Pas dështimit të përpjekjes për të formuar qeverinë e re në Itali, kreu i lëvizjes populiste Pesë Yje kërkoi shkarkimin e presidentit Sergio Mattarella.
Kreu i lëvizjes Pesë Yje, Luigi di Maio, tha në një intervistë televizive se do të kërkojë largimin e presidentit Mattarella bazuar në nenin 90 të Kushtetutës italiane. Pas kësaj në vend duhet të organizohen zgjedhje të reja. Neni 90 i kushtetues ofron mundësinë për ta paditur presidentin për tradhti të lartë ose shkelje të kushtetutës.
Shqetësim për një krizë të re të euros
Planet e aleancës së re qeveritare në Itali për shkurtime taksash, caktimin e një rroge minimale dhe projekte të tjera të shtrenjta, si dhe retorika antievropiane, i kishin shqetësuar BE-në dhe tregjet financiare. Ekonomia e tretë më e madhe në Eurozonë është tashmë e zhytur në borxhe me gati 132 për qind të prodhimit ekonomik. Pas Greqisë kjo është vlera e dytë më e lartë në Evropë.
Ligjet e Eurozonës përcaktojnë një nivel prej vetëm 60 për qind dhe që borxhi i ri vjetor të mos i kalojë tre për qind të prodhimit të brendshëm bruto. Tani po përhapet frika se Italia mund të shkaktojë një krizë të re të euros./DW


