“Sarah” titullohet libri i dytë më i ri i Alfred Pezës, përfaqësues i publicistikës sonë prej një periudhe në mëse 23 vjeçare. Në këtë roman, i ardhur pas veprës së tij të parë “Ditari i 23 qershorit”, ndërthuret natyrshëm historikja me letraren, për të sjellë në vëmendje një prej fazave më domethënëse të kujtesës kolektive shqiptare, kryesuar nga figura më e njohur, po aq sa intriguese e saj: Ahmet Bej Zogolli, i njohur ndryshe si Ahmet Zogu.
Jo rastësisht evokohet imazhi i këtij personaliteti, pasi ai shpërfaq një shumësi dimensionesh politike, të cilat reflektojnë një shtrirje të gjerë kohore, në raport me qeverisjen e Shqipërisë. Në moshën 17 vjeçare kishte qenë anëtar i Kuvendit të Pavarësisë së vendit, ministër i Brendshëm 25 dhe kryeministër 27, madje dhe President i Republikës (29), për të finalizuar me postin e Mbretit, duke kthyer edhe Shqipërinë e viteve ’30 në një monarki. Përpos faktit se ishte një figurë e shquar politike, nuk mund të anashkalojmë edhe përpjekjet progresive për të hedhur bazat e një qytetërimi, sidomos duke manifestuar reforma kulturore që do të sillnin për pasojë, edhe destruktimin e sistemit kanunor. Një sistem ky, i dalluar për karakterin introvers brendashkruar mentalitetit konservativ të shqiptarit. Ahmet Zogu, nën gjurmët e Mustafa Kemal Ataturkut, insistoi në reformimin e sistemit të qeverisjes, në ndarjen prej traditës osmane e cila strehohej pas fesë islame, si fe mbizotëruese për atë kohë. Kjo do të thotë se fillon të lindë koncepti i identitetit si shkëputje prej kulturës orientaliste. Shembuj përkatës përmendim: ndalimi i qylafit turk për burrat ose të ferexhesë për gratë; ndalimin e lutjes në gjunjë të burrave (pasi kanuni e quante si një burrë të vdekur moralisht) si formë dinjitoze. Mund të flasim për përparimin e idesë së një “Turqie europiane” [I. Kadare, f.36]. Padyshim, duhet theksuar edhe fakti se në këtë periudhë spikati edhe lidhja e jashtme politike me Italinë fashiste, pavarësisht tentativës për të mos iu nënshtruar asaj. Jemi në një periudhë të trazuar politike, kur tashmë Shqipëria ishte e përfshirë edhe nga vala e Luftërave Botërore, nën udhëheqjen e Fuqive të Mëdha, të njohura për të ashtuquajturin copëtim famëkeq të trevave shqiptare, pa veçuar as vendet fqinje që mbështetën të njëjtin qëllim disintegrues. Megjithatë, nuk mbaron me kaq. Kjo fazë e historisë së vendit tonë përbën një çështje mjaft komplekse, që rrjedhimisht e prezanton edhe A. Zogun si të tillë, në sintezë me madhështinë e tij.
Sara Blloshmi – simbol i emancipimit të femrës shqiptare
Romani të cilit i referohemi qendërson që në titull emrin e një personaliteti femëror, i së ashtuquajturës Sara Blloshmi. Kjo e fundit njihet në histori si bashkëshortja e një ish- ambasadori të periudhës së viteve ’30 (bashkëkohësi të Zogut), Selahudin Blloshmit.
Ajo ka lindur në Stamboll në vitin 1904, ishte fëmija i tretë i kolonelit Vehab bej Serdar, djali i gjeneralit të famshëm Abdul Kerim Pasha, dhe i Mevedet H. Vlorës, vajzës së madhe të Ismail Qemalit. Pas Shpalljes së Pavarësisë, pasi kishte kaluar fëmijërinë në Stamboll, Sara u vendos bashkë me familjen në Francë e më pas në Shqipëri. U martua në një moshë fare të njomë me ushtarakun Selahudin Blloshmi, i cili kishte kryer Akademinë Ushtarake Franceze të Sent Sirit. Për një kohë të gjatë jetoi në Bukuresht, ku i shoqi ishte ambasador i Shqipërisë e më pas u kthyen në Tiranë.
Kjo femër ka spikatur për bukurinë e saj, të finalizuar në orvatjen e saj më të famshme për të thyer tabutë që karakterizonin sistemin kanunor dhe ligjin islamik. Bëhet fjalë për heqjen e veshjes përfaqësuese islame, të njohur si ferexhe (dhe burkës, shamisë që mbahet përsipër) që do të pasonte me kërcimin e saj përpara ambasadorëve në Pallatin e Mbretit Zog. Në këtë mënyrë, do të ngjallte jo vetëm kureshtjen e të huajve për të qenë dëshmitarë të një modeli emancipues të gruas shqiptare, si pikënisje e një botëkuptimi modest të saj, por edhe reagime jo fort të favorshme në raport me të, si shkelëse e thekshme e ligjit (një shenjë mungese respekti, sipas konsideratave përkatëse të ligjeve funksionale të lartpërmendura).
Për më tepër, edhe të qenit e Sara Blloshmit një kërcimtare e zonja do të bënte të mundur edhe shkëndijën e tundimit në atmosferën rrethuese politike, e cila për të përfytyrohet si një formë triumfi dhe krenarie të pathyeshme. Ajo do të bëhej edhe muzë e poetëve dhe e skulptorëve, si femra më e bukur dhe më e emancipuar në tërë Shqipërinë [B. Fevziu, f.120]. Ja përse ajo ka marrë rolin e protagonistes edhe për këtë roman, me privilegjin e shpalosjes së karakterit nihilist njerëzor, por mbi të gjitha si një akt pro feminizmit në Shqipëri; madje mund të themi që ky akt sinjalizon edhe pikënisjen e kësaj lëvizjeje, që ka për bazë vetëmotivimin për një të ardhme vizionare. Si e tillë, nuk mund të mos tërheqë vëmendjen e çdo receptuesi; edhe sot, ndjell admirimin te receptuesit, duke marrë karakterin e një qenieje me përmasa universale.
