Ditën e sotme vendi ka regjistruar një rekord viktima me COVID-19, plot 17 vdekje, numri më i lartë në këto 9 muaj pandemi. Kjo ka sjellë apelin e zëvendëskryeministrit Erion Braçe, i cili bën thirrje për ndërgjegjësim të qytetareve, të respektojnë masat anti-covid, të shmangin daljet e panevojshme dhe të kufizohen takimet në mënyrë që të mbrojmë veten dhe familjarët. Braçe bën thirrje që qytetarët të kufizojnë dalje në kafe dhe restorante, takimet apo edhe vajtjet në qendra tregtare e pazare, kur ato nuk janë të domosdoshme.
Braçe shprehet se është refuzuar mbyllja totale sërish e vendit, pasi kjo do të ishte një goditje për të gjithë, dhe pikërisht për të shmangur këtë, qytetarët duhet të ndërgjegjësohen dhe secili të bëjë detyrën e tij.
” Me rende e me veshtire se sot, nuk ka qene asnjehere ne 9 muaj! a do reagojme apo do i leshohemi semundjes? gjithcka e kishim dhe e kemi ende ne ne dore; e di qe eshte e veshtire keshtu, por duhen kufizuar patjeter takimet jashte shtepie! vec punes me masat e njohura te sigurise-maske, distance, higjene, cdo gje tjeter duhet kufizuar; kemi refuzuar mbylljen, cfare skemi thene kunder saj, po i rezistojme nje mbylljeje te re tani, ama vete, secili prej nesh, duhet te bej te tijen: te mbroj veten duke kufizuar takimet, prezencen ne kafe, klube, restorante, qendra tregetare, pazare etj”, shkruan ndër të tjera Braçe,
Prej javësh vendi po përballet me shifra të larta të të infektuarish dhe viktimash, ndërsa thirrjet dhe apel e qeverisë apo ministrisë së Shëndetësisë janë gjithnjë e më të shpeshta në mënyrë që të respektohet masat anti-covid dhe të frenohet sa më shumë përhapja e virusit. Të njëjtën apel dhe rikujtim të masave bëri edhe gjatë ditës së sotme komisioni teknik i ekspertëve për pandeminë COVID-19.


