Pas denoncimit të skandalit nga Shqiptarja.com policia gjobit pronarin e lokalit, pezullon nga detyra 6 efektivë policie dhe pritet të ndëshkojë 30 të ftuarit në ceremoni. Ceremonia e ditëlindjes së aktorit Bes Kallaku u zhvillua në shkelje të plotë të rregullave anti-covid për ndalimin e organizimeve festive dhe ndalimin e qarkullimit pas orës 22:00.
Në lidhje me aktivitetin e zhvilluar më datë 20.11.2020 në një lokal në fshatin Laknas, Bashkia Kamëz, ku shtetasi Bes Kallaku, kishte organizuar një ceremoni ditëlindje dhe kishte ftuar rreth 30 persona, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë menjëherë mori masa në zbatim të Aktit Normativ, për parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Nga ana e Policisë së Tiranës, u mor masa administrative 1.000.000 lekë për administratorin e lokalit shtetasin F.U., në bazë të aktit normativ nr 3 datë 15.03.2020.
Gjithashtu në bazë të pamjeve filmike janë identifikuar të gjithë personat që ishin pjesëmarrës në aktivitetin e zhvilluar dhe do ndëshkohen me masë administrative për shkelje të masave kufizuese anticovid-19.
Njëkohësisht Drejtori i DVP Tiranë ka pezulluar nga detyra 6 punonjës Policie për moskryerje të kontrollit të territorit dhe ndaj tyre Drejtoria e Standarteve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur ecurinë disiplinore për shkelje të rëndë .