“Skandali femëror” nën shumëfishësinë e receptimit
Në çështjen paraprijëse trajtuam imazhin e Sara Blloshmit, bashkëshortes së ambasadorit Selahudin Blloshmit, si një imazh që përfaqëson thelbin e emancipimit të gruas shqiptare. Ky akt, si rrjedhim, kërkon të vërë në dukje feminilitetin e gruas në lidhje me bukurinë dhe me kapacitetin e saj intelektual; kështu që me sjelljen e kësaj protagonisteje, mund të themi se jemi në shenjat e qarta të lëvizjes së feminizmit në këtë periudhë. Gjithashtu theksuam edhe faktin që kodi kulturor, i përbërë nga sistemi kanunor dhe ligji islamik bie ndesh me këtë lloj qëndrimi, sepse shfaqet tejet kontroverse. Ajo merr përmasat e një skandali femëror, që përfton tronditje si dhe nuancohet politikisht, prandaj njësohet me tipin e skandalit politik.
Romani “Sarah” është i përshkuar nga një plan i shumëfishtë receptimesh, në mënyrë të përligjshme me befasinë e përjetuar nga ky aksion kurajoz i protagonistes në këto rrethana kushtëzuese. Kjo e bën edhe më të komplikuar rrjetin e strukturës tekstore, duke dalë nga teknika e përshkrimeve panoramike, sa dhe më ludike. Jo rastësisht vepra hapet me këmbënguljen e Ahmet Zogut (referuar në postin e Mbretit) në sallën e mbledhjes për ta ndëshkuar, në formën e akuzim – gjykimeve, në pozitën e fajtores, ligjshkelëses dhe jo në formë të përfolur. Në këtë rast, ndihet edhe reagimi represiv kundrejt saj, në një plan të unifikuar, njëzërësh. Mësojmë që edhe ministri i Brendshëm dhe ai i Drejtësisë janë kryesues me këtë vendim. “Bëni urgjent formalitetet dhe mbylleni brenda! Jo gruaja e një deputeti të jetë ajo, por edhe motra ime qoftë, në burg e ka vendin. Nuk kanë lindur akoma ata burra në këtë vend që të më sfidojnë mua, e jo më një bishtpërdredhur. E ku pa? Në sytë e ambasadorëve të të gjithë botës!” [A.Peza, f.1] Në vijim ndihet përbuzja dhe neveria e tërë qytetarëve, nën metoniminë e qytetit në raport me të, përmes të përfolurave që kryejnë, në trajtën e hedhje-pritjeve, në dialogje të shumta.
Ndërkohë, bie në sy edhe individualizimi i këtij skandali në figurën e Fuad Beut, i cili në monologjet e tij të brendshme shpreh zemëratën e tij për faktin se kur ai kërkonte të martohej me Sarën, pa se tashmë qe martuar. Në këtë mënyrë ndryshon edhe plani i rrëfimit, i cili pëson infleksion, duke kaluar nga bota e jashtme në botën e brendshme të personazheve. Ndërsa akt-akuzat sanksionuese, të cilat rimerren në një formë të shkëputur, krijojnë një sfond të gjerë konfliktual, me një besnikëri historiko-politike, që e percepton Sarën si të predispozuar për t’u ndëshkuar. Shikojmë që protagonistja receptohet në një trajtë të shumëfishtë. Kjo na kujton teorinë semiotike genette-iane të izokronisë, të rrëfesh n herë atë që ka ndodhur 1 herë, që e bën veprën interesante, mbi bazën e lojës rrëfimore.
Profili dramatik i mbretit Zog
Kur flasim për Ahmet Zogun si mbret, shpeshherë i referohemi një figure të suksesshme, qoftë deri në njëfarë niveli, teksa evokojmë realizimin e reformave politike në funksion të përpjekjeve për të sjellë një botëkuptim modernizues në Shqipërinë e viteve ’30, nën qeverisjen e rendit monarkik. E quajmë të suksesshëm pikërisht për këto reforma. Por ndërkohë, nëse marrim parasysh këtë figurë si qenie njerëzore, të zhveshur nga detyrat e tij mbretërore (e më të gjera politike), shikojmë që është mjaft dramatik. Në rrafshin personal, A. Zogu paraqet një jetë problematike, sidomos në marrëdhëniet e tij me gratë. Të qenit elegant, me sjelljen e tij të formësuar nga ambientet aristokratike me të cilat ai është mësuar të frekuentojë, si dhe jeta luksoze që ai i ofron vetes nuk e pengon atë të rrugëtojë në hedonizëm. Mirëpo për një mbret, kjo çrregullsi e jetës personale ndikon në mënyrë negative në sy të opinionit publik dhe në formimin e personalitetit të tij. Raste të tilla përmendim, sipas burimeve historike, historitë e dalluara të dashurisë, së Zogut: me kërcimtaren Tanja Visarova (me prejardhje nga troje europiano-lindore), një lidhje erotike e pakurorëzuar, por edhe midis tij dhe Sara Blloshmit. [Shih: B. Fevziu, ff. 115-118]. Edhe pse duket se Blloshmi kërkon të krijojë pavarësinë e saj shoqërore, lidhja e saj me A. Zogun fillon të ngjizet që në momentin që Zogu fillon të ketë kureshtje rreth identitetit të saj dhe qëllimeve të saj të vërteta. Ndonëse në mbledhje shfaq zemëratën e tij më të thellë, nxitur nga sjellja e saj frenetike, kjo lloj frenezie duket se i bashkon ata. Ndërkohë, për kohën historike që përsiatet në roman, flitet për afrimin e dasmës së tij me mbretëreshën Geraldinë.
