Kremlini njoftoi sot se reagimi i Perëndimit për vdekjen e Alexei Navalny është i papranueshëm, por se deklaratat e urrejtjes nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropës nuk do të dëmtojnë Presidentin Vladimir Putin.
“Ne e konsiderojmë krejtësisht të papranueshme që të bëhen deklarata të tilla të neveritshme,” u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.
“Këto deklarata, natyrisht, nuk mund të shkaktojnë asnjë dëm për kreun e shtetit tonë”, tha Peskov. Zëdhënësi i Kremlinit shtoi se hetimi për vdekjen e Navalny është në vazhdim dhe po kryhet në përputhje me ligjin rus.
I pyetur se si reagoi Putin ndaj lajmit për vdekjen e Navalny, Peskov tha: “Nuk kam asgjë për të shtuar”.
Zëdhënësja e Navalny deklaroi gjithashtu sot se hetuesit rusë nuk e kanë përcaktuar ende shkakun zyrtar të vdekjes së liderit të opozitës.
Nëna e Navalny, Lyudmila, tha të shtunën se ai kishte vdekur nga “sindroma e vdekjes së papritur” – një term i paqartë për sëmundje të ndryshme të zemrës që çojnë në vdekje, sipas grupit të Navalny.
Zëdhënësja e Navalny, Kira Jarmis tha se nënës së tij 69-vjeçare dhe avokatëve u është thënë se hetimi zyrtar për shkakun e vdekjes së tij është zgjatur dhe nuk dihet se sa kohë do të zgjasë.


