Siç duket vizitat e sotme të politikanëve në terren përgjatë të gjithë zonave të prekura nga përmbytjet e dendura kanë sjellë në vëmendje edhe imazhin e tyre publik këto dy ditë.
E nëse njëri prej tyre ka preferuar të qëndrojë në stilin e tij autentik, duke mos ndryshuar asnjë detaj nga e veshura e përditshme, ka pasur edhe nga ato të cilët e kanë thyer këtë kod veshjeje vetëm për këto ditë shiu që po kalon vendi ynë.
AlpeNews.al ka vënë re disa prej momenteve më pikante të deputetëve (kryesisht ato të Partisë Socialiste, sepse opozita siç duket u mjaftua vetëm me një vizitë në Kamëz). Por gjithsesi le të marrim nën lupën e AlpeNews.al disa prej imazheve kryesorë që dolën sot në terren bashkë me qytetarët:
Kryeministri Edi Rama ka preferuar të qëndrojë në “dashurinë” e tij të fshehtë që është e kush tjetër veçse futbolli. I veshur me një xhup të lehtë ku dukej qartazi një logo e skuadrës së futbollit gjerman me emër “BayernMunchen”, Rama sikur donte të thoshte se vendi është në duar të sigurta, dhe si gjermanët që bëjnë çmos për vendin e tyre edhe ne atë do të bëjmë për vendin tonë.
Megjithatë disa prej vëzhguesve të vëmendshëm kanë gjetur edhe disa pamje të tjera ku kryeministri i vendit shfaqet me një xhup ku duket qartë stema e skuadrës së futbollit të Juventusit.
Të jetë penduar vallë kryeministri për zgjedhjet e tij? Apo ka qenë një rastësi në gjetjen e diçkaje shpejt e shpejt?
Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafa kundrejt sportivitetit të kryeministrit ka zgjedhur të duket më serioz me gjendjen. Xhafa siç duket ka dashur të thotë se gjendja është nën kontroll, dhe ai së bashku me të tjerët është gati për çdo moment rreziku që mund të vijë. E sikur të mos mjaftonte ngjyra e zezë dominante, ministri i brendshëm ishte më familjar se në asnjë dalje tjetër të tijën publike.
Ndoshta edhe është frymëzuar nga Trump që në përmbytjet e fundit të Puerto Rikos ishte gjatë gjithë kohës me kostum.
Nënkryetari Arbi Mazniku, dhe deputetja e Kuvendit Blerina Gjylameti kanë zgjedhur të qëndrojnë autentikë. Të veshur me siguri çkanë gjetur menjëherë, dhe më një palë çizme nga ato të ndërhyrjes së shpejtë Mazniku e Gjylameti kanë qenë në Zall-Herr të periferisë së kryeqytetit për të kontrrolluar gjendjen e zonës. Siç duket kjo gjë vjen indirekt edhe me lidhjen shpirtërore që të dy kanë me Tiranën.
Fate Velaj është deputet në Kuvend, por ka përzgjedhur të jetë në terren më stilin e tij të veçantë. E këtu flasim për një person që e gjen veten shumë mirë tek coha e lëkurës, prandaj edhe deputeti Velaj mendon se Shqipëria është aq e pandashme dhe e fortë sa ç’është coha e lëkurës. Me të gjithë rrëbeshin që po i binte përsipër deputeti Velaj sikur donte të thoshtë se nuk e vriste mendjen për shiun, por për fjalët që banorët e zonës po thonin tek ai.
Ministri i Mjedisit Blendi Klosi sot ka qenë në qytetin e Beratit, thuajse i veshur totalisht si një ushtarak i vërtetë. Kushdo që ka parë pamjet televizive nga ku transmetohej deklarata e Klosit mund të ketë menduar se ministri i Mjedisit ka qenë gati t’i futej vetë me kazëm e lopatë zonës ku kishte shkuar. I frmëzuar ndoshta edhe nga trupat ushtarake amerikane, ka zgjedhur ngjyrat tipike ushtarake.
Në Fier ka pasur shumë dëmtime, dhe këtë kryebashkiaku i saj Armando Subashi e tregon me pamjen e tij shumë normale. Madje shpeshherë në ndërhyrje e sipër udhëzonte kalimtarët edhe për orientime ndaj ndihmave që trupat e policisë, apo Emergjencat Civile bënin. Gjatë gjithë kohës me një kapuç të kuq, dukej disa herë sikur dukej si një punëtor i thjeshtë i peshkarexhave të bregdetit të Vlorës.
I gjithë Kabineti Kryeministror ka qenë, dhe vazhdon të jetë në terren. Kjo si pasojë e urdhërit unanim që vetë kryeministri ka dhënë që ditën e enjte në mbrëmje. Kodi i veshjes së shumë liderëve botërorë është gjithnjë në focus, kjo sepse veshja mund të përfytyrohet si një anë tjetër e personazheve politikë që janë gjithnjë në qendër të vëmendjes së mediave.
Përgatiti: AlpeNews.al









