Përfaqësuesja e muxhahedinëve në Shqipëri, Maryam Rajavi e ka cilësuar si veprim të guximshëm në luftën kundër terrorizmit dhe sigurisë, dëbimin e dy diplomatëve iranianë, Mohammad Ali Arz Peimanemati dhe Seyed Ahmad Hosseini Alast,nga ambasada në Tiranë, të cilët u shpallën persona të padëshirueshëm. Përmes një postimi në rrjetin social, Rajavi shkruan se masa e marrë nga qeveria shqiptare është një veprim i guximshëm në luftën kundër terrorizmit dhe sigurisë së refugjatëve iranianë në vend.
“Dëbimi nga qeveria e Shqipërisë e dy diplomatëve të regjimit iranian është një masë e guximshme dhe e admirueshme në luftën kundër terrorizmit dhe sigurimin e sigurisë së njerëzve të Shqipërisë dhe refugjatëve iranianë. Vende të tjera evropianë duhet të mësojnë nga Shqipëria. Pasi qendra diplomatike iraniane në vendet e tyre janë qendra spiunazhi dhe terrorizmi”, shkruan ajo.
Shqipëria ka dëbuar diplomatë iranianë nga ambasada në Tiranë, duke i shpallur persona të padëshirueshëm. Ministri i deleguar Gent Cakaj njoftoise dy përfaqësuesit diplomatikë të Ambasadës së Republikës Islamike të Iranit në Shqipëri, Mohammad Ali Arz Peimanemati dhe Seyed Ahmad Hosseini Alast, janë dëbuar pasi kanë shkelur parimet e konventës së Vjenës me veprimtarinë e tyre, duke mos përcaktuar saktësisht se çfarë kanë bërë dy diplomatët.


