Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali i quajti të domosdoshme ndryshimet në Kodin Penal. Spiropali shpreson se presidenti Ilir Meta do i dekretojë, nisur dhe nga arritja e një mirëkuptimi paraprak me kreun e shtetit pak para votimit të tyre në parlament javën e kaluar.
Në një intervistë me skype në emisionin e mëngjesit “Ditë e re” në RTV Ora Spiropali tha: “Gjithmonë kështu ndodh në kohë të vështira.
Njeriu kupton se janë disa gjëra më të rëndësishme se zënkat e përditshme.
Ne si qeveri nuk jemi marrë me politikën e ditës shpresojmë që edhe opozita zyrtare ose jo të mos merret me politikën e ditës edhe pse disa shenja jo të mira i ka dhënë.
Sa i takon ndryshimeve në Kodin Penal për të cilën patëm mirëkuptim me presidentin, ishte i domosdoshëm ndryshimi pasi kemi krejtësisht vakum në të drejtën tonë penale sa i takon karantinimit, situatës së epidemisë dhe shpresojmë që presidenti do e dekretojë me ndryshimet përkatëse. Patëm konsulim paraprak dhe jemi në kohë të mirë”
Por “paqja” në kohë lufte nuk do të thotë se do të vijojë dhe në kohë paqeje.
“Shpresojmë në kohë normale të gjemë fjalën se s’ka nevojë për pandemi e epidemi të punojmë bashkë. Por mos shpresoni për paqe” tha Spiropali për emisionin “Ditë e Re”