Flitet se në realitet, mbreti Zog ka fjetur me Sara Blloshmin një natë para dasmës, duke reflektuar edhe karakterin e tij dramatik, në formën e adulterit (praktimi i tradhëtisë bashkëshortore). Si i tillë, është i papërligjshëm, sepse ai me vullnetin dhe kompetencën vetjake i jep të drejtën vetes të tradhëtojë gruan e tij të ardhshme. Nga ana tjetër, Blloshmi reflekton njëfarë krenarie të tipit arrogant pasi në sajë të kësaj tradhëtie të kryer, ndihet e plotësuar si femër. Flirtimi me mbretin e shqiptarëve, pas skandalit të saj nëpër sallat e pritjes (në sy të ambasadorëve) kalon në një marrëdhënie erotike që kërcënon martesën e tij. A mos vallë A. Zogu fillon të kuptojë se martesa e tij është një pengesë që do t’i bëhet barrë për pjesën e mbetur të jetës së tij? Mos ndoshta ai kujton se do të jetë një mbret i dështuar, prej destinimit të lidhjes martesore? Të qenit i vetëdijshëm për atë që e pret dhe mosdëshira për t’u martuar e bën atë të jetë një karakter mjaft dramatik, i përshkuar nga lufta e brendshme me vetveten, ndërmjet arsyes së ftohtë dhe pasionit përvëlues.
Figura e mbretëreshës Geraldinë – figurë e munguar
Një rëndësi të veçantë i ka dhënë historia mbretëreshës Geraldinë (Geraldina De Nagy Appony) për karakterin e saj të fortë e të qëndrueshëm që ka treguar duke ndenjur në krah të Ahmet Zogut, për një periudhë të gjatë 23 vjeçare, deri në vdekjen e tij. Kjo figurë, me prejardhje nga Polonia, shquhej edhe për finesën e saj, edukatën e mbrujtur prej familjes së saj mbretërore. Ajo u martua me mbretin Zog kur ishte ende shumë e re, por me një diferencë të madhe moshore në krahasim me të. Dasma e tyre është përfolur shumë nga mediat e huaja, për luksin e madh, shpenzimet kolosale, në mënyrë që të krijonte një atmosferë sa më madhështore, me idenë e përrallores. Spikat edhe ftesa e saj prej A. Zogut në ballon e Vitit të Ri 1938. Në këtë ballo u shpall edhe fejesa e saj në mënyrë zyrtare; është e goditur skena kur në çastin e trokitjes së gotave, Geraldinës i bie gota nga dora dhe i thyhet përtokë, ndërsa A. Zogu i thotë se ciflat e thyera sjellin fat; dhe është e vërtetë: rezultoi në martesën e tyre të ardhshme. [B. Fevziu, ff. 3-9] Karakteri i saj i fortë shfaqet edhe në maturinë dhe këmbënguljen për të përkrahur të shoqin edhe në situata të vështira; kujtojmë në këtë rast peripecitë e tyre në periudhën e pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, në një kohë kur ata kishin lindur trashëgimtarin e tyre mbretëror, Lekën.
Ndërkohë, romani “Sarah” prezanton një situatë të nderë, të pezullt për shkak të turbullirave politike si dhe presioneve familjare që A. Zogu të martohej e t’i jepte fund beqarisë së tij, i cili prej kohësh po frekuentonte një jetë hedoniste e të paqëndrueshme. Për më tepër skandali i Sara Blloshmit e ka thelluar edhe më tepër këtë anarki, sepse në këtë rast u riaktivizuan edhe institucione shtetërore që do të kërkonin sanksionimin ligjor të saj. Në këtë aspekt, Blloshmi përbën kryefjalën e debateve social-historike; por sa më tepër trysni psikologjike të ushtrohet në të dy palët aq më të vetmuar dhe të mbyllur në vetvete do të ndihen ata. Të njëjtin përjetim real e perceptojmë edhe në kontekstin artistik-romanor.
Skena e takimit të mbretëreshës Geraldinë me A. Zogun është skajmërisht e reduktuar, për t’i dhënë rëndësi dramaticitetit të karakterit të tij. Konkretisht, përvijohet dëshpërimi i tij për martesën e ardhshme. Jo vetëm që kryen marrëdhënie me S. Blloshmin, por ajo ia bën të ditur se dasma e tij është një vendim i marrë që do t’i kushtojë tërë jetën. Ajo shfaq edhe guximin që të ironizojë me situatën e krijuar, dhe ndërkohë, e ul imazhin e një figure mbretërore autoritare. Kjo situatë e ka vënë A. Zogun si në kurth dhe erotizmi, në këtë mënyrë, shpërfaqet në një formë arratisjeje shpirtërore nga realiteti. Ja përse mbretëresha Geraldinë është e munguar në roman, sepse në të vërtetë ajo shndërrohet në një makth për të.
Fragmentariteti – pasurim i strukturës tekstore
Kur i referohemi fragmentaritetit si tipar i qenësishëm i romanit modernist dhe sidomos atij postmodernist, nënkuptojmë jo vetëm gjallimin e tekstit letrar si një tekst me strukturë komplekse, por edhe si një tekst me një strukturë të pasur. Pasurimi i tekstit përmes ndërlikimit narrativ dhe llojeve shkrimore përbën edhe çështjen e pasurimit të stilit, që sjell edhe talentin dhe finokërinë e shkrimtarit që lëvron letërsinë. Në këtë rast fragmentariteti manipulohet edhe nëpërmjet lojës që kryhet me tipologjinë e shumëllojshme shkrimore. Mund të përmendim edhe faktin që ndërfuten edhe tekste joletrare, të cilat luajnë me kujtesën e lexuesit, të lexuesit model, në varësi të erudicionit të tij. Të tillë komponentë janë edhe nga disiplina e historisë, filozofisë, psikologjisë, por edhe e shkencave ekzakte. Në romanin “Sarah” shohim shembuj të shumtë fragmentesh të ndërkallura, me konotacion politik. Kjo ndodh për faktin se insistohet të implementohet një besnikëri ndaj kohës në të cilën bëjnë pjesë ngjarjet. Duke qenë se në roman evokohen fragmente shkresash politike të cilat kanë funksion sanksionues kundrejt aktit të shfaqjes publike të Sara Blloshmit, që në raport me sistemin kanunor konsiderohej si një akt i papranueshëm, lind nevoja e respektimit të burimeve në dialektin geg që përligj edhe aspektin dinamik. Përpos karakterit fragmentar ato mbartin edhe funksionin komunikues, që sintetizon urdhresën e sanksionimit të Sara Blloshmit, si shkelëse e kodit kanunor, që bashkëvepronte me atë teologjik. Nuk mungojnë gjithashtu dhe të dhëna institucionesh prej nga vijnë këto sanksione, përfshirë edhe të dhëna shifrore që i përkasin një regjistri zyrtar.
