32 deputetë kanë deklaruar se kanë kryer studimet dhe kualifikimet e ndryshme jashtë vendit. Por vetëm 5 prej tyre kanë bërë njohjen e këtyre diplomave në Ministrinë e Arsimit. Mes emrave që kanë probleme gjendet edhe ai i kreut të opozitës, Lulzim Basha.
Ndonëse ka një përmirësim të ndjeshëm të cilësisë së përbërjes sa i përket deputetëve që kanë rekorde kriminale, Kuvendi i zgjedhur në qershorin e shkuar mbart sërish një sërë problematikash që kanë të bëjnë me shkollimin e të zgjedhurve të popullit. Instituti i Studimeve Politike (ISP) me mbështetjen e ambasadës së Mbretërisë së Holandës ka realizuar monitorimin e Kuvendit të Shqipërisë dhe të aktivitetit parlamentar gjatë sesionit shtator – dhjetor 2017. Ndërmjet të tjerave ka marrë në analizë edhe verifikimin e deklarimeve që kanë bërë deputetët për arsimimin dhe kualifikimin e tyre me gjendjen faktike të njohjes së këtyre diplomave në Ministrinë e Arsimit.
Bëhet fjalë për deputetët që kanë kryer studimet apo kualifikimet e ndryshme jashtë vendit dhe që kanë detyrimin që t’i bëjnë njohjen e tyre në institucionet arsimore shqiptare. Nga ky verifikim rezulton se nga 32 deputetë që kanë deklaruar se kanë kryer studimet apo kanë mbrojtur grada të ndryshme shkencore jashtë vendit, vetëm 5 prej tyre kanë bërë njohjen në Ministrinë e Arsimit. Ndërmjet listës së deputetëve që nuk kanë bërë njohjen e diplomës bie në sy edhe emri i kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili megjithëse ka deklaruar se ka kryer studimet në Holandë, nuk ka bërë njohjen e diplomës në Shqipëri.
Gjithsesi raporti i ISP-së bënë të ditur se është e qartë se disa prej deputetëve me përvojë të gjatë profesionale i kanë kryer studimet jashtë vendit në periudhën përpara 1990 ose në dekadën e parë të vitit 1990, dhe për një pjesë të tyre ekzistojnë të dhëna të njohura publike mbi studimet e përfunduara. Të tillë janë sidomos ata që vijnë nga postet akademike, përfshi këtu Shezai Rrokajn, Valentina Dukën, Blerina Gjylametin, Eglantina Gjermenin etj.
Deputetët që nuk kanë bërë njohjen e diplomave apo titujve të marrë jashtë vendit:
Aldo Bumçi
Alket Hyseni
Arben Ahmetaj
Bledi Çuçi
Blerina Gjylameti
Damian Gjiknuri
Ditmir Bushati
Eglantina Gjermeni
Ervin Bushati
Evis Kushi
Fate Velaj
Genc Pollo
Jorida Tabaku
Klajda Gjosha
Klevis Balliu
Lefter Koka
Lulzim Basha
Mirela Kumbaro
Petrit Vasili
Olta Xhaçka
Rudina Hajdari
Sabri Abazi
Senida Mesi
Shezai Rokaj
Taulant Balla
Tom Doshi
Valentina Duka
Deputetët që kanë bërë njohjen e diplomave në MAS
Elisa Spiropali
Endri Hasa
Albana Vokshi
Eleni Bode
Elona Gjebrea


