Në rubrikën tonë të përditshme “Sprig në Alpe” kemi vendosur t’iu sjellim një ndër qytet më të bukura të Shqipërisë, siç është Shkodra.
Shkodra është tipike nga ato raste kur natyra është treguar shumë bujare duke i dhënë asaj bukuri të shumta.
I vetmi qytet që ka rreth tij detin, liqenin, lumin, natyrën e egër, turizmin bregdetar, liqenor, historik dhe kulturor.
Shiroka, Zogaj, Velipoja, Thethi, Razma, Boga e Vermoshi janë pikat turistike që njihen nga të gjithë shqiptarët, por dhe nga të huajt dhe çdo vit në sezonte të ndryshme, por sidomos në verë, tërheqin pushues e vizitorë të shumtë vendas e të huaj.
Vetëm 4 kilometra larg qytetit të Shkodres, pasi lë “Urën e Bunës” dhe merr rrugën në të djathtë të shfaqet Shiroka, një nga lagjet më të veçanta në kryeqendrën e veriut.
AlpeNews.al ju sjell pamje nga Shiroka, një nga atraksionet e Shkodrës.
E cilësuar një lagje e Shkodrës, Shiroka, një prej bukurive mahnitëse të veriut shfaqet si një afresk me liqenin, malin dhe ajrin e pastër.
Ajri i freskët, që vjen nga thellësitë e Alpeve, filtrohet në ujërat e liqenit dhe vjen i shëndetshëm këtu, rrëzë malit të Taraboshit, duke e bërë Shirokën një nga joshjet më të veçanta për të kaluar disa orë ndryshe për Shkodranët, por edhe turistët nga të gjitha trevat Shqiptare dhe përtej tyre.
Pushuesit ditorë, kryesisht nga Shkodra, janë ata që frekuentojnë zonën turistike, rrëze malit të Taraboshit.
Përgatiti: AlpeNews.al