GJYKATA KOLEGJIALE E TIRANËS
Nr. 159 i dosjes
Nr. 326 i vendimit
Nr. 287 i gjykimit
AKT GJYKIM
Në emër të Lart Madhëries së Tij ZOG i I-rë.
Me vullnet të popullit Mbret i Shqiptarëvet
Gjykata Kolegjiale e Tiranës e përbërë prej z. I. Leskovikut gjyqtar filluar, Sh. Çelkupës ndihmës gjyqtar filluar A.Nathanailit gj. Hetuese tu qenë gati zëvendës prokurori A. Lumani dhe sekretari A. Lala në gjyqin që rrodhi tërësisht e në mungesë në padien e ngrehur prej Prokurories së Shtetit në emër të së drejtës botnore. [A. Peza, f. 278]
Simulimi i personazheve reale (dytësorë)
Kur bëhet fjalë për një roman historik, duhet të kemi parasysh se një rol të rëndësishëm përbën jo vetëm përshkrimi i mjedisit, në të cilin vendosen ngjarjet, por edhe personazhet të cilët marrin shkas për t’u tipizuar prej imazheve të personaliteteve historike. Në këtë rast, flasim se kemi të bëjmë me teknikën artistike të simulimit, që ka në thelb konceptin e rindërtimit ose rikrijimit.
Kur shkrimtari kërkon sipas qëllimeve të tij autoriale për të sendërtuar një roman historik, kjo nuk do të thotë se procesi i nënshtrohet një orvatjeje kopjimi të realitetit, por një përpunim, një përsiatje rreth tij. Kjo do të thotë se ndërfutet efekti i manipulimit në teknikën e simulimit, që zbulon njëkohësisht edhe përpjekjen e shkrimtarit për të përsiatur mbi këtë realitet që do të marrë fizionominë e realitetit letrar. Kështu, realiteti konkret transfigurohet në një realitet artistik, përmes profilit të personazheve, tipareve psikologjike dhe sociologjike që mishërojnë ata.
Në romanin “Sarah” ndeshim personazhe të rimarrë nga rrethanat historike. Edhe ata përmbajnë një rol të rëndësishëm sepse veprojnë e logjikojnë në raport me personazhin kryesor, si dhe bëhen pjesë e bashkëndarjeve të emocioneve, më afër se kushdo tjetër. Një personazh që bie në sy është Fuad Beu, i cili ka pasur rolin e Ministrit të Brendshëm. Në roman, nuk shihet të transmetohet qëllimi i përshkrimit të Fuad Beut si funksionar shtetëror, por të përshkruhet psikologjikisht si një njeri që është në një luftë të brendshme me vetveten, pasi e ka kuptuar se koha është armikja e tij më e madhe: shumë vjet pas ritakimit të tij me Sara Blloshmin, ai mëson se ajo është martuar; një martesë kjo që i krijon peng në zemrën e tij dhe mosdëshirën për ta pranuar disfatën që jeta i ka punuar pas shpine. Këtë disfatë jo vetëm që e mëson Sara Blloshmi por edhe A. Zogu, i cili mbetet i befasuar së tepërmi aq sa vendos të dijë më shumë në lidhje me këtë histori.
Ndërkohë, të bën përshtypje fakti se Selahudin Blloshmi, i shoqi i saj, edhe pse shpërblehet me titullin “Kalorës i Legjionit të Nderit”, vjen i sfumuar porsi një siluetë. Gjithashtu, ai nuk ka asnjë pikëtakim me asnjë intrigë ose debat të zhvilluar në tekst, për vetë faktin se mosveprimi i tij kërkon të lërë një efekt enigmatik te lexuesit. Dhe është me rëndësi të kujtojmë se Fuad Beu ndjen një urrejtje të theksuar ndaj tij, prandaj ai bën përpjekje për të rendur pas Sarës, si një utopi për të rikthyer kohën e humbur, që njëkohësisht lufton me kohën e zhgënjimeve të tij të aktualitetit.
Qyteti si metonimi e mendësisë partriarkale
Në letërsinë klasike dhe atë moderniste nuk mund të flitet pa marrë parasysh konceptin e qytetit. Qyteti është një koncept që nuk përfshin vetëm planin hapësinor, por edhe atë kohor, në varësi të qytetërimit, të sistemit të qeverisjes. Nihet edhe nocioni i qytetit-personazh, në dukje abstrakt, por që përmbledh edhe kapacitetin emocional të banorëve të një qyteti, mendësitë, zakonet, si pjesë e kulturës dhe traditës përkatëse. Qyteti-personazh përmbledh në mënyrë metaforike atributet kolektive të një bashkësie të caktuar banorësh.
Romani “Sarah” e rimerr këtë ide, të projektuar në sintezë me qytetin e Tiranës, si kryeqendër politiko-administrative, me gjenezë që prej sundimit osman. Me kulturën islamike si dominante e fushave jetësore, mentaliteti patriarkal bëhet një organizues i gjithanshëm i tyre. Bashkërendimi i fesë islamike me sistemin kanunor krijuan gjithashtu një sistem të gjerë tabush që cenonin kryesisht të drejtën e gruas (shqiptare). Jo rastësisht Tirana përshkruhet si një qytet i fjetur, i përgjumur, pasi dominon ndrydhja, kompleksi i brendshëm për t’i bërë ballë sfidave të përditshmërisë. Përgjumja nuk është tjetër veçse një përgjumje metaforike e gjendjes apatike të banorëve të qytetit, të cilët ndihen të paaftë për të ndryshuar fatin e tyre. Kjo gjendje bie në kontrast me histerinë kolektive të shpërthyer prej zhurmës që përhapi performanca e Sara Blloshmit jashtë kodit islamik të veshjes.
