tyre po rritet. Këtë vit raportimet e refugjatëve tregojnë se popullata ende nuk është familjarizuar me transmetimet por duhet pasur parasysh se refugjatët vijnë nga zona rurale ku janë mundësitë më të pakta për të pasur akses te radiot. Ata refugjatë që i kanë dëgjuar programet kanë komentuar në mënyrë pozitive duke thënë se ata që dëgjojnë lajmet i shpërndajnë ato gojarisht te të njohurit e tyre. Këto, së bashku me raportimet se regjimi po monitoron transmetimet, janë zhvillime inkurajuese. Megjithëse deri tani nuk janë ndërmarrë operacione operacione ndërkufitare ne po mendojmë të krijojmë struktura të tilla për mbledhje inteligjence. Dega shqiptare e luftës psikologjike po bashkëpunon me shumë organizata si Zëri i Amerikës, REL dhe organizata refugjatësh për mbledhjen e informacioneve të përshtatshme në programet e saj. Stafi ka përgatitur gjithashtu fotografi dhe lajme për të arratisurit e kohëve të fundit si familja Musaj dhe informacione mbi të arratisurit që po vendosen në SHBA, me qëllim për të dëmtuar përpjekjet e regjimit për riatdhesimin e tyre. Tematika kryesore e operacioneve për 1956 do të jetë “presioni nga poshtë”, duke shfrytësuar çdo situatë specifike që mund të reflektojë rezistencën pasive ndaj regjimit komunist, për shfrytëzim në fletushkat e propagandës. Në situata të tjera që ne shpresojmë të shfrytëzojmë janë puna e detyruar e grupeve të të rinjve, studimi i detyruar i gjuhës ruse, mungesa e lirisë fetare, sistemi i normave të punës, kolektivizimi i detyruar, shfrytësimi i lëndëve të para të Shqipërisë etj. Do të përqendrohemi gjithashtu në dezertimet nga partia komuniste duke u përpjekur t’i bindin se komunizmi ka dështuar si sistem dhe se shkatërrimi i tij total është i paevitueshëm. Ne shpresojmë se përmirësimi i bashkëpunimit me autoritetet greke për ndihmën ekonomike dhe ambientet e refugjatëve të risë shanset tona të suksesit në thirrjet për dezertim. Eksperienca e vitit 1955 ka treguar se nuk është e mundur të parashikohet numri i fletushkave të lëshuar në vit për arsye të ndryshimit të direktivave dhe politikave të fluturimit. Në përgjithësi ne do të hartojmë një broshurë të re çdo tre muaj bazuar në lajmet më aktuale. Ne besojmë se fletushkat e vogla me një temë kryesore janë më të efektshme, prandaj mendojmë të prodhojmë dhjetë të tilla gjatë vitit, shumica e të cilave do të bazohen në “presionin nga poshtë”, dezertimet dhe tema të tjera të përmendura më sipër. Për tekstet e broshurave nevojitet një oficer i luftës psikologjike dhe të paktën një agjent vendas (ose punonjës i kontraktuar)

 

Qershor 1960

Projekti i transmetimeve klandestine OBTEST

Objektivat e projektit janë nxitja e zhvillimeve evolucionare e revizioniste brenda partisë së Punës së Shqipërisë. Programet radio janë hartuar për audienca të gjera dhe anëtarë të të gjitha niveleve të partisë komuniste shqiptare. Inteligjenca do të përftohet nga marrjet në pyetje të refugjatëve shqiptarë e jugosllavë.

Argumente për analizë

Në janar 1959 një agjent udhëtimesh raportoi se një i afërm i tij komunist në Shqipëri i kishte thënë se kishin dëgjuar programet e radios klandestine, por tha se “sponsorët komunistë” të tyre do të kishin bërë mirë të qëndronin në Shqipëri për të përmirësuar situatën nga aty. Në 4 mars 1959 sekretari i partisë shqiptare Enver Hoxha tha në një fjalim të rëndësishëm se transmetimet e OBTEST ishin një vegël e revizioniste e Shteteve të Bashkuara në bashkëpunim me Jugosllavinë, dhe se qendra e tyre ndodhej në Athinë. Në maj 1959 morëm një raportim nga një udhëtar i ligjshëm i kthyer nga Shqipëria se ai dhe miqtë e tij kishin dëgjuar OBTEST në Shqipëri nga shtatori 1958 deri në janar 1959 dhe se një mik i tij komunist kishte thënë se “në një farë mënyre të gjithë shqiptarët e dëgjojnë me simpati programin”.

