Historia e plotë, kërcënuesi i kryebashkiakut të Belshit i dënuar për trafik droge
Policia e Shtetit njoftoi sot se kreu i Bashkisë së Belshit, Arif Tafani është kërcënuar me jetë nga një bashkëqytetar i tij, pas një konflkti për prishjen e një biznesi. I Dyshuari është Rajan Tafani, 31 vjeç i cili është shoqëruar për të sqaruar rrethanat e ngjarjes dhe kërkesën ndaj kryebashkiakut për dhënien e 300 mijë eurove dhe një toke në Belsh.
Policia tentoi ta parsqesë ngjarjen si kanosje, ndërsa prokuroria dyshon për një gjobëvenie. Gjithçka pritet të sqarohet pas dërgimit të referimit nga ana e policisë në Prokurori.
Vëllezërit Tafani janë të njohur në qytezën e Belshit për shkak të të shkuarës së tyre, por edhe për angazhimin politik të njërit prej vëllezërve. Besoj Tafani ka kaniduar për kryetar të Bashkisë së Belshit në zgjedhjet e 2015, si i pavarur. Por ai ka patur mbështetje jo zyrtare nga një deputet i qarkut të Elbasanit.
Ndërsa i dyshuari për kërcënimin e kryebashkiakut, Rajan Tafani është liruar vetëm vitin e kaluar nga burgu. 31-vjeçari ka vuajtur një dënim me 5 vjet heqje lirie të dhënë nga Gjykata e Torinos për trafik narkotikësh. Ai është kthyer në Shqipëri pas përfundimit të dënimit, kohë në të cilën ka ndodhur edhe shembja e lokalit në pronësi të vëllezërve Tafani.
Vëllai i tretë, Sokol Tafani, u arrestua në prill të vitit 2013 si pjesë e një rrjeti prej 35 personash të dyshuar për trafik droge e prostitucioni.
Operacioni i përbashkët mes policisë italiane dhe asaj shqiptare u finalizua me arrestimin e 8 personave në Shqipëri, mes të cilëve edhe Sokol Tafani. Ky grup akuzohej nga drejtësia italiane për trafikun e drograve të forta si heroinë dhe kokainë, ndërsa kishin arritur të ngrinin biznese dhe të blinin pasuri të shumta në zonën e Elbasanit dhe Librazhdit.
Referuar ngjarjes së djeshme, policia thotë se sot rreth orës 09:30, në Stacionin e Policisë Belsh është paraqitur dhe ka bërë kallëzim shtetasi A.T, 49 vjeç, me detyrë Kryetar i Bashkisë Belsh, se më datë 30.10.2017, rreth orës 12:00 në aksin rrugor Belsh – Pajovë në vendin e quajtur “Fusha e bardhë” shtetasi R.T., 31 vjeç banues në Elbasan për shkak të detyrës e ka kanosur mearmë duke i kërkuar 300.000 Euro dhe një pjesë toke ku është planifikuar të bëhet godina e re e Bashkisë Belsh.