Mjeku infeksionist Pëllumb Pipero ka folur në një lidhje me Skype me emisionin “Zonë e Lirë” për situatën e koronavirusit në vend.
“Ka shumë mundësi koha kur merren masat, sa më shpejt aq më mirë. Këtu tek ne e tregoi që masat u morën më shpejt se në vendet e tjera, rezultatet e tregojnë. Duhet të kemi parasysh, jemi para një virusi ende nuk kemi një medikament, kemi shumë përpjekje, besoj që shumë shpejt do kemi një vaksinë, por nuk besoj se shumë shpejt do kemi një medikament. Do ishte perfekte të kishim një vaksinë dhe medikament. E dhëna e rëndësishme është që ky virus prek më rëndë të moshuarit dhe të sëmurët kronikë. Sido të ishin kapacitetet, karantina duhet.
Virusi e përmbyt brenda një dite sistemin shëndetësor, prandaj karantina duhet”, tha Pipero. “Në ditën e 40-të të karantinës, a e kemi kaluar pikun e pandemisë?”, e ka pyetur Arian Çani mjekun Pipero. “Unë besoj që e kemi kaluar pikun e pandemisë. Unë besoj që ka filluar rënia, ajo do jetë graduale, do jetë e gjatë, është herët për të festuar, por duhet të jemi optimist dhe të kujdesshëm”, ka thënë Pipero.
“Informacionet mbi rikthimin e koronavirusit kanë qenë kontradiktore. Faktet që na vijnë nga Koreja e Jugut janë domethënëse, por janë kthyer në idenë se brenda periudhës 3-6 mujore imuniteti ende nuk është formuar mirë. Nuk kemi ende një studim për këtë gjë”, ka thënë Pipero mbi rikthimin e koronavirusit tek të sëmurët.


