Vendimi i zbardhur i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit tregon se Izet Kadana kryetar i Gjykatës së Pukës u rrëzua në të tre kriteret, ndërsa u gjet i papërshtatshëm ndër të tjera dhe për shkak të ndërhyrjeve që kishte bërë për të punësuar bashkëshorten.
Mesazhet që kreu i shkarkuar i Gjykatës së Pukës Izet Kadana i dërgoi një gruaje e cila konkuroi ndaj bashkëshortes së tij për vendin e kryesekretares pranë Prokurorisë së Rrethit Pukë u cilësuan nga KPK shkelje e rëndë e etikës profersionale dhe përfitim i padrejtë favori si “i rrjedhojë e përdorimit prej tij të pozicionit”.
“Gjuha e përdorur gjatë komunikimit me sms me shtetasen F. L., është e një zhargoni të rëndomtë, duke i bërë të ditur kësaj shtetaseje, pozicionin e tij dhe mundësinë e ndikimit lidhur me pranimin e kandidaturës më të mirë për pozicionin e punës në fjalë”, thuhet në vendimin e zbardhur sëfundmi nga Komisioni i Pavarur i Kualfikimit.
Kadana mohoi të kishte ndërhyrë. Ai tha se mesazhet ndaj F.L ishin nisur për shkak të njohjes që ata kishin dhe jo për shkak të funksionit të tij, por KPK thotë se ai dështoi të sillte ndonjë provë për këto pretendime.
Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesit solli raport pozitiv për Kadanën, po ashtu Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar e gjeti atë të përshtatshëm. KLD gjithashtu dërgoi pranë Komisionit vlerësim pozitiv sa i përket profesionalizmit të kreut të Gjykatës së Pukës bashkë me shënimin se ndaj tij kishte pasur një masë disiplinore.
Por të gjitha raportet e institucioneve ndihmëse u përmbysën pas hetimit të thelluar të treshes së kryesuar Lulzim Hamitaj, me anëtare Xhensila Pinen dhe relatore Firdes Shulin, e cila gjeti probleme në pasurinë e gjyqtarit, e gjeti atë të cënueshëm për shkak të problemeve të nipërve me drejtësinë dhe po ashtu gjeti se kishte shkelur etikën profesionale.
Problemet më pasurinë dhe konflikti i interesit
Nga vendimi i zbardhur rezulton se gjatë hetimit Kadana paraqiti një sërë kërkesash ndaj KPK. Ai kërkoi po ashtu përjashtimin e Xhensila Pines nga trupi gjykues, kërkesë e cila u rrëzua. Kadana pretendoi se kishte qenë i sëmurë dhe nuk ishte njohur me dosjen dhe kërkoi 10 ditë kohë, KPK vendosi t’i jepte atij 7 ditë, por në fund Kadana nuk e ushtroi të drejtën për tu njohur me dosjen.
Kadana sidoqoftë paraqiti mbrojthjen e tij pranë Komisionit dhe nga vendimi rezulton se ai mundi të sqaronte KPK sa i përket pasurive të tij të paluajtshme. Por ai rezulton se nuk mundi të justifikonte dy hua me vlerë 8.4 milion lekë të dhëna prej tij ndaj të tretëve.
Ndërsa po ashtu dështoi të provonte se një kredi e marrë nga bashkëshortja prej 700 mijë lekësh ishte marrë për llogari të babait të saj dhe ishte paguar prej familjes së tij. KPK thotë se pas një sërë analizash financiare u gjet që Kadana nuk mund të justifikonte bindshëm se kishte pasur të ardhura të ligjshme për të dhënë huatë.
Komisioni pranoi justifikimet e Kadanës rreth motiveve për dhënien e huave, por zbuloi gjatë hetimit se një prej personave, të cilit i kishte dhënë hua kishte pasur një çështje në gjykatë për të cilën ai kishte vendosur. KPK thotë se Kadana kishte mohuar më herët në deklarimet e tij të kishte dhënë vendim përfundimtarë për një çështje ndaj personit që rezultonte prej shpjegimeve të tij një mik shumë i afërt.
Mesazhet dhe punësimi i gruas
Gati 20 mesazhe telefonike që Kadana i kishte dërguar një gruaje e cila kishte punuar si financiere pranë Gjykatës së Pukës, u morën në shqyrtim nga Komisioni që i gjeti ato në shkelje të etikës profesionale.
Nga hetimi i KPK rezultoi se Kadana kishte marrë një vërejtje disiplinore në lidhje me mesazhet, por për Komisionin shkelja në këtë rast ishte shumë më e rëndë. Sipas KPK-së bashkëshortja e gjykatësit të shkarkuar kishte garuar sëbashku me dy persona të tjerë për vendin e punës së kryesekretares pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pukë.
Nga hetimi rezultoi se bashkëshortja e Kadanës nuk ishte përzgjedhur për vendin e punës, por pas një faze fillestare për këtë vend ishin dërguar në Prokurorinë e Përgjithshme dosjet e F.L. dhe të një gruaje tjetër.
Menjëherë pasi kishte mësuar këtë fakt Kadana, i cili pretendoi se kishte njohje me F.L. dhe se kishte pasur një dakordësi që ajo nuk do të garonte për vendin e punës, i dërgon kësaj të fundit mesazhe ku ndër të tjera shprehet: “Hajt a shohim kush jam unë.”. Po ashtu në një SMS Kadana “mburret” se do të ndërhynte pranë Prokurorisë së Përgjithshme.
Komisioni thotë se gjeti që ndërhyrja funksionoi, pasi fillimisht Prokuroria e Përgjithshme rimori në kandidim bashkëshorten e gjyqtarit të shkarkuar dhe më pas dy zonjat e përzgjedhura fillimisht u eleminuan dhe vendi i punës i shkoi bashkëshortes së Kadanës.
Në fund KPK thotë se Kadana u gjet i papërshtatshëm në të tre kriteret dhe vendosi për shkarkimin e tij nga detyra.