Një punonjëse e shtëpisë së fëmijës që dhunon fëmijën jetim, një mësues që qëllon me thupër mbi nxënësin, edhe pse jemi në shekullin XXI. Nuk janë episode filmash, por skena reale, të filmuara në shkollat dhe institucionet tona.
Aktualisht dhuna ndaj fëmijëve në shkollat e vendit tonë nuk është më një ccështje që kalon pa u vënë re. Rritja e ndërgjegjësimit, teknologjia dhe mundësia e regjistrimit të videove bëjnë të mundur identifikimin e rasteve, ndërsa mediat online ndihmojnë në raportimin e tyre gjithmonë e më shumë.
Çfarë ndodhi sot:
Drejtoresha e një shkolle 9 vjeçare në Shkodër ka përfunduar në polici e denoncuar nga kolegët dhe nxënësit e saj.
Titullarja e shkollës “Osman Dhampiraj” në Shtoj të ri, Saime Hegrepi, akuzohet nga mësuesit dhe nxënësit se ka ushtruar dhunë psikologjike e fizike, gjatë një incidenti në ambjentet e shkollës.
Mësuesja Shyti Luljeta Shyti ka theksuar se drejtoresha ka ushtruar dhunë ndaj nxënësve dhe mësuesve. Për këtë arsye, mësuesja ka kërkuar urdhër-mbrojtjeje në polici, ndërsa është shprehur se ky nuk është rasti i parë i dhunës.
Nxënësit thonë se drejtoresha i ka kërcënuar dhe përmes familjarëve të saj ka tentuar që të ushtrojë dhunë. Sipas nxënësve drejtoresha ka dërguar dhëndrin e saj për t’i bërë presion. Madje dhëndri i drejtores ka tentuar që t’i godasë nxënësit. Mësuesit dhe nxënësit thonë se kjo sjellje e drejtores vjen pa asnjë arsye ndërsa ka tre vite që përballen me situata të tilla dhe sot kanë vendosur ta denoncojnë në polici.
******************************
Raste të ngjashme:
Vështirë se do të harrohet nga mendja jonë dhuna që administratorja e kopshtit “Diren” ushtroi ndaj një fëmijë vetëm 3 vjeç.
Ato pamje na pështjelluan mendjen dhe për një moment të gjithë njëherazi e “urryem” ish-gazetaren Anjeza Shabani.
Qëllon me shkop fëmijët:
Një mësuese e shkollës fillore në Zharrëz, Patos, qëllon me shpullë dhe shkop fëmijët e klasës së dytë, të moshës 7 dhe 8 vjeç.
Madje, ajo ushtron edhe dhunë psikologjike, duke i quajtur të miturit zhulsa, të palarë, të këqij etj. Pas dhunës, mësuesja i mëson fëmijët që mos të tregojnë në shtëpi se çfarë ndodh në klasë.
Biseda me mësuese Juliana Dine
Nxënësit: Mirëmëngjesi.
Mësuesja: Mirëmëngjesi.
Mësuesja: Keni mësuar sot? … Çohu, çohu! Pse si ke bërë detyrat?
Nxënësi: Mësuese, unë…
Mësuesja: Ça, ça gënjeshtre… Dale, dale, ule. Ça gënjeshtre do më thuash, ëëë? (E qëllon me shpullë në kokë) Ja të marr pak V. (nënën e fëmijës) dhe ça gënjeshtre do thuash. Ajo, dhe ti bashkë. F… më thuaj pse si ke bërë ti detyrat?
Nxënësi: Harrova mësuese.
Mësuesja: F. ik çik te mami dhe thuaj ku i kam detyrat. Me vrap! Ku i kam detyra thuaj, me vrap!
Nxënësi: O Ma?! Të kërkon mësuesja (qan)?
Gjyshja: Ça ke? Hë?
Nxënësi: Të kërkon mësuesja.
Gjyshja: Të rrahu re?
Nxënësit: Eeee.
Gjyshja: Pse, për çfarë të rrehu ty ajo?
Mamaja: Hape gojën.
Gjyshja: Nuk dije mësimin ti?
Nxënësi: Eee.
Gjyshja: Me çfarë të shtyri?
Nxënësi: Me pëllëmbë.
Një tjeter rast denoncimi është ai ku një mësuese të ciklit të ulët, e cila me një fjalor fyes dhe kërcënues tremb nxënësit e klasës së dytë. Skandali ka ndodhur pikërisht në shkollën 9-vjeçare “Ymer Lala” në Surrel të Tiranës, nga ku prindërit kanë denoncuar rastin e rëndë të mësueses kujdestare të klasës së dytë.
Dialogu i mësueses me fëmijët gjatë orëve të mësimit
Mësuesja: Mirë stop, unë nuk të pyeta ty more. Unë pyeta këtë. Ju nuk dëgjoni nga veshët. Ulu ore Klajd mos fol më, llafazan i keq. A e shkruajte emrin? Kur e mbaron? Gabim Mateo, gabim bëje 6 këtë, çfarë e ke bërë? Bëje 6, budalla. Pse more aq i ngathët ti? Ti je i shkathët vetëm për të ngrënë. Bashkoje, bashkoje, bashkoje, si e hedh ashtu more vizën? Si i jep lapësit? Me ty nuk flas, me ty nuk do flas hiç do të çoj në klasë të parë.