Pra nga përgjumja figurative kalohet në një histeri të përgjithshme aq sa bëhet e padurueshme për tërë ata receptues që e vlerësojnë performancën e realizuar në ambasadë, me synim antipolitik, antikulturor. “Qyteti dukej më i kërrusur e i përgjumur në mëngjes. Një ditë më parë shiu e kishte rikthyer baltën anekënd. Pranë xhamisë së Et’hem Beut fshatarë të zbritur nga rrethinat e tyre nëpër kalldrëme e tezga. Ndërsa dielli po mundohej të nxirrte syrin përmes një bohçeje të stërmadhe resh të dendura ngjyrë gri, të errët në të zezë.” [A. Peza, f.3]
Megjithatë, bashkë me zhvillimin e infrastrukturës, tregtisë, arsimit, do të nxiste ardhjen e një fryme të re emancipuese, me përmasat e bashkëkohësisë moderne, që do të shpallë edhe një luftë të thekshme mentalitetesh. Dalja nga letargjizmi shekullor nënkupton luftën ndërmjet së vjetrës dhe së resë (konservatorizmit dhe modernizmit). Nga ana tjetër, ky ndryshim është i gradualshëm dhe kërkon kohë për t’u pranuar nga të gjithë. “Tirana, megjithëse nuk kishte mbushur ende 6 vjeç qëkurse ishte shpallur kryeqytet, kishte filluar të mendonte. Ndryshe nga qendrat e tjera urbane apo rurale të Shqipërisë, po zgjohej çdo ditë e më herët dhe po flinte çdo natë e më vonë.” [A. Peza, f. 25]
Balloja mbretërore – kulminacion debatesh
Ballot mbretërore janë një formë organizuese e festave dhe e ceremonive të shumta, me origjinë kryesisht mesjetare, me prejardhje prej monarkive angleze dhe franceze (sidomos) të shek. XIII- XIV. Në këto organizime spikasin ambientet në të cilat mbahen, si dhe klasat pjesëmarrëse, përfaqësuese të sërës aristokratike. Gjithashtu edhe sjellja është shprehje e kodit kulturor. Ky kod identifikohet në sajë të gjesteve të imtësishme dhe tematikës që trajtohet. Karakteri ceremonial përmban edhe madhështinë e atmosferës së përftuar. Edhe veshjet, si pjesë përbërëse e kodit kulturor nuk mund të mungonin, pasi reflektojnë edhe statusin e çdo klase sociale. Romani “Sarah” përmban brenda strukturës tekstore edhe episodin e zhvillimit të një balloje mbretërore. Përshkruhet hollësishëm hyrja e familjes së mbretit Zog, konkretisht e ëma, e mbiquajtur “Nana Mbretneshë” (me një konotacion përnderues) dhe gjashtë motrat e tij, në statusin e princeshave. Nuk mungon as përshkrimi i uniformës së vetë mbretit, si organizues i kësaj balloje, me tërë hijeshinë dhe elegancën që e karakterizon, përmes obsesioneve të Gjon Lacës, një personazh tjetër i huazuar nga realiteti historik, i njohur si një rrobaqepës i veshjeve luksoze të klasit të lartë. Gjon Laca, në monologjet e tij të brendshme, shpreh një admirim të thellë jo vetëm për virtytet, por edhe për të metat që ai ka: “Do të ishte shumë kurioze që në librin që do të financonte të shkruaja për çdo detaj që lidhej me jetën private të vetë mbretit. Sepse njerëzit nuk do të mjaftoheshin vetëm duke mësuar kuriozitete për gardërobën e tij, ku i porosiste kostumet, kush ia qepte, sa kushtonin, si dhe kush ia merrte masën? E as vetëm nga i vinin këmishët, si i zgjidhte dhe i kombinonte ngjyrat e tyre me kostumet e këpucët, si i personalizonte, çfarë qëndiste në to dhe ku? Po shamitë që i zbukuronin aq hijshëm xhepat e kostumeve ku i porosiste dhe i zgjidhte? Kollaret, cigaret, pipat e duhanit, çorapet dhe këpucët?” [A. Peza, ff. 182-3] Nuk mungojnë debatet dhe thashethemet në një ballo, për më tepër, kur është e tipit mbretëror, pasi nuk ka për thelb vetëm argëtimin por edhe ballafaqimin ndërmjet personaliteteve të famshme. Edhe në këtë fragment që cituam, ndihet kureshtja e madhe për të mësuar çdo detaj të jetës private të A. Zogut. Ndërkohë, prania e shumë personazheve dytësorë si dhe e dorës së tretë, i japin romanit një panoramë më të plotë të jetës së viteve ’30, me një karakter natyralist, tepër të detajuar. Fundi i ballos shënon një shfaqje të pazakontë publike: tashmë shikojmë që jo vetëm Sara Blloshmi fillon të kërcejë e zbuluar, pa ferexhe e burka, por edhe motrat e saj si dhe motrat e familjes mbretërore Berisha (Anxhela dhe Karla), duke performuar nën entuziazmin e ritmit të muzikës klasike dhe moderne për një kohë relativisht të gjatë. Padyshim që në një atmosferë të tillë do të shpërthejnë debate mbi ardhjen e një qytetërimi të mirëfilltë të mundshëm.
