Presidenti ultra-nacionalist i Republikës Srpska, Milorad Dodik, ka kundërshtuar deklaratat e Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, duke i cilësuar si të pasakta vlerësimet se veprimet e tij minojnë institucionet e Bosnje dhe Hercegovinës dhe rrezikojnë stabilitetin e vendit.
“Ai gabon kur e thotë këtë. Do të ishte mirë të lexonte se çfarë po ndodh këtu dhe jo thjesht të pranojë narrativat e rreme të krijuara nga administrata e Biden.” tha Dodik.
Lideri i entitetit serb të Bosnjës theksoi se Republika Srpska nuk do të tërhiqet nga kërkesat e saj, pavarësisht presioneve ndërkombëtare.
“Ne nuk mund të heqim dorë nga objektivat dhe politikat tona, pavarësisht se kush është në anën tjetër. Sekretari i Shtetit ka bërë një sërë gabimesh dhe nuk ka kohë të merret me detaje,” shtoi ai.
Pavarësisht dënimit me një vit burg dhe ndalimit për gjashtë vjet nga aktiviteti politik, Dodik miratoi më 5 mars ligjet e reja të Kuvendit të Republikës Srpska, të cilat ndalojnë veprimtarinë e institucioneve shtetërore të Bosnjës, përfshirë Gjykatën, Prokurorinë, Agjencinë Shtetërore të Hetimeve (SIPA) dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor e Prokurorial.
Dënimi ndaj Dodik u dha më 26 shkurt për moszbatimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë në Bosnje, pasi ai kishte nënshkruar dekrete presidenciale që shpallnin të vlefshme dy ligje të anuluara më parë si jokushtetuese. Vendimi është i shkallës së parë dhe mund të apelohet.
Ky zhvillim pritet të përshkallëzojë më tej tensionet mes Republikës Srpska dhe institucioneve qendrore të Bosnjës, si dhe të thellojë përplasjet me Perëndimin.