Mësuesja: Moj si nuk pushon njëherë, moj ti që nuk pushon njëherë, llafazane. Pse flet kur flas unë ti? Do dru, do dru ti. S’të merr vesh ajo kokë, ajo kokë nuk të merr vesh. Si moj harro ti kështu moj, goc e keqe. Ik atje, llafazane, o vdeksh ti ishalla! Hajde moj ti mos llap, hajde njëherë.
Mësuesja: Ti ti qenke llafazan ti, ti mor qenke llafazan pse je kthyer mbrapa? Vdeksh ti ishalla, vdeksh! E pashë njërin që e hap gojën i shkreti ai. Ec aty llafazan i keq, shif moj shkrimin aty bukur, bukur. Gjithë atë pikë more, si dreqin e bëre gjithë atë pikë more sa koka jote. Mjaft moj llafazane. Ai që nuk di ta bëjë është nxënës i keq. Budall o budall! A ke më Ester, o Ester llafazane s’të vjen zor. Mjaft moj mjaft se na çmënde, llafazane. Djal i keq. Ai nuk të vjen turp? Mos flisni ju, mos flisni, me të ardh aty ta tregoj unë të shamen ty. Pse rri moj Majsi, merre atë e mos na rri ashtu. Gocë e keqe. Mos fol, mos fol, mos fol ti goce vetëm ta kap atë që flet. Ju rëntë pika ju rëntë që nuk morët vesh njëherë! Ti di vetëm me vrapu, me shajt, me ngrënë, s’ke turp? Djalë i keq. Çfarë je duke bërë? Nuk e bëre edhe njëherë katrorin tamam i shkreti ti çfarë do heqësh. Këtu do të mbyll. Ti qenke i çmendur more, nuk paske tru në kokë. Këtu, djalë i keq. Ee ulu moj Livia, ulu moj Livia, nuk të vjen turp nuk di të bësh një katrorë, bashkë me këtë budallain këtu. Do me u mbyll këtu ti. E me ju lëshu asaj do ja shkul ato flokët, tullë do ta lë. Mjaft moj dreqi e marrtë, të shoh njeri që qan këtu të iki. Të iki fare ai që qan, çohu e ik, merri librat. Nisu! Është e hutuar fare kjo Majsi, kjo ka ikur fare. Vetëm një e katërta ,moj ti goce moj do dru ti, shpejt ma sill këtu, mos bëj llapa, llapa.
Mësuesja: I rëntë pika asaj është bredharake.
Nxënësi: Po shkoj në tualet.
Mësuesja: Çfare mistrecje është, ajo është e papame. Pse lodhesh o Ester a i ke bërë detyrat? Vdeksh! Mjaft moj dreqi e marrtë, shko , nisu. I ka të gjitha gabim e nuk di shkronjat. Do të çoj në klasë të parë. Ça ke atë fletore? Do të çoj tek klasa e parë, çohu, çohu shko tek klasa e parë, hajde të çoj tek klasa e parë, djal i keq çdo ditë vjen pa detyra. Çohu , çohu ik tek klasa e parë, nisu, s’janë flertore këto, ça fletoresh janë këto? Zhgarravina, ku e ke të mbështjellur e të rregullt ? Ku i çon këto fletore? Nesër të na vijë kontroll ku shkon ti me këto fletore?Ule moj zërin se je në klasë, ç’ke more që gjuan? Ti i çmendur je! Hajde. Mjaft, mjaft, mjaft ore Klev. Mjaft se vetëm do të nxjerr se ti nuk mer vesh ndryshe. Dëgjo, me të ardh atje… kush është duke qeshur? Edhe ato dy fijet që i ke atje maj kokës do t’i heq, që i ke si gjel. Sille këtu ishalla nuk e ke mbaruar po nuk ta hoqa kokën. Ishalla nuk e ke mbaruar. Ta heq fare kokën. Di vetëm të qeshësh, ta heq fare kokën.
Në Shkodër, Koplik:
Një mësuese e shkollës fillore qëllon me shuplakë një prej nxënëseve të saj, pas një irritomi të shkaktuar nga fëmija.
“Çfarë është ai muhabet”, janë fjalët me të cilat dëgjohet t’i drejtohet mësuesja nxënësit të klasës, ndërkohë që i qëllon.
Dhuna e mësuesve ndaj nxënëseve ishte lënë prej kohësh pas krahëve, duke u konsideruar si një fenomen i harruar.
Video është regjistruar nga vetë bashkëmoshatarët e nxënësit, të cilët ndodhen në një klasë me të.
Mësuesja ushtron dhunë verbale dhe psikologjike ndaj nxënësit autik
Në klasën e parë B të shkollës 9-vjeçare “Konferenca e Pezës” në kryeqytet, mësuesja Filloreta Dervishi ushtron dhunë verbale dhe psikologjike ndaj një 10-vjeçari me elemente autizmi.
Mësuesja e mënjanon dhe e shpërfill, në vend që të përpiqet ta përfshijë në mësim dhe në aktivitetet e tjera të klasës. Ajo nuk përpiqet ta aktivizojë aspak fëmijën, madje ajo e largon edhe nga grupi i provave për festën e abetares.
Përgatiti: AlpeNews.al