Letra si shprehje e ndryshimit të situatave
Letra është një formë tjetër komunikimi që dhënësi ia dërgon marrësit me një synim të caktuar. Ajo mund të jetë e llojeve të ndryshme: kërkesë, ankesë, urim, ftesë, lajmërim etj. Kur letra dërgohet mes dy personash me marrëdhënie afinitive, besnikërie ndaj njëri-tjetrit, atëherë merr një domethënie të veçantë. Në letërsi është e njohur tipologjia e romanit epistolar, që përmban një strukturë semiotike të përshkuar nga struktura grafike e letrës, ngjarjet e së cilës transmetohen përmes dhënësit te marrësi në mënyrë të vazhdueshme. Ky lloj romani është lëvruar kryesisht në letërsinë klasiciste dhe sentimentaliste, për të theksuar subjektivizmin e karakterit të personazheve. Ndonëse nuk përmban një strukturë të larmishme letrash, romani “Sarah” ka të integruar në tekst tri letra të ndryshme të cilat insistojnë në ndryshimin e situatave. Duke qenë se vepra mbizotërohet nga koha historike, pritet të ndodhë gjithçka: ndëshkime, lidhje, ankesa, marrëveshje të fshehta, manipulime etj. Shohim konkretisht tre raste të ndryshme, të strukturës së letrës me tre semantika që i përkasin këtij funksioni të sipërcituar:
1- Letra si gjendje alarmi: Një gjeneral i ashtuquajtur Kardoff ka dërguar një letër ankese në Ministrinë e Punëve të Jashtme Gjermane (në Shqipëri), në të cilën raporton se Sara Blloshmi ka filluar të sjellë probleme në lidhje me çështjen e imazhit të femrës shqiptare, si pasojë e mbulimit të saj, si pjesë e performancës publike. Kështu letra merr një karakter politiko-administrativ, me synim shprehjen e një gjendjeje alarmi, nga frika e emancipimit social, përfshirë edhe aspektin paragjykues dhe paralajmërues për ndëshkimin e S. Blloshmit.
2- Letra si ftesë për njohje: Sigurisht që performanca e S. Blloshmit në mënyrë publike pritej të nxiste reagim jo fort në favor të saj nga ana e Z. Zogut. Por përhapja e famës së saj në një formë thuajse virale, e shtyn A. Zogun t’i dërgojë letër për t’u njohur me të në mënyrë më të hollësishme. Dëshira për të pirë çaj, theksimi i privilegjit të tij për ta njohur atë, konsiderata që ai ka krijuar për të, janë shenja të një afrimiteti që do të lindë mes tyre, e kurorëzuar më pas në një lidhje pasionante.
3- Letra si pretendim: Vdekja e Selahudin Blloshmit sjell në skenë edhe një personazh të panjohur më parë: Qamile Blloshmi, ish- gruaja e tij e parë e cila, pasi ka mbetur e varfër, me tri fëmijë, e ndjerë si e braktisur nga fati, kërkon të banojë në shtëpinë e të shoqit të saj të ndjerë, si dhe t’i rikthehet një pjesë e pronave të tij, në statusin e pasurive të patundshme. Pretendimet e saj të shumta duket se cenojnë reputacionin jo vetëm të tij por edhe të Sara Blloshmit, e cila kërkon t’i rrëzojë këto pretendime.
Nga këto tre raste shikojmë që semantikat e shpërfaqura përkatëse si gjendja e alarmit, ftesa për njohje dhe pretendimi janë shprehje e ndryshimit të situatave që përpos befasisë, synojnë edhe elementin e së resë drejt rrugëzgjidhjes së problemeve të krijuara.
Enigma e vdekjes së Selahudin Blloshmit- vrasje masonerike?
Një situatë që mund të hapë polemika për të debatuar mbi romanin “Sarah” është situata e vrasjes së ambasadorit shqiptar Selahudin Blloshmi, sipas kontekstit letrar. Në të, aludohet se ai është vrarë sipas riteve masonerike. Masoneria është një tërësi praktikash të fshehura sataniste, me origjinë që në lashtësi, që synon të vendosë një strategji sovranitare mbarëglobale. E njohur ka qenë dhe vazhdon të jetë urrejtja e masonëve kundrejt hebrenjve, si popull i zgjedhur i Zotit. Praktikat masonerike janë të përbëra kryesisht nga loja simbolike e shifrave numerike dhe e figurave gjeometrike. Ata shfrytëzojnë simbolikën hebraike për të denigruar kulturën hebraike. Edhe Shqipëria e viteve ’30 nuk mbeti pas në këtë raport. Prej kohësh, vendi ynë ka strehuar hebrenj, të cilët donin t’u mbijetonin përndjekjeve masive politike. Mbreti Zog nuk kishte asnjë parapëlqim mbi ardhjen e tyre dhe sipas dëshmive, kur u rrit fluksi i ardhjes së tyre brenda vendit, ai përfitoi të rriste taksat e hyrjes [Sh. Sinani]. Në tekst, hidhet polemika e lidhjes së Selahudin Blloshmit me klubet masonerike, siç përmendet “Orienti i Francës”, që mendohet t’i kenë kërkuar të krijonte degën “Rui Lopes” (“vëllazëria kombëtare”). Një klub tjetër i tillë në Francë është klubi “Dyma” i përfaqësuar nga Aleksandër Dyma. Në këto klube mbizotëron shfrytëzimi i shifrave 1, 2 dhe 3 [A.P. Reverte]. Gjithashtu duhet të mbajmë parasysh edhe dy fakte: 1) që anëtari që frekuenton këto klube nuk duhet të tregojë sekretet e as të rebelohet sepse e pret një vdekje e frikshme dhe torturuese dhe 2) simetria e kombinimit të numrave është harmonike dhe tepër e përsosur. Në roman ndërfutet koncepti i vrasjes enigmatike, që i jep tekstit karakterin e një romani policor. Pas kombinimit të numrave dhe përputhjes së tyre me numrin 7, zbulohet një akt manipulimi, që në pamje të parë jepte idenë se Sara Blloshmi ishte fajtorja kryesore e vrasjes së të shoqit; sepse ishte gjetur një gjurmë gjaku në formën e numrit 7 që sipas hamendësimeve, ai e kishte shkruar kur e pa se po e mbysnin në vaskë. Për këtë, inspektoriati e përllogarit bazuar mbi alfabetin e Pitagorës:
“S” i korrespondon numrit 3.
