Në fillim të marsit, mes frikës së pandemisë së Covid-19, përdoruesit në rrjete sociale shpërndanë një foto të shkëputur nga një faqe e librit “End of Days: Predictions and Prophecies About the End of the World” (Fundi i ditëve: Parashikime dhe profeci për fundin e botës) të autores amerikane Sylvia Browne.
Browne në mënyrë të paqartë shkroi në librin e saj të vitit 2008 se në vitin 2020 një sëmundje e frymëmarrjes do të përhapet në të gjithë globin. Sipas versionit të Google Books, në libër shkruhet:
“Rreth vitit 2020, një sëmundje e rëndë si pneumonia do të përhapet në të gjithë globin, duke sulmuar mushkëritë dhe tubat bronkialë dhe do t’i rezistojë çdolloj trajtimi. Më shqetësues është fakti që sëmundja do të zhduket po aq papritmas sa u shfaq, do të përhapet 10 vite më vonë dhe më pas do të zhduket plotësisht.”
Termi “parashikim” është subjektiv. Ajo që e bën jo fort të besueshëm këtë paragraf është fakti që Browne e shkroi librin fill pas shpërthimit të SARS (Sindroma akute e frymëmarrjes).
Aq më tepër që specialistët nuk presin që Covid-19 të zhduket, përkundrazi mund të kthehet si një sëmundje e zakonshme, si gripi sezonal për shembull.
Pavarësisht se përshkrimi i sëmundjes në “End of Days” është i ngjashëm me Covid-19, elementët e tjerë janë të pasaktë dhe më tepër se “parashikim” është thjesht një supozim me fat.
Nuk është hera e parë që fragmente librash konsiderohen si “parashikime” të koronavirusit duke nxitur teoritë konspirative.





