Është nënshkruar marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë për hekurudhën dhe autostradën që lidh dy shtetet. Kjo është bërë nën prezencën e ambsadorit amerikan Richard Grenell dhe presidentëve të dy shteteve Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç.
Në ceremoninë e nënshkrimit ka marrë pjesë edhe ambasadori Philip Kosnett dhe Drejtori i të ashtuquajturës Zyrës Serbe për Kosovën Marko Gjuriç.
Lajmin e ka bërë të ditur Ambasada Amerikane në Berlin, përmes një postimi në Twitter.
“Duke ndodhur tani- ora 9:30 në Mynih, ambasadori Grenell do të shoqërohet nga Presidenti Vuçiç dhe Presidenti Thaçi për ceremoninë e nënshkrimit për marrëveshjen për hekurudhën dhe autostradën mes Serbisë dhe Kosovës”, thuhet në postimin e ambasadës.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se kjo marrëveshje është një hap tjetër i arritjeve të Kosovës për zhvillim ekonomik.
Ai gjithashtu ka shprehur falënderime për Administratën Trump për përpjekjet e tyre në arritjen e marrëveshjes përfundimtare mes dy shteteve të Ballkanit Perëndimor.
“Ambasadori Grenell të falënderoj për punën e shkëlqyer për këtë marrëveshje. Është një hap tjetër i arritur i progresit pas marrëveshjes së linjave ajrore Prishtinë-Beograd. Marrëveshja e sotme për hekurudha dhe autostrada është mesazhi më i mirë që rajoni do të ketë paqe, zhvillim ekonomik, progres, vende të punës, pra ajo çka ju duhet njerëzve tonë në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor”.
“Kosova beson në lidershipin e presidentit Trump dhe Administratën që gjatë gjithë kësaj periudhe dhe viti punojnë për marrëveshjen përfundimtare Kosovë-Serbi. Kjo është rruga që duhet të ndjekim në të ardhmen dhe të mos mbetemi peng i të kaluarës së hidhur mes vendeve dhe popujve tonë”.