“A” i korrespondon numrit 1.
“R” i korrespondon numrit 2.
“A” i korrespondon numrit 1.
Në këtë mënyrë po t’i mbledhim, kemi 3+1+2+1=7. Pra emrit Sara i korrespondon numri 7…
Shpesh njerëzit që simbolizohen me numrin 7 janë më të bukurit fizikisht. Midis tyre ndodhen jo vetëm artet e bukura, por edhe magjia e artizanatave të fshehta, të vogla e të panjohura, që arrijnë të krijojnë një gjendje mrekullie ose ekstaze të përgjithshme kolektive. [A. Peza, ff. 224-225].
Çështja e vdekjes së Selahudin Blloshmit përmes një vrasjeje masonerike mund të jetë vetëm një formë artistike, fiksionale e intrigës artistike. Sepse në krahasim me realitetin letrar, Sara nuk ka vrarë të shoqin para martesës së A. Zogut me mbretëreshën Geraldinë, por pas ardhjes së regjimit komunist, ata u shpërngulën në Londër bashkë me vajzën e tyre, Verën.
Ritakimi si sfidë të papriturash
Ritakimi mes dy personash, sidomos pas një periudhe të gjatë pa u parë me njëri-tjetrin, si periudhë e pezullt e marrëdhënieve të ndërprera të tyre, është një çast që provokon reagime të rrufeshme. Emocionet që zgjohen janë të shumëllojshme a qoftë të shumëfishta njëherazi: nostalgji, entuziazëm, të përshkuar nga ndjenja e mallit por edhe tronditje, trishtim, mllef. Ritakimi ndodh në një grimëçast kohe që arrin të lidhë të shkuarën me të tashmen. Në letërsi është i njohur koncepti i dykohësisë, i sintezës së dyfishtë të këtyre kohërave, që edhe në realitet përfton ndjesinë e së jashtëzakonshmes. E njëjta situatë është krijuar edhe në romanin “Sarah”. Por kur bëhet fjalë rreth përballjes së Sara Blloshmit me mbretin Zog, konkretisht tetë vjet pas përpjekjeve të institucioneve shqiptare për ta burgosur atë (me pretendimin se ajo kishte vrarë të shoqin, Selahudin Blloshmin), dhe pas martesës së bujshme të mbretit me mbretëreshën Geraldinë, tronditja midis tyre ishte e tipit më të fortë të përjetimit. Duket se dashuria dhe kujtimi i dorëzimit erotik një natë para dasmës mbretërore, nuk ishte fashitur. Sipas të dhënave (fiksionale) të veprës, mbreti Zog ndodhej në Londër në janar 1946 dhe ndjente nostalgji për hotelin “Ritz”, edhe pse tani jetonte në kështjellën Buckinghamshire. Një ditë, Sara iu faneps befas teksa po dilte nga një makinë luksoze me tërë hijeshinë dhe krenarinë që e karakterizonte atë. Diferenca kohore ka sjellë edhe ndryshime në jetën e këtyre protagonistëve. Përpos faktit të ditur se mbreti Zog është i martuar, gjë që shënonte edhe fundin e vetëdijshëm të dashurisë së tij për S. Blloshmin, ne mësojmë edhe përballjen e tij me regjimin komunist (përmendet emri i figurës së E. Hoxhës, si përfaqësues kryesor i saj), që do të shënonte edhe fundin e lidhjes së tij politike (monarkike) në Shqipëri, çka përbën një goditje të dyfishtë për këtë personalitet. Ndërsa për Sarën mësojmë se është martuar me Vandeleur Robinson-in, ish-atasheun e shtypit në Misionin Britanik në Tiranë. Gjithashtu ky ritakim hap sërish edhe kureshtjen e Sarës për të mësuar se kush e vrau në të vërtetë të shoqin e saj të ndjerë, një kureshtje që koha e ktheu në një dilemë gërryese. Përgjigjja që mëson e kthen përmbys gjendjen e saj shpirtërore. Zhvillohet një skenë që nënkupton disfatën e saj në të kaluarën, që merr përmasa dramatike:
“Thuaje! – gati ulëriti ajo me kokën lart, për t’iu afruar më pranë.
-Anxhi Berisha.
-Filxhani i çajit kërceu edhe më zhurmshëm nga tavolina, për t’u bërë copë e çikë në dysheme, sa i gjithë holli i hotel Ritz-it u kthye drejt tyre. Sara Blloshmi ashtu siç ishte pa pallto, shall e kapele nxitoi drejt daljes, duke vrapuar e vrapuar me duar në kokë, derisa humbi nëpër pyllin përballë që gjëmonte nëpër errësirë.” [A.Peza, f. 396]
Ritakimi, ndonjëherë, vë në sfidë të papriturash çdokënd, në çfarëdolloj situatash qofshin, aq sa të jenë edhe të papërballueshme psikologjikisht, në përmasën e katastrofës, si në këtë shembull të ilustruar, ku ballafaqimi krijon situata të jashtëzakonshme.
Kompleksiteti i figurës së femrës: nga liria te hakmarrja
Romani “Sarah”, mesa pamë me figurën e Sara Blloshmit, kishte për qëllim të transmetonte idenë e një sfide domethënëse ndaj kulturës islamike, me prirje europianizuese, në raport me çështjen e rindërtimit të identitetit individual të saj. Por gjithashtu, në rrjetin e tekstit ndërfuten edhe dy personazhe të tjerë, që mbrojnë botëkuptimin feminist të saj: Anxhelina dhe Karla Berisha, dy motra, të cilat njiheshin si pjesë e shoqërisë së Blloshmit. Ato prezantohen si frekuentuese të “Tenis Klub Tirana”, gjë që tregon për lirshmërinë e ndërveprimit të tyre në kohë dhe hapësirë. “Qëkurse ishte themeluar ‘Tenis Klub Tirana’ më 1922-in, ajo vijonte të ushtrohej rregullisht, te dy fushat e rrugës ‘Gjon Muzaka’ diku aty mes lagjes së Bogdanëve. Herë duke luajtur tek e tek e herë dyshe-dyshe. Pasi e thyen të parat tabunë, Sarës dhe motrës së saj, kish kohë që i bënin shoqëri edhe dy motrat Berisha, Anxhelina dhe Karla.” [A. Peza, f. 31] Lojërat e shumta që ato praktikojnë janë një sintezë e dëshirës vetëmotivuese dhe talentit që ato mbartin bashkë me nocionin e lirisë, që nënkupton lirinë e komportimit të tyre të natyrshëm, pa kurrfarë kompleksi. Sporti është një kategori e kohës së lirë që më së shumti praktikohet nga meshkujt, dhe marrja me sport e Blloshmit dhe e motrave Berisha nuk është e rastësishme. Është një aspekt që shenjon një sferë të mendjes emancipuese si pretendim i barazimit të tyre me meshkujt, si një dëshirë që nuk ka të drejtë askush t’ua cenojë, pasi tashmë me sport mund të merret kushdo.
