Në këto foto shfaqet i shumërkuari për vrasje Orges Bilbili. Siç shihet qartë në duar mban armë, të cilën ia ka drejtuar në fytyrë punonjësit të policisë. Është fjala për një efektiv të skuadrës Shqiponja, i cili ishte vënë në ndjekje të dy personave, të cilët kishin thyer rregullat kufizuese të pandemisë, pa e ditur se ishin dy prej njerëzve më të kërkuar të momentit, Orges Bilbili dhe miku i tij Anterio Kaloshi. Të dy refuzuan të ndaloheshin. Dhe kjo bëri që policia t’i ndiqte këmba këmbës.
Kaloshi mundi t’i shpëtonte policisë. Ndërsa Bilbili kërcënoi efektivin, siç dallohet qartë nga pamjet. Në momentin kur polici është ndjerë i rrezikuar, qëlloi në drejtim të të shumëkërkuarit, të cilin e plagosi dhe më pas i vuri prangat. Në ngjarjen e cila u zhvillua përpara shkollës ‘Niket Dardani’ mbeti e plagosur edhe një kalimtare e rastit.
Orges Bilbili dyshohet se në bashkëpunim me Laert Haxhiun ekzekutoi ne shtator të 2017 në Lushnje, Zamir Latifin e Jurgen Hoxhën, ndërsa plagosi një person tjetër. Në shënjestër të krimit ishte Xhulio Shkurti, nipi i kapobandës së Lushnjes Aldo Bare, që mundi t’i mbijetonte atentatit.





