Të tjera detaje zbulohen mbi operacionin anti-drogë të policisë greke që çoi edhe në kapjen e gomones me 1.6 ton drogë të nisur nga Shqipëria. Deri tani policia greke në kuadër të këtij operacioni ka arrestuar 11 persona, mes të cilëve 6 shqiptarë, 2 italianë, 2 grekë dhe 1 bullgar.
Burime për “BalkanWeb” bëjnë me dije se 2 nga skafistët janë nga Saranda dhe i treti është italian. Njëri nga skafistët është identifikuar si Arban Baxheri, 32-vjec dhe tjetri me emrin Ervis, të dy nga Saranda. Dy personat janë me precedentë penalë, ndërsa skafisti italian është 62 vjeç, i skeduar për trafik narkotikësh. Për rastin në fjalë është informuar edhe policia e Sarandës e cila ka kryer disa kontrolle banesash ditën e djeshme, por nuk ka gjetur lëndë narkotike apo të dyshuar.
“BalkanWeb” mëson se para 10 ditësh ka pasur një sherr mes këtij grupi kriminal në Korfuz i cili është kuptuar nga policia greke, por kur kanë shkuar në vendngjarje nuk i ka gjetur aty. I njëjti grup dyshohet se 1 vit me parë ka humbur një ngarkesë droge me vlere rreth 100.000 euro e cila është kapur nga policia.
Gjithashtu në kuadër të këtij operacioni, rreth orës 21:00 të mbrëmjes së kaluar policia greke ka zhvilluar një operacion në një hotel në Notia Proastia dhe ka arrestuar biznesmenin e njohur grek me banim në Mikono, S.K., 50 vjeç, i cili është pronar i një hoteli në Mykonos dhe një në Kolonaku, raporton “BalkanWeb”. Dyshohet se biznesmeni grek është financues i organizatës.
Policia greke arriti të kapë gomonen me tre motorë dy ditë më parë, pas një operacioni 48 orësh ku u angazhuan në det të hapur forca të shumta policie, rojës bregdetare, FRONTEX me helikopter dhe mjete ujore.