Prezantimi i Anxhelinës dhe i S. Blloshmit shpërfaqet përmes teknikës së krahasim-kontrastit, të ndërthurur edhe me përshkrimin, në mënyrë që të ballafaqohet diferenca mes tyre, por edhe që të vihet në pah marrëdhënia që ato kanë krijuar me njëra-tjetrën. “Kur doli në fushë edhe Anxhi, nisën fillimisht vrapin e lehtë, e më pas, kombinimin e ushtrimeve të nxehjes, me gjuajtjen e topave dhe kryerjen e shërbimeve. Pas rreth 10-15 minutash filluan lojën e rregullt. Të dyja ishin një kombinim perfekt i dy gjysmave të ndryshme harmonike. Njëra kishte forcën, tjetra elegancën. Njëra përgatitjen atletike, tjetra finesën. Anxhi ishte trupi i përkryer prej atleteje e lojërave olimpike të Greqisë së lashtë, ndërsa Sara harmonizimi i përsosmërisë femërore.” [A. Peza, f. 32] Një tjetër aspekt që portretizon këtë trinomi është zilia, deri edhe urrejtja që vajzat kanë kundrejt njëra-tjetrës, konkretisht e motrave Berisha kundrejt Sara Blloshmit. Nuk mungojnë ironitë e dendura kundrejt Sarës, pasi kjo e fundit, si femra e parë që hapi siparin e emancipimit femëror, duket se po i kushton shumë rëndësi vetes, duke i lënë në rend të dytë motrat Berisha. Megjithatë, ajo nuk e priste këtë receptim nga opinioni publik, por duke nisur nga fakti që ajo është me pozitë të lartë politike, e martuar (si gruaja e një ambasadori) dhe me fëmijë atëherë ajo nuk mundet t’u shmanget opinioneve të tilla.
Një skenë që përsiat mbi këtë raport, është e momentit kur Sara Blloshmi shpreh entuziazmin e saj të pamasë kundrejt shoqeve në lidhje me lajmin që mëson nga vetë Ahmet Zogu, se së shpejti do të bëhej mbret i shqiptarëve; një entuziazëm i përligjshëm ky, i cili përmbante në thelb deklarimin e fatit të karrierës politike të A. Zogut. Në vetvete, është edhe një ndjenjë e theksuar optimizmi, që pa e kuptuar as vetë Sara po shndërrohej në një dashuri të beftë platonike. Nuk mungojnë shpotitë e Anxhelina Berishës në të cilat evokohet një tjetër figurë e dalluar historike, Mit’hat Frashëri, rreth të cilit mendohet se ka pasur një lidhje erotike me të. Zgjohet aluzioni i flirteve të Zogut me të, duke shfrytëzuar këtë situatë.
“Është shumë i mirë i shkreti – ia ktheu Sara.
-Pse i shkreti, mi?
Sepse tani jemi bërë si motër e vëlla, – shpërtheu në të qeshura ajo.
-Prandaj po rri aq shumë me Mit’hat Beun ti kohët e fundit? Apo nuk është një Donzhuan, ai, – e pyeti Anxhi gjasme xheloze.” [A. Peza, f.173]
Fakti që të dyja motrat janë të pamartuara, u jep të drejtën të ironizojnë mendimet e shoqes së tyre, e cila mori statusin, të themi, e “famëkeqes”, por edhe e femrës më delirante dhe më kryeneçe të viteve ’30.
Marrëdhënia e kësaj trinomie fillon të kriset pas zhvillimit të ballos mbretërore, në të cilën paraqitja e Sarës shenjon kulmin e shkëlqimit të saj. Shpallja e bujshme e martesës së mbretit Zog me mbretëreshën Geraldinë si dhe përhapja e thashethemnajës së lidhjes sekrete të Z. Zogut me Sarën, për më tepër që ajo posedonte një pozitë të lartë politike sikurse e përmendëm, nxiti xhelozinë e motrave Berisha, një xhelozi që mori përmasat e një hakmarrjeje të dhunshme e të dhimbshme. Vrasja e Selahudin Blloshmit ishte një gur shahu strategjik për të rrënuar tisin e shkëlqimit të saj. Mungesa e motrave në debatet politike lë vend për dyshime si fajtore kryesore, edhe pse lexuesi, në pamje të parë, nuk e përkap asnjëherë këtë alternativë. Ky planveprim i tyre shfaqet mjaft i mirëmenduar dhe i manipuluar aq sa edhe të mos lenë asnjëlloj gjurme në skenën e krimit. Ky krim i organizuar merr një karakter spektakolar, të bujshëm, po aq sa performanca antikulturore e Sara Blloshmit. Mund të themi se këto protagoniste përfaqësojnë profilin e femrës vrastare, bazuar mbi motivin e pabesisë. Ky profil sjell edhe shkatërrimin e kultit të femrës, që do të pasojë me një ankth të përgjithshëm social. Dekultizimi vesh me nota groteske botëkuptimin femëror, për t’i dhënë edhe natyrën e femrës konspirative, të mbushur nga etja për hakmarrje.