Ish-kryeministri Sali Berisha reagon pas deklaratës së sekretares së PD-së Jonila Godole e cila sugjeroi që PD të veprojë si në rastin e Helmut Kohl, duke e përjashtuar nga partia.
Berisha tha se nuk e “cilëson gabim” deklaratën e Godoles, por dënon veprimin e Rilindjes Demokratike që pas publikimit fshiu deklaratën e saj.
Në “Euronews Albania”, Berisha tha se nuk mund të bëhet krahasimi mes tij dhe Kohl, pasi askush nuk i ka gjetur atij një llogari të fshehtë bankare.
Berisha: Nuk cilësoj deklaratën gabim. Gabim cilësoj heqjen e deklaratës. Jam kundër çdo censure. Nuk jam për censurë. Helmut Kohl, njeriu që unë kam adhuruar më shumë, pas Çurçillit, ju gjet një llogari e fshehtë, nëse Sali Berishës do i gjendet një llogari e fshehtë, cilado që të jetë ajo, unë pranoj çdo gjë. Të krahasosh të pakrahasueshmen, ajo nuk qëndron. Kohl iu gjet një llogari dhe nuk tregoi donatorin.