Ministrja Elisa Spiropali ka denoncuar sot gjuhën e presidentit Ilir Meta dhe njerëzve pranë tij, duke e quajtur si një gjuhë urrejtje, seksiste dhe mizogjiniste, ndaj saj.
Nga foltorja e Parlamentit, Spiropali tha se vetë ia ka kthyer përgjigjen e merituar, pasi di si të mbrohet, por shtoi se gjuha e përdorur nga Meta është një shembull shumë i keq për shqiptarët, dhe gratë në veçanti.
“Dua të ndalem te diskriminimi gjinor, te gjuha e urrejtjes ndaj grave, te mizogjinia, një gjuhë që e gjen në krye të institucionit të presidentit të republikës. Unë jam një grua, një nënë që jam përballur jo pak. Jo vetëm zëdhënësi i tij, jo vetëm grupi i tij, por vetë presidenti i republikës përdor gjuhë urrejtje. Nuk është puna për mua personalisht, unë ua kam kthyer përgjigjen dhe di të mbrohem. Por është shembulli që jep presidenti për të gjithë qytetarët e këtij vendi, që të mos përdorin gjuhën e urrejtjes, gjuhë seksiste. Çfarë shembulli është ky, si ka mundësi të bjerë në nivele të tilla komunikimi. Kjo s’më përket mua. Unë në ’99 jam larguar nga Shqipëria kur personi në fjalë Ilir Meta dhe kryetarja e LSI vidhnin votat e FRESSH për të vjedhur Shqipërinë, unë kam ikur si ekselente, jo me paratë e babait në Londër. Presidenti nuk mund të thyejë çdo konventë, çdo kod, çdo moral. Të ulet e të lexojë konventat që ka nënshkruar. E kanë nga dëshpërimi” u shpreh Spiropali.


