Dhëndri dhe këshilltari i presidentit Donald Trump, Jared Kushner ka paguar shumë pak, ose aspak taksa federale mbi të ardhurat mes viteve 2009 dhe 2016.
Kështu thuhet në raportin e publikuar gjatë së shtunës nga “New York Times”, që citon dokumente financiare konfidenciale.
Dokumentet thuhet të jenë krijuar me bashkëpunimin e Kushner, si pjesë e shqyrtimit të financave të tij nga një institucion që po konsideronte një huadhënie ndaj tij.
“New York Times” thekson gjithashtu se, asgjë në dokumentet e shqyrtuara nuk sugjeron se Kushner apo kompania e tij ka shkelur ligjin.
E megjithatë, zëdhenësi i avokatit të Kushnerit, Abbe Lowell ka reaguar ndaj raportit, duke thënë për “Reuters” se nuk mund t’iu përgjigjej supozimeve të gazetës, “që vijnë nga dokumente të paplota, të siguruara në shkelje të ligjit dhe marrëveshjeve standarde mbi konfidencialitetin në biznes”.
“Duke ndjekur gjithmonë këshillat e avokatëve dhe kontabilistëve, Kushner ka dorëzuar dhe paguar në mënyrën e duhur të gjitha taksat, sipas ligjeve dhe rregulloreve në fuqi”, ka thënë më tej ai.
Dokumentet e para nga “New York Times” nuk tregojnë qartazi sesa taksa ka paguar Kushner, por përfshijnë përllogaritje mbi detyrimet “tatime mbi të ardhurat e pagueshme” dhe sa Kushner ka paguar në lidhje me taksat e parashikueshme, të njohura edhe si “taksa të parapaguara”.
Gazeta në fjalë thotë se për shumicën e vitit, të dyja këto zëra ishin në kuotën zero, ndërkohë që në vitin 2013, Kushner raporton tatime mbi të ardhurat e pagueshme në rreth 1.1 milion dollarë.
Deri më tani, ende nuk ka një reagim zyrtar nga Shtëpia e Bardhë dhe kompanitë e Kushnerit.


