Rreth 18 për qind të të punësuarave gra dhe vajza në administratë publike, por edhe në kompanitë private, kanë pranuar se janë ngacmuar në punë. Në 54 për qind të rasteve gratë dhe vajzat në sektorin shtetëror janë ngacmuar nga punonjës po të administratës, në 19 për qind të rasteve janë ngacmuar nga eprori në punë dhe në 14 për qind të rasteve janë ngacmuar nga pronari i kompanisë ku punojnë.
Këto të dhëna pasqyrohen në raportin vjetor të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, raport i cili është paraqitur për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Shqipërisë. “18% kanë deklaruar se kanë perceptuar keqtrajtim, trajtim të padrejtë ose ngacmim në qasjen e tyre në punësim. Shumica deklaron se autori ishte shërbimi publik i punësimit (54%), 19% nga një epror dhe 14% nga pronari i kompanisë.
Tre shkaqet e diskriminimit të raportuara ishin: përkatësia politike për 38%, statusi ekonomik për 29% dhe përkatësia etnike/raca për 17% (të anketuarit mund të jepnin disa përgjigje). Përkatësia etnike dhe gjendja ekonomike ishin dy arsyet kryesore të raportuara nga familjet rome në 92% dhe 25% përkatësisht.
Fyerjet/abuzimet verbale dhe refuzimi/mohimi i qasjes ishin mënyrat kryesore që u materializuan përkatësisht për 48% dhe 58%. Për familjet rome, fyerjet u raportuan në 72%”, thuhet në raport. Këto të dhëna janë prodhuar nga një sondazh në kuadër të projektit të përbashkët BE-KiE mbi ndërgjegjësimin dhe mbizotërimin e diskriminimit.
“Qëllimi i tij është që të sigurojë prova sasiore në lidhje me natyrën e diskriminimit në Shqipëri, për grupe specifike të synuara në dimensione të ndryshme të jetës. Analiza është kryer mbi një kampion përfaqësues prej 2400 familjesh në Shqipëri. Popullsia e synuar për sondazhin është popullsia shqiptare rezidente mbi 18 vjeç. Intervistat janë kryer me kryefamiljarët. Për të siguruar përfshirjen e familjeve rome në sondazh është shtuar një kampion shtesë prej 200 familjesh rome”, thuhet në raport.
Ngacmimet në lagje
Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi raporton disa të dhëna edhe sa i takon keqtrajtimeve dhe ngacmimeve në komunitet. “5% e të anketuarve kanë deklaruar se kanë përjetuar keqtrajtime ose ngacmime në sferën publike, me 2% që janë në lagjen e tyre, 2% jashtë lagjes së tyre dhe 1% në të dyja.
Shumica deklaron se autorët kanë qenë fqinjë (37%) ose kalimtarë (32%). Për familjet rome, këto shifra janë përkatësisht 11% dhe 54%. Tri shkaqet kryesore të raportuara ishin: statusi ekonomik për 53%, përkatësia etnike/raca për 29% dhe arsye të tjera të papërcaktuara për 21% (të anketuarit u lejuan të japin disa përgjigje).
Përkatësia etnike dhe gjendja ekonomike ishin dy arsyet kryesore të raportuara nga familjet rome, përkatësisht në 86% dhe 30%. Forma mbizotëruese ishin fyerjet dhe abuzimi verbal me 87%. Për familjet rome, fyerjet u raportuan nga 95% e të anketuarve”, vijon raporti.
Diskriminimi i përgjithshëm
Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi raporton se 83% e të anketuarve janë përgjigjur se diskriminimi është shumë ose mjaft i përhapur në Shqipëri. Ndërsa, vetëm 3 % e të anketuarve mendojnë se diskriminimi nuk është aspak i përhapur. Kjo tregon se diskriminimi ndihet si një gjë relativisht e përhapur në shoqërinë shqiptare, duke nënvizuar rëndësinë e temës.
Lidhur me grupet specifike, të anketuarit mendojnë se personat e varfër, LGBTI, gratë dhe personat me aftësi të kufizuara kanë më shumë gjasa të përjetojnë diskriminim. Sipas rreth gjysmës së të anketuarve, pakicat etnike mund të jenë objekt diskriminimi. Të moshuarit, të rinjtë dhe pakicat fetare perceptohen se janë më pak të ndjeshëm ndaj diskriminimit.
Dhuna në familje
Sipas raportit, nga pikëpamja gjinore, pjesëtari më i dhunuar i familjes rezulton të jetë gruaja. Në 88 % të rasteve paditëse është një grua dhe vetëm në 12 % të rasteve paditës është një burrë. Këto të dhëna dëshmojnë për faktin që dhuna në familje është dhunë me bazë gjinore.
“Diskriminimi gjinor është një fenomen i cili nuk kufizohet tek pagat. Ai fillon shumë herët në jetën e grave, nga aborti selektiv para se të lindin, më pas me caktimin e një barre më të rëndë të detyrave shtëpiake për vajzat, vazhdon me pengesat familjare dhe shoqërore në arsimimin e tyre, me pengesat që gratë kanë për të hyrë në forcat e punës, paraqitet me anë të hendekut gjinor të pagave kur ato janë pjesë e forcave të punës dhe vazhdon deri në pleqëri.
Hendeku gjinor i pagave është një tregues i mirë për të vlerësuar diskriminimin gjinor në forcat e punës, pasi zgjedhjet e ndryshme të burrave dhe grave dhe koha larg punës apo detyrat prindërore nuk arrijnë ta shpjegojnë plotësisht madhësinë e këtij treguesi. Duke ju referuar studimeve të ndryshme vihet re se një pjesë e hendekut të pagave ngelet e pashpjeguar edhe pasi bëhen rregullimet përkatëse me anë të variablave që kuantifikojnë faktorët e përmendur më lart”, thuhet në raport.
Në Shqipëri, në vitin 2016, vetëm 26,8 % e ndërmarrjeve aktive drejtohen nga gratë (INSTAT). Kjo tregon se gratë kanë një rrugë më të vështirë se burrat për të arritur pozicionet e larta drejtuese në ndërmarrjet e biznesit. Kjo rrugë bëhet akoma edhe më e vështirë për shkak të diskriminimit gjinor. /shqiptarja.com