Ilir Meta sot ka përsëritur sërish deklaratën e tij të 20 marsit nga Pogradeci, kur tha se ishte i gatshëm të sakrifikonte edhe veten e tij për zgjidhjen e situatës politike që ka përfshirë vendin.
Presidenti tha se është i gatshëm të heqë dorë nga mandati i tij si President i Republikës së Shqipërisë, vetëm që të zgjidhet situata politike dhe vendi të kalojë në normalitet.
“Ashtu siç deklarova më përgjegjësi më 20 mars nga Pogradeci, mbetem i gatshëm që për një zgjidhje që i shërben interesit më të mirë, stabilitetit dhe demokracisë së vendit, të bvendos në dispoizicion edhe mandatin tim si President i Republikës, nëse palët e gjykojnë edhe këtë element si të rëndësishëm për një zgjidhje gjithëpërfshirëse, që do t’u jepte qytetarëve shqiptarë të drejtën për të zgjedhur edhe Presidentin me votën e tyre të lirë.
Askush nuk duhet të ketë frikë nga vota e lirë e qytetarëve shqiptarë që qëndron në themel të bashkëjetesës demokratike, pa garantimin e së cilës nuk mund t’i çelim as negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, – thekson Presidenti Meta në Deklaratë.
Deklarata e Metës 20 mars nga Pogradeci:
“Jam i gatshëm për të dyja ekstremet, që nga dorëzimi i mandatit si president, pasi të sigurohet se vendi ka një zgjidhje politike parimore, solide, kushtetuese, që e çon vendin para; e deri te sakrifikimi i jetës sime si Salvador Allende për të parandaluar instalimin e një junte që mund ta kthente Shqipërinë 30 vite pas. Ilir Meta është i përgatitur për të dyja”, deklaroi presidenti.
Përgatiti: AlpeNews.al