Dy ditë pas akteve të dhunës në “Rrugën e Kombit” kundër vendosjes së taksës për automjetet, 23 protestuesit e arrestuar do të dalin sot përpara Gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë.
Gjykata do vlerësojë të ligjshëm ose jo urdhërarrestet e prokurorisë për arrestimin e tyre. Pjesa më e madhe e protestuesve ndodhen në Drejtorinë e Policisë në Tiranë, ndërsa pjesa tjetër në policinë e Kukësit. Mbi protestuesit rëndojnë katër akuza ajo e tubimit të paligjshëm, dhunë dhe kundërshtim ndaj policisë si dhe shkatërrim të pronës publike.
Të shtunën protestuesit u përplasën me policinë në “Rrugën e Kombit” duke hedhur në drejtim të tyre gurë dhe sende të tjera të forta si dhe shkatërruan sportelet e koncesionarit që do mbledhë taksën për automjetet që do kalojnë përgjatë kësaj rruge. Protestuesit kundërshtojnë taksën, ndërsa banorët e zonave të Kukësit i kanë kërkuar qeverisë të rishikojë vendimin.


