Adjola Lakra u arrestua sot nga policia, e akuzuar si bashkëpunëtore në vrasjen e 40-vjeçarit Hekuran Billa, më 11 qershor përball qendrës Kristal, tek Komuna e Parisit.
Ajo është 26 vjeçe (09.06.1994).
Me dokumente Adjola rezulton të jetë banore në lagjen “28 Nëntori” dhe banesa e familjes së saj ndodhet në rrugën “Dhimitër Kolea” në Rajonin nr.2, edhe pse prej vitesh në atë shtëpi nuk banon më askush nga familja Lakra.
Edhe pse prej më shumë se 8 vitesh ajo është rezidente në Tiranë me familjen, figuron si banuese në Berat. Ndërkohë, asnjë nga familjarët nuk ka profil të disponueshëm në Facebook pasi i kanë bllokuar llogaritë e tyre.
Por cili ishte roli i Adjola Lakrës?
Ajo prej dy vitesh ishte e dashura e Hekuran Billës, por sipas burimeve, është detyruar nga Viktor Marku dhe Sebastiano Mali që të nxjerrë në pritë të dashurin e saj. Viktor Marku dhe Sebastiano Mali e kanë ndjekur prej shumë kohësh Billën, ndërsa kanë mësuar se ai shoqërohej me Adiola Lakrën, të cilën kanë filluar ta ndjekin më vonë.
Sipas burimeve, ata kanë rënë edhe në kontakt të drejtpërdrejtë me 26 vjeçaren. Policia ka zbuluar nga tabulatet telefonike se 26 vjeçarja ishte edhe telefonata e fundit e viktimës, i cili kishte shkuar për ta takuar, aty ku Adjola Lakra i kishte lënë vendin e takimit.
Por Hekuran Billa nuk e takoi dot kurrë të dashurën, pasi në afërsi të qendrës “Kristal” u ndesh me Viktor Markun, i cili me një automatik me silenciator zbrazi karikatorin mbi të, duke e lënë të vdekur në vend.
Nga tabulatet telefonike policia ka zuluar edhe bisedat e tjera, që nxjerrin 26 vjeçaren si bashkëpunëtore në vrasjen e 40 vjeçarit Billa, duke çuar edhe në arrestimin e saj nga policia.
Ndërkohë është zbardhur dhe dëshmia e saj. Në dëshminë e saj ajo ka thënë se takohej me Billën prej një viti, kurse pritën e ka bërë për para. “Me Sebastiano Malin ka miqësi. Ai më kërkoi të njihesha me Hekuran Billën dhe të krijoja miqësi me të. Për këtë më ofroi para. Kam rreth 1 vit që shoqërohesha me Billën”, ka thënë ajo në dëshminë e saj.
Adjola prej 1 viti ishte e dashura e Hekuran Billës, por siç deklaron ajo, ka bërë ujdi me Viktor Markun dhe Sebastiano Malin që të nxjerrë në pritë të dashurin e saj.
Po ashtu, hetuesit thonë se 26-vjeçarja kishte njohje me familjen e Viktor Marku, autor kryesor i ngjarjes.


