Botuesi Mero Baze ka komentuar me ironi deklaratën e ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, i cili tha se ambasadorja e BE-së Romana Vlahutin i ka kërkuar që të arrestojë ish-kryeministrin Sali Berisha që vendi të futet në BE.
“Më në fund zbulohet se Llalla ka hyrë në listë zezë nga SHBA se ka cënuar interesat e Sekretarit të Shtetit të SHBA, që paska pasur interesa në naftën shqiptare. Po pres të dëgjoj që dhe Berisha është futur në këtë listë se djali tij ska ndarë mirë lekët e fishekëve në Gërdec me amerikanët. Dmth të korruptuarit janë amerikanët që po ndëshkojnë heronjtë tanë antikorrupsion. Çtë bën Çim Peka sta bën perëndia”, shkruan Baze.
Dje ish-Kryeprokurori Adriatik Llalla, i shpallur ‘non grata’ nga SHBA i ka dalë në krahë Sali Berishës, gjithashtu i shpallur ‘non grata’ nga aleati më i madh i shqiptarëve dhe këtë e ka bërë nga televizioni i familjes Berisha. Llalla tha se ish-ambasadorja e BE-së në Shqipëri, Romana Vlahutin i ka kërkuar që të arrestojë Sali Berishën dhe në këtë mënyrë do të ndihmonte vendin që të integrohej në BE. Llalla shprehet se ish ambasadorja i ka shkuar në zyrë për t’i kërkuar arrestimin e Sali Berishës, ndërsa shtoi se kjo gjë nuk i është kërkuar kurrë nga SHBA.