Efektiviteti i projektit

Ne besojmë se programet e OBTST kontribuojnë në përpjekjet e agjencisë tonë për të trazuar komunizmin shqiptar të kontrolluar nga sovjetikët dhe në përhapjen e doktrinave revizioniste. Kjo prej fakteve se: Monitorimi ynë konfirmon se në Shqipëri nuk ka ose ka fare pak mjete zhurmuese për prishjen e programit dhe ai kapet lehtësisht nga aparatet në Shqipëri. Megjithëse ka një numër të vogël radiosh në Shqipëri (rreth 50 000) shumica e audiencave tona të dëshiruara (anëtarët e partisë) kanë radio dhe mund të dëgjojnë programet nëse dëshirojnë. Tentativa e abortuar e “Komunistëve Kombëtarë” në Shqipëri në shkurt 1956 për të rrëzuar regjimin stalinist, dhe fushatat e gjera të qeverisë shqiptare kundër revizionizmit, tregojnë se kjo është një nga pikat e dobëta të regjimit shqiptar. Kualifikimet e larta të hartuesit tonë të teksteve dhe aftësia e tij për të shkruar në zhargonin komunist na bën të besojmë se OBTEST mund të shfrytëzojë objektivat e tij në SHqipëri.

Kontrolli, siguria

Agjenti ynë … ka mbulim të rregullt nga DAC, ndërsa agjenti vendas AIPLEBE ka një mbulim prej përfaqësuesi tregtar i një grupi sondazhi tregjesh. Kjo është vetëm një justifikim për të afërmit dhe miqtë e tij pasi inteligjenca greke është në dijeni të detyrave të tij sekrete. AIPLEBE është financiarisht i varur nga rroga jonë dhe rezidenca e tij në Greqi është e varur nga mirësia e autoriteteve greke. Ai gjithashtu është i motivuar të punojë kundër regjimit shqiptar për arsye personale dhe tërhiqet personalisht nga “Komunizmi Kombëtar”, është një agjent kompetent dhe për të është amenduar plani i evakuimit në rast deshtimi, me qëllim përdorimin e tij tjetërkund. Është një shkrues i kualifikuar tekstesh dhe shumë punëtor. Ka qenë ushtarak i spastruar me akuza që ai thotë se janë të padrejta e të rreme, prandaj është i motivuar të punojë kundër regjimit. Një dobësi e tij është alkooli. Sipas marrëveshjes, inteligjenca greke mbahet e informuar mbi projektin dhe zhvillimet e tij, gjë që deri tani nuk na ka sjellë probleme, por mbetet fakti se në rast pengesash çdo marrëdhënie greko-shqiptare vendoset nga qeveria greke. Prioriteti i vogël që i është dhënë Shqipërisë, bën he dhe kohëzgjatja e OBTEST të mos jetë sa e dëshironim dhe numri i programeve mund të reduktohet. Por eksperienca e personelit tonë duhet të kompensojë uljen e orëve të punës.

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article "TOYOTAT ME EURO"/ Balla dorëzon FOTON në prokurori dhe shtron tre pyetje për Bashën: A ke...
Previous article BASTET E PALIGJSHME/ Si u KAPËN katër personat në Korçë duke...

F.autor

Postime të ngjashme

DOSSIER/  Letra e panjohur e mbesës së Parashqevi Qirjazit: Sevastia dhe Parashqevia u lejuan të banonin në një kotec pulash, pasi godina ishte kthyer në shkollë partie, ku mësonin... Dossier

DOSSIER/ Letra e panjohur e mbesës së Parashqevi Qirjazit: Sevastia dhe Parashqevia u lejuan të banonin në një kotec pulash, pasi godina ishte kthyer në shkollë partie, ku mësonin...

DOSSIER/ “Lidhja e Prizrenit lindi nga lufta ruso-turke e motit 1877-’78, pasi Rusia fitimtare po përgatiste copëtimin…” Shkrimi i panjohur i Mid’hat Frashërit në 1928-ën Dossier

DOSSIER/ “Lidhja e Prizrenit lindi nga lufta ruso-turke e motit 1877-’78, pasi Rusia fitimtare po përgatiste copëtimin…” Shkrimi i panjohur i Mid’hat Frashërit në 1928-ën

DOSSIER/ “Përballë këtyre vështirësive, Konferenca e Londrës e shtyu vendimin përfundimtar për statusin e Shqipërisë..." Ana e panjohur e Konferencës së Londrës e 1913-ës Dossier

DOSSIER/ “Përballë këtyre vështirësive, Konferenca e Londrës e shtyu vendimin përfundimtar për statusin e Shqipërisë..." Ana e panjohur e Konferencës së Londrës e 1913-ës

Facebook Comments

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

  • Breaking News
  • Politikë
  • OP-ED
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Kulturë
  • Gossip
  • Sport
  • Jetë
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të Drejtat e Rezervuara
KONTAKT