Militantët e Shtetit Islamik (ISIS) e kanë mirëpritur djegien e katedrales Notre Dame në Paris, duke e konsideruar si një ndëshkim dhe dënim para Pashkëve.
Në rrjetet sociale ata publikuan një poster nga djegia e Monumentit me fjalët “Paçi një ditë të mbarë”.
Më tej në poster shkruhet: “Ndërtimi i saj filloi në vitin 1163 dhe përfundoi në vitin 1345. Është koha për të thënë lamtumirë politeizmit (besimi ne disa zota)“.
Ndërkohë zyra e prokurorit të Parisit tha se po e trajtonte zjarrin si një aksident, duke përjashtuar zjarrvënien dhe motivet e mundshme të terrorizmit, të paktën tani për tani.
Ndërkohë që xhihadistët festonin në internet, Franca dhe mbarë bota ishin në zi për shkatërrimin e një simboli të lavdishëm të qytetërimit perëndimor.


